‘Luftëtari’ Zidane do të ishte i duhuri për Chelsea

Ish kampioni i botës me Francën, Robert Pires, ka thënë se një tjetër francez do të ishte një shtesë e mirë për Premier League, shkruan Goal.com.

Francezi tashmë i pensionuar nga futbolli, e sheh Zidanen si pasues të shkëlqyeshëm të Maurizio Sarrit tek Chelsea.

“Është një situatë shumë e çuditshme me Chelsean se si i trajtojnë menaxherët e tyre. Sarri ëshë një menaxher shumë i mirë dhe ai bëri shumë mirë me Napolin, por është e vështirë ta shohësh prapë në Cheslea sezonin e ardhshëm. Mendoj se Zidane do të ishte i duhuri për Chelsean. Ai do të kërkonte respekt nga lojtarët e Chelsea si dhe do të kontrollonte dhomën e veshjeve, dhe rezultati i kësaj gjëje është suksesi që ai ka arritur si lojtar ashtu edhe si trajner”, citohet të ketë thënë Pires.

Pires ka thënë se Zidane është fitues dhe një luftëtar i vërtetë.

“Ai ka pasur sukses të madh në Ligën e Kampionëve, i cili është tërheqës për pronarin e Chelsea. Do të ishte një lajm shumë i mirë për Premier Leaguen nëse Zidane do të emërohej trajner i bluve”, ka vazhduar më tej Pires.

Francezi gjithashtu ka lavdëruar bashkëkombasin e tij Kylian Mbappe, duke thënë se ai do të jetë fitues i topit të artë të ardhshëm.