Pas intervistimit në Polici, flasin aktivistët e ORCA-s Rron Gjinovci dhe Dibran Hoxha

Pas arrestimit dhe intervistimit nga Policia sot pasdite, tëtë dy aktivistëve nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Rron Gjinovci dhe Dibran Hoxha, ORCA në një konferencë për media, kanë kërkuar që profesorët plagjiatorë të largohen nga institucionet e arsimit në Kosovë.

“Aktivistët Rron Gjinovci dhe Dibran Hoxha u intervistuan nga Policia e Kosovës si të dyshuar për veprën penale Pengim i Personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, që dënohet me burgim nga tre muaj në tre vite, kur në fakt nuk u pengua personi zyrtar, por plagjiatori zyrtar – Bujar Dugolli”- thuhet në njoftimin e ORCA-s, pas konferencës.

Tutje, në komunikatë thuhet se “Publikut po ia bëjmë me dije se ne në ORCA nuk e kemi ndërmend të ndalemi as të zmbrapsemi deri sa plagjiatorët të mbesin jashtë institucioneve të arsimit në Kosovë”.

Sot gjatë një aksioni në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” janë arrestuar aktivistët Rron Gjinovci dhe Dibran Hoxha.

Foto: ORCA

ORCA më 26 qershor kishte njoftuar se Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kishte marrë një vendim sa i përket denoncimit të tyre për plagjiaturë për profesorët e Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.

ORCA tha se më 6 qershor 2022, Këshilli i Etikës i ka kthyer përgjigje ORCA-s duke konstatuar përfundimisht se punimi i paraqitur nga profesorët Dugolli dhe Kastrati ka përmbajtje të theksuar të plagjiaturës dhe si rrjedhojë i ka shkelur të gjitha standardet e ndershmërisë akademike dhe kredibilitetit në publikime shkencore.

Bujar Dugolli kishte thënë për KALLXO.com se kjo është “fushatë e orkestruar e ORCA-s”.

“Qe një vit, Organizata ‘’ORCA’’, e inicuar, siç thotë ajo nga një e-mail anonim, po vazhdon fushatën e orkestruar, mbase të mbështetur edhe nga struktura të tjera, për të më penguar mua në zhvillimin akademik dhe profesional dhe për t’i realizuar interesat e tyre me qëllim të kapjes së Universitetit, për të ndalur mendimin ndryshe, në organet vendimmarrëse të UP-së dhe me qëllim të realizimit të interesave të tyre biznesore”, tha ai.

Arrestohen aktivistët e ORCA-s, Rron Gjinovci dhe Dibran Hoxha