Bernard Challandes

VIDEO - Bernard Challandes flet për ‘jetën e re’ të kombëtares së Kosovës

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka dalë sot para gazetarëve për të folur para dy ndeshjeve që Kosova i luan gjatë ditëve të ardhshme.

Më 21 mars, Kosova e pret në një ndeshje miqësore kombëtaren e Danimarkës, ndërsa katër dit ëmë vonë do të nisë fazën kualifikuese për kampionatin europian të vitit 2020.

“Për mua është një sfidë e vështirë sepse e kemi ndërruar ligën dhe kemi ekipe të një kualiteti tjetër. Nuk luajmë më kundër kundërshtarëve të Ligës D, por luajmë kundër ekipeve më të mira në Europë”, tha Challandes para gazetarëve.

“Është një garë e re, jetë e re për ekipin tonë. Për mua është shumë fazë interesante për zhvillimin e ekipit tonë. Vitin e kaluar kemi pasur sukses por për mua gjithçka fillon nga zero”, shtoi ai.

Challandes tha se fokusi kryesor i Kosovës është përgatitja për ndeshjen kualifikuese ndaj Bullgarisë më 25 mars.

“E kemi pranuar këtë lojë kundër Danimarkës sepse është një mundësi ta testojmë ekipin para garës. Ndeshja kundër Danimarkës nuk do të jetë thjesht miqësore por shumë më shumë. Për ne është nder të marrim ftesë të luajmë nga Danimarka, është ekipi i 10-të në botë’, tha ai.

“Për mua ka qenë e rëndësishme të luajmë këtu, e jo të udhëtojmë. Kremi pasur mundësi të luajmë kundër Gjermanisë në Gjermani apo kundër Argjentinës në Zvicër, por ka qenë e rëndësishme të luajmë këtu në Prishtinë”, tha përzgjedhësi i Kosovës në futboll.