Foto: Kallxo.com

Paqartësi në Kuvend për mbajtje ose jo të seancës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë përfshirë në debat për mbajtjen ose jo të seancës së sotme.

Kjo pasi pas kërkesës së  kryeministrit Ramush Haradinaj për seancë të jashtëzakonshme,  i njëjti është tërhequr për shkak të procedurave dhe përgjegjësinë për thirrjen e seancës për tu diskutuar ligjet për viza, e ka marrë Komisioni për Legjislacion.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi deklaroi se dihet që sot nuk mbahet seanca e Kuvendit.

“Na sot kemi ardhur për shkak të procedurave. Krejt e dimë që sot seanca nuk mbahet sepse ne jemi pajtuar dje që kjo seancë të mos mbahet, por për shkak të rregullores jemi sot këtu. Dje kryeministri dhe Komisioni anë pajtuar që seanca të ftohet përmes kryesisë”, tha ai.

Sipas Krasniqit,  dje është dashur të mblidhet edhe një herë Kryesia e Kuvendit dhe grupet parlamentare.

Ndërkaq, Dardan Sejdiu në emër të PSD-së tha se është e paqartë sot për deputetë sot në sallë se për çfarë janë mbledhur dhe cilat janë ato ligje.

“Nuk është në rregull dhe as korrekte që të përfundojë me seancë nëse ka kërkesë për shtyrje të saj nga ana e atyre që e kanë bërë kërkesën”, tha ai.

Sipas Sejdiu, PSD-ja nuk ka më arsye të qëndrojë në seancë.

Kurse, Ahmet Isufi nga AAK tha se ligjet duhet të kalojën në seancë.

“Të mos kuptohet kjo si ndërhyrje e qeverisë por një vullnet i mirë që këto projektligje të kalojnë. Faji është i Kuvendit që s’po i kryen në mbledhje te veta të komisioneve. Le të mblidhen edhe Komisionet tjera dhe mund t’i aprovojmë”, tha ai.

Ndërsa, Bilall Sherifi, shef i Grupit Parlamentar të Nisma Socialdemokrate, tha se në mbledhje të kryesisë ka kërkuar që të jetë më specifike kërkesa dhe të emërohen cilat janë ato ligje.

Sherifi tha se seanca është ftuar dhe tani nuk mund të ç’thirret edhe sipas tij e kanë ditur se nuk do të mbahet.

“Nuk është dashtë të vijmë domosdoshmërish deri këtu sepse nuk e kemi pakon e ligjeve sepse janë në komisione… Kemi pas marrëveshje me kryeministrin që të bëjë tërheqjen e seancës së jashtëzakonshme që sot e nesër të kryhet puna në komisione dhe që ligjet të mund të kalojnë”, tha Sherifi.

Edhe nënkryetari i kuvendit Xhavit Haliti, tha se kryesia edhe deputetet nuk janë në emergjencë që të rrinë kujdestar që sa herë të vijnë letra para dreke e mbas dreke për t’i shqyrtuar.

“Tash e kemi një vendim të mbledhjes së kryesisë dhe duhet me mbajt mbledhjen”, tha Haliti.