Lirohen Katër të Akuzuarit për Udhëtarët e Mbetur Pa Aeroplan

Dy zyrtarët e Ministrisë së Transportit dhe dy biznesmenët janë liruar nga akuzat për udhëtarët e mbetur në Aeroportin e Prishtinës.

Zyrtarët e Ministrisë së Transportit Nexhat Bala e Ismail Berisha janë shpallur të pafajshëm për akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Gjykata Themelore në Ferizaj i ka liruar nga akuza e mashtrimit edhe biznesmenët Sibush Haziri e Hamzi Rrahimi, ngase nuk ka gjetur elemente të kësaj vepreje penale gjatë shqyrtimin gjyqësor.

Edhe akuza për falsifikim u është vjetruar Hazirit e Rrahimit.

Në seancën e kaluar prokurori Ali Rexha kishte hequr dorë nga akuza për keqpërdorim detyre me të cilën ngarkoheshin tre punonjës të Bankës BpB.

10:43

Sot Pritet Vendimi në Rastin e Udhëtarëve të Mbetur në Aeroport

Në seancën e sotme në fillim do të paraqitet fjala përfundimtare e dy të akuzuarve dhe palës së dëmtuar.

Në gjykimin kundër 4 të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim, biznesmenët Sibush Haziri dhe Hamzi Rrahimi do ta paraqesin fjalën përfundimtare.

Këtë fjalë në seancën e kaluar e paraqitën të shkruar zyrtarët e Ministrisë së Transportit Nexhat Bala e Ismail Berisha.

Bala e Berisha akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa Sibush Haziri e Hamzi Rrahimi për mashtrim.

Përveç këtyre dy të fundit, fjalën përfundimtare pritet ta paraqesë edhe pala e dëmtuar.

Në këtë proces, të akuzuar ishin edhe Besnik Mustafa, Selajdin Ujkani e Shefqet Çerkini, të tre punonjës të Bankës BpB, por në seancën e 14 tetorit prokurori Ali Rexha hoqi dorë prej ndjekjes penale të tyre, me arsyetimin se gjatë shqyrtimit gjyqësor të deritashëm nuk u gjetën prova fajësie për ta.

Gjykimi lidhet me 1 mijë e 600 udhëtarët të cilëve në vitin 2009 nuk u erdhi aeroplani për t’i dërguar në Gjermani, ndërsa ata mbetën në hapësirat e Aeroportit të Prishtinës.

Ky gjykim, përpos rastit të udhëtarëve të mbetur pa fluturim, tërhoqi vëmendjen e mediave edhe për shkak se njëri nga të akuzuarit ishte Besnik Mustafa, djali i kryeministrit aktual.