Aktivistët duke u tërheq nga Policia e Kosovës, pasi kanë bllokuar Rektoratin e UP-së

Rron Gjinovci e konfirmon se është liruar pas shoqërimit nga Policia e Kosovës

Aktivisti Rron Gjinovci e ka konfirmuar se është liruar nga Policia e Kosovës, pasi e kishin shoqëruar për në stacionin policor, nga protesta e aktivistëve e mbajtur më 11.04.2024, para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Aktivistë të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë u shpërndanë me forcë nga Policia e Kosovës, pasi bllokuan hyrjen e Rektoratit të UP-së më 11.04.2024, për shkak të protestës së tyre gjithëditore të cilën e paralajmëruan më 10.04.2024.

Aktivistët nga data 03.04.2024 kanë kërkuar përjashtimin e profesorit Krasniqi, të cilin e kanë denoncuar 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual.

Krasniqi vazhdon të figurojë si profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit e në anën tjetër denoncimi për ngacmim seksual po trajtohet nga Këshilli i Etikës të UP.

Ekipi i KALLXO.com raportoi nga vendi i ngjarjes se disa aktivistë janë tërhequr zvarrë nga Policia e Kosovës, për të zhbllokuar kështu hyrjen e Rektoratit.

Gjinovci ishte në mesin e aktivistëve që protestuan në Rektorat dhe pasi u shoqërua për në stacionin policor, ai u mbajt për disa minuta dhe pastaj u lirua. Ai iu bashkua përsëri protestuesve, të cilit u mblodhën para stacionit policor në Prishtinë.

Në njoftimin e tij, teksa nuk ka ndarë shumë informata, Gjinovci ka thënë se është liruar dhe se është duke shkuar në zyre.

Sipas tij, ai nuk ka çfarë të flasë, pasi kanë folur studentet, duke nënkuptuar dëshmitë që studentet i kanë doërzuar në KE të UP-së për rastin e ngacmimit seksual, dhe që para ca ditësh, më 07.04.2024, këto dëshmi i rrëfyen edhe në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Të dashtun, jom liru, jom tu shku në zyre. Unë s’kom kurgjo me thanë, kanë folë studentet dhe aktivistet boll, ndëgjojini ato. Është koha me i ndëgju storjet e studenteve dhe kërkesat e aktivisteve që po e organizojnë protestën, e na tjerët me u solidarizu me to” – ka shkruar Gjinovci, në Facebook, më 11.04.2024.

Përveç protestës, më 09.04.2024, LFS së bashku me Kolektivin për Mendim dhe Veprim Feminist, përmes një letre të hapur drejtuar Këshillit të Etikës dhe Rektoratit të UP-së, teksa kanë kërkuar përjashtimin e profesorit Krasniqi kanë paralajmëruar bojkot dhe bllokim të procesit mësimor në UP, më 11.04.2024.

Në paralajmërimin e tyre për protestën e datës 11.04.2024, nga LFS janë shprehur se nuk do të rreshtohen me “neglizhencën institucionale të UP-së dhe mosprioritizimin e sigurisë së grave dhe vajzave përmes së cilave po normalizohet ngacmimi seksual në hapësirat e UP-së”.

Si rezultat i mospërjashtimit të Krasniqit nga UP deri më sot, LFS thotë se do të përshkallëzojnë rezistencën e tyre, duke bllokuar edhe daljen e anëtarëve të KE-së pas mbledhjes së datës 11.04.2024.

“Të pakënaqur/a e të revoltuar/a me jo-profesionalitetin e Këshillit të Etikës, duke e trajtuar rastin në kundërshtim të plotë me procedurat dhe rregulloret e UP-së, ne përkrah thirrjes për bojkotim të ligjeratave të planifikuara për nesër në të gjitha fakultetet e UP-së, ju ftojmë të na bashkangjiteni për bllokim të daljes së anëtarëve të Këshillit të Etikës nga ndërtesa e Rektoratit, deri sa të marrin një vendimi të drejtë e meritor për profesorin Krasniqi” – thuhet në thirrjen e protestës nga LFS.

Gjatë protestës, organizuesit e saj i kanë thënë ekipit të KALLXO.com se studentët e Fakultetit të Mjekësisë dhe Inxhinierisë Mekanike në UP e kanë bojkotuar mësimin më 11.04.2024.

Për bojkotimin e këtyre studentëve, KALLXO.com i ka pyetur të dy fakultetet. 

Teuta, Shpresa dhe Era (emra fiktivë) janë tri vajza që në kushte anonimiteti rrëfyen në emisionin “Kallxo Përnime”, më 07.04.2024, për ngacmimet seksuale që Xhevat Krasniqi, profesor i matematikës, pretendohet se iu kishte bërë atyre derisa studionin në degën e Farmacisë në UP.

Përveç këtyre trijave në Kallxo Përnime më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që ju kishin bërë vajzave nga viti 2022. Kjo është hera e parë që djemtë në Kosovë dolën publikisht të flasin për ngacmimet që u janë shkaktuar kolegeve të tyre.

“Profesori në fjalë ka fillu duke dhënë komente seksuale gjatë orëve të ligjëratave edhe ushtrimeve. Edhe duke marrë si shembull gjithmonë femrën, na është drejtu të gjitha kolegeve që jemi kanë aty se ‘Femrën kur e mbulon me jorgan i humb bukuria’, ‘Dallimi mes femrës dhe perdes’. Mandej ka pas raste ku ka thënë ‘Femrat e Istogut janë më të bukurat’, ku edhe i ka shiku koleget e mia që kanë qenë nga Istogu”- ka deklaruar ‘Teuta’, e cila zgjodhi të flasë në kushte anonimitetit nën frikën se nëse e shpërfaqë identitetin e saj, do të përballet me më shumë ngacmime.

‘Teuta’ që pretendon se është ballafaquar me fjalë ngacmuese nga Krasniqi, datën 14.02.2023 ka thënë se nuk e harron kurrë sepse sipas saj, ka qenë dita kur asnjëherë nuk është ndier më keq. Pikënisja e kësaj ditë kishin qenë rezultatet e provimit kur profesori Krasniqi e kishte rrëzuar atë nga provimi për 0.05 pikë.

Në konsutime me gojë, siç ka thënë studentja, Krasniqi i kishte thënë se është “i drejtë në vlerësim” duke iu drejtuar edhe me fjalët se “kur të duash të bëjë masazhë”, fjalë të cilat i kishte pasuar edhe një demonstrim duke tentuar “të përqafojë studenten”.

Pesë javë pas denoncimit të studenteve ndaj profesorit të Shkencave të Matematikës, Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual, më 04.04.2024 u mbodh Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës.

Në këtë mbledhje u paraqit edhe vetë Krasniqi, ani pse me gjithë insistimin e Jeta Xharrës, refuzoi të përgjigjet lidhur me pretendimet ndaj tij.

Në emisionin Kallxo Përnime, Xharra tregon se çka thuhej në deklarimin 45-minutësh të Krasniqit para Këshillit.