Ilustrim

Operacioni i policisë pas grabitjes së armatosur në Drenas

Dje rreth orës 16:30 në një qendër tregtare në Drenas, saktësisht në një institucion mikro-financiar, ka ndodhur një grabitje e armatosur.

Sipas policisë, nga informacionet e përpunuara dyshohet që kjo grabitje të jetë kryer nga një person i maskuar dhe i armatosur, i cili pasi ka kryer grabitjen është larguar nga vendi i ngjarjes.

“Menjëherë pas marrjes së informacionit të parë, policia e rajonit të Prishtinës mbështetur dhe nga Njësiti i Specializuar Operativ,  ka ndërmarrë  të gjitha veprimet operative, ato të kërkimit si dhe të hetimit, me qëllim të lokalizimit dhe kapjes së personit  të dyshuar’, njofton policia.

Pas veprimeve operative, policia ka arritur të arrestoj të dyshuarin e parë, A.B, 24 vjeçar, i cili dyshohet se ishte përfshirë në rast.

Ndërkohë që është zgjeruar horizonti i hetimit policia ka kryer edhe disa operacione të bastisjes në lokacione të ndryshme, me ç’ rast pas identifikimit ka arrestuar edhe të dyshuarin e dytë H. Sh , 18 vjeçar.

Në njoftimin e policisë thuhet se gjatë bastisjeve policia ka sekuestruar një revole të tipit TT, 5 fishekë, sasi e substancës së dyshuar narkotike, një shumë e parave  të cilat  dyshohet të jenë të  grabitura në rastin në fjalë, si dhe gjësende të ndryshme të cilat mund t’i shërbejnë ndriçimit të plotë të këtij rasti apo ndërlidhjes së këtyre personave me rastet e tjera, ndërkohë që të njëjtat mund të shërbejnë edhe si  dëshmi në procedurë.

“Pas arrestimit ndaj personave të dyshuar janë iniciuar raste, grabitje e armatosur, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës si dhe posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, njofton policia.

Personat e dyshuar  pas intervistimit nga ana e policisë  me rekomandimin e prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh.

Sipas policisë, një kontribut të veçantë në realizimin e këtij aksioni, kanë dhënë edhe qytetarët të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë me njësitet policore.

KALLXO.com ka raportuar dje për grabitjen e armatosur në Drenas.

https://kallxo.com/grabitje-e-armatosur-ne-drenas-qytetaret-e-ndihmojne-policine-per-te-arrestuar-te-dyshuarin/