Mitrovica dhe Goblenët

Tavolina afër foltores ku do të qëndrojë kryetari tash është gati. Ajo i ka tre stoqe me dosje me të cilat do të shërbehet ai kur të gjendet para moderatores Jeta Xharra e cila njihet që “nuk ta falë dakikun”. Në fakt, prapa saj janë një sërë monitoruesish të cilët kanë bërë dhe po bëjnë punë të palodhshme gjatë tërë kohës, nëmënyrë që publiku t’i ketë edhe detajet më të vogla të ndodhive nëpër komuna.

Salla e asamblesë po mbushet me asamblistë. Fillojnë cakrimet me fjalë dhe shakatë e rastit mes asamblistëve të cilat nuk kuptohen nga “të jashtmit”. Mund të vërehet nëpër ajër tensioni mes pozitës dhe opozitës. PDK-ja e mësuar të jetë në pozitë, e pacënuar dhe e pacënueshme, ende s’e pranon faktin që kryetari Bahtiri është aty ku është dhe për më tepër edhe ai është dikush që s’ua falë dakikun.

PDK ka më së shumti asamblistë në Mitrovicë – 15, pastaj vjen LDK me 8, AKR me 4, VV me 3, AAK me 2, PDTK me 1 dhe LPM me 1. Pra kryetarit Bahtiri i duhet të udhëheqë duke mos e pasur shumicën në asamble.

Ka kohë që nuk më kishte rënë ta shoh KFOR-in brenda ndonjë takimi. Siç dukej, për shkak të situatës së sigurisë që në Mitrovicë konsiderohet e tensionuar, skuadra zvicerane  e zyrës për monitorim e paqeruajtësve në Kosovë (LMT) zunë vendet e tyre në sallë.

Dielli arrin të hyjë në sallë përmes perdeve plastike që kohëve të fundit i sheh kudo. Dritaret kanë shtrirje vertikale në formë të shiritave dhe mund të hapen e mbyllen përmes një litari në skaj po që pothuajse askund nuk funksionon si duhet, ashtu siç nuk funksiononte as në Mitrovicë,  dhe dielli e pengonte regjinë në përgatitjen e sallës për shkak të dritës së tepruar që dëpërtonte brenda.

Në anën tjetër, punëtorët e Drejtoratit të Infrastrukturës siç u prezantuan pasi iu kërkua të lëviznin nga vendi ku ishin ulur, kishin kohë që të humbnin nja dy orë e të merrnin pjesë në debatin që do të zhvillohej.

Kryetari siç edhe njihet si i zhurmshëm, hyri me poterë në sallë. Solli energjinë e re të një ambienti që filloi të dukej i energjishëm. Shkëmbeu dy tre batuta me Jetën lidhur me stoqet e dosjeve që kishte sjellë.

Fillon debati me klipin 2 minutësh ku shihen premtimet e kryetarit në zgjedhje para dy vitesh. Është koha të shihet se si janë shpenzuar 15.7 milionë të ndara për Mitrovicën (tash po flasim vetëm për jugun) me 79,909 banorë.

“Unë premtoj punë, punë dhe vetëm punë”, kishte thënë kryetari gjatë fushatës zgjedhore të para dy viteve. Sot kundërshtohej nga opozita që duke u bazuar në siç thoshin “shifra të ATK-së”, pohonin se në Mitrovicë kishte disa qindra më pak të punësuar.

Rrustem Musa nga PDK pohon se nga të dhënat e ATK-së del se ka rreth 160 punëtorë më pak sot në Mitrovicë.

Por kryetari Bahtiri që akuzonte opozitën se kishin instaluar nepotizëm tha se qëllimi i tij nuk ishte të punësonte njerëz në institucione të shtetit, por në ndërmarrje private, gjë që sipas tij e kishte bërë me 1300 punëtorë më shumë në sektorin privat.

Këtu po flasim për një kryetar i cili duke mos e pasë shumicën në asamble kishte dështuar ta ndante një parcelë për ndërtimin e fabrikës së këpurdhave. Premtim ky i njohur i tij, që u bë pjesë e shakave të ndryshme gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013. I ndodhur në këtë situatë, Bahtiri e ka ndarë tokën e tij private. Pak kush në Kosovë e bënë një gjë të tillë. Moda është që ta marrësh tokën publike e ta bësh private dhe jo anasjelltas, që një pronë private ta japësh në shfrytëzim për të mirën publike.

Ai është një njeri me temperament të paparashikueshëm. Ai qesh kur ia thotë në fytyrë opozitës se do t’ua këpusë rrënjët e korrupsionit e nepotizmit gjithkund, mirëpo me t’u kryer debati, teksa po i hiqnin mikrofonin dhe teksa shkëmbeheshin kërcënime për padi të cilat kryetari ia drejtonte ish-asamblistit që kishte kaluar në PDK, e mësyu edhe fizikisht, por u ndal nga asambleistët.

Dëngu me dokumente që ka përpara po i shërben kryetarit.  Pothuasje pas secilës herë që flet, ai dorëzon në mënyrë ceremoniale një dokument në tavolinën e kryesuesit që në këtë rast është moderatorja Jeta Xharra, si për t’i dhënë vulën e vërtetësisë atyre që ka folur deri atëherë.

Kryetari kishte premtuar kontenjerë për mbeturina. I ka realizuar premtimet për numrin e kontenjerëve, por ka harruar se për ata kontenjerë që ia kishte dhuruar fondacioni turk TIKA kishin nevojë për një kamion të veçantë që bënë zbrazjen e tyre. Kësisoj, kontenjerët nëntoksorë tash jofunksionalë të dhuruar nga TIKA shoqërohen nga kontenjerët tipikë të Kosovës.

Çaj Bashqe-ja e Mitrovicës

Me të dalë nga debati u desh të kalonim nëpër një shesh betoni të nisur nga Komisioni Evropian. I njëjti tashmë ka filluar të dëmtohet nga vaji i veturave që parkohen jashtligjshëm brenda kantierit të punës. Priten drunjtë për të shtruar beton. Kështu na thanë se kishte vepruar pronari i një lokali në këtë shesh në punë e sipër, të cilit i kishte penguar një dru dhe të cilin e kishte prerë. Po ku ishte kryetari Bahtiri dhe stafi i tij inspeksional kësaj radhe?

Kaluam përmes ndërtesash të ndërtuara pas 1999 me ngjyra pink, gjelbër dhe protokalle, pigmente që s’mund të përsëriten më. Këtu me siguri shija s’kishte kaluar ato kohë kur ndërtoheshin këto ndërtesa.  Mbërritëm te ëmbëltorja e quajtur “Çaj Bashqe” që në fakt është edhe një koncept tjetër i lokaleve.

Na thanë se Çaj Bashqe është një lloj ëmbëltoreje ku pihej çaji i rusit dhe kafeja turke. Një përzierje e shërbimeve moderne të kulinarisë me ato tradicionale të cilat dominonin. Madje rekomandohej më shumë për gra.

Dukej të ishte një nga vendet më të lezetshme pas një debati me tensione.

Brenda kishte karrige të drurit të bardha me ulëse të mbështjella me kadife të kuqe. Një sallë e zbukuruar me goblenë. Goblenët kurdoherë ma sjellin ndërmend motivin e famshëm “spanjollka me gitarë” (kështu e quanin të gjithë). Më kujtohet salloni i pritjes i cili rrinte nën çelës në shtëpinë e gjyshes. Një dhomë e pastruar me alkool, me orendi kryesisht të bardha, dhomë kjo që në familjet e mëdha të shqiptarëve shërbente vetëm për mysafirë. Secili sallon, të paktën nga ata ku unë kam hyrë, e kanë pasur goblenin me motivin “spanjollka me gitarë”. Kështu ishte para vitit 1999.

Çaji i rusit në “Çaj Bashqe” servohet me nga një tabëll simpatike të vogël me kikirikë për seciliën gotë të çajit. Këtë s’më ka rënë ta shoh askund më parë. Rënkimet e gotës së çajit pas goditjeve të lugëve që përziejnë sheqerin, shkrihen me tingujt e Sabri Fejzullahut në një album të vjetër të tij. Porositëm “Haxhimakëll” dhe “Ravani të lagët”. Të dy këto ëmbëlsira të bëra nga brumi të cilat mbyten në sherbet. Por ama, këto ishin tamam të pjekura, me tamam aromë brumi, tamam sherbet. Ishin perfekte!

Për herë të parë në një lokal në Kosovë, numri i grave dukshëm e dominon atë të meshkujve. Po flasim këtu për “çaj bashqen” si koncept i një hapësira të destinuar për gra, por i moderuar mjaft që të mos i përjashtojë burrat.

3 ëmbëlsira, 2 shujta tradicionale (njëra me llokume, tjetra me pogaçëza që shoqëroheshin nga ajvari, djathi dhe langu me speca), 5 çaja me tablla personale me kikirikë kushtuan gjithsejt 5.20 euro. Të gjitha këto nën shërbimin fantastik të një djaloshi llafazan, që sa herë fliste gabonte dhe vinte me një tabëll të re të vogël kikirikësh duke thënë “kjo është nga shtëpia”. Aty këtu nja dy-tre tavolina me gra buqisnin nga të qeshurat, ndërkohë që burrat dhe djemtë shihnin me habi në ne “të huajt” që ishim grupi më i papritur aty.

Kthimi bëhet nëpërmes një fabrike industriale fosil që dikur ka qenë pjesë e minierës së Trepçës. Një ndërtesë e braktisur skaj së cilës rrotullohemi në një rreth me qëllimin për t’u larguar prej Mitrovicës. Kjo është në fakt edhe hyrja e qytetit dhe nga këtu duket sikur qytet i braktisur. Dhe mendja të shkon “a thua diku në dosjet e shumta të kryetarit Bahtiri ka ndonjë projekt për këtë pjesë të shkretë?”