VIDEO: Vozitje 180km/h në rrugët e Tiranës

Policia Rrugore e Shqipërisë ka shtuar kontrollet me pajisjet matëse të shpejtësisë – radarë në hyrje-dalje të qyteteve dhe në rrugët ndërqytetëse, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Në këtë drejtim, Policia Rrugore ka ndaluar një 24-vjeçar, i cili në mes të ditës voziste me shpejtësi 180 km/h në aksin TEG – Tiranë.

Me këtë shpejtësi, i riu rrezikonte jetën e vet dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, nisur edhe nga shtimi i fluksit të automjeteve për shkak të sezonit turistik, Policia Rrugore ka marrë masa shtesë, duke përdorur të gjitha metodat më efikase në këtë drejtim, monitorim të trafikut me radarë, kamera sigurie, punonjës policie civilë të pajisur me mjetet e nevojshme të kontrollit të trafikut si dhe patrulla shtesë në të gjitha akset rrugore.

Policia Rrugore u bën apel edhe njëherë gjithë drejtuesve të mjeteve, që të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore, të shmangin drejtimin e mjetit nën efektin alkoolit apo në gjendje te dehur, të moderojnë shpejtësinë dhe të vendosin rripin e sigurimit, t’u japin përparësi këmbësorëve dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara të cilat bëhen shkak për bllokim trafiku apo për aksidente të ndryshme me pasojë jetën.

Kurse, drejtuesve të motoçikletave u bëhet thirrje të vendosin kaskën mbrojtëse, të mos kryejnë manovra të rrezikshme në rrugë për të fituar kohë, apo të respektojne sistemet e semaforeve dhe të drejtën e kalimit të këmbësorëve.

E këmbësorëve, të respektojnë vijat e bardha, të kontrollojnë të dy kahet e rrugës përpara se të kalojnë, të respektojnë semaforin, kur kanë të drejtën e kalimit, gjithashtu të përdorin mbikalimet apo nënkalimet në rrugët ndërqytetëse.