Në Bordin e ‘Ibër-Lepencit’ edhe Djali i Sami Lushtakut

Qeveria e Kosovës emëroi sot anëtarët e bordeve në “Ibër-Lepenc” dhe Hekurudhat e Kosovës-TrainKos.

Në mesin e atyre që do të jenë pjesë e Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” është edhe Mërgim Lushtaku, djali i kryetarit të Skenderajt dhe të dënuarit për krime lufte Sami Lushtaku.

Lushtaku kur foli për KALLXO.com e pranoi se ishte njëri nga konkurrentët e bordit të “Ibër-Lepencit”.

“Kam qenë njëri nga konkurrentët edhe unë për këtë bord. Ende nuk kam marrë vendim zyrtar me shkrim. Unë jam informu prej medieve,” tha Mërgim Lushtaku.

Emrin e Mërgim Lushtakut dhe anëtarëve tjerë të këtij bordi i bëri të ditur në mbledhjen e qeverisë zëvendëskryeministri Kujtim Shala.

“Qeveria e Kosovës për drejtor në Bordin e ‘Ibër Lepencit’ Shoqëri Aksionare propozon këta kandidatë: Fatos Sahiti i cili edhe do të jetë edhe kryesues, Bashkim Shabani, Albiona Maloku, Mërgim Lushtaku, Imer Hamiti dhe vendi i fundit mbetet të plotësohet me përfaqësues nga komuniteti pakicë”, tha Shala.

Ai tregoi edhe emrat për bordin e “TrainKosit”.

“Qeveria e Kosovës për drejtor të ndërmarrjes Hekurudhat e Kosovës-TrainKos, Shoqëria Aksionare, propozon këta kandidatë Sadik Kryeziu si kryesues, Naim Gashi, Labinot Halilaj, Bujar Hasimi, Nusri  Sallahu dhe Mustafa Mustafa”, tha Shala.

Në të njëjtën mbledhje Jeton Shala u emërua kryeshef i Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se kjo pozitë është për mandat trevjeçar.