'Stenda 2' veçohet procedura ndaj të akuzuarit Masar Gashi

Mungesa e të akuzuarit Masar Gashi, bëri që të veçohet seancat gjyqësore ndaj tij.

Sipas prokurorisë prej datës 01.01.2011 deri me datën 31.12.2015, Masar Gashi, Gani Bajraktari, Sami Xhoka, Faik Shatri, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj,  Arlind Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, duke vepruar në cilësinë e mjekëve në ShSKUK në Prishtinë, i kanë  keqpërdorur pozitat e tyre duke i tejkaluar kompetencat, dhe u kanë lëshuar pacientëve letra referuese për trajtim jashtë institucioneve publike.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në Rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e mjekut pasi i kanë referuar pacientët ne spitalet private “IMH” dhe “EDA”, kanë marrë ryshfet dhe atë për çdo pacient të referuar kanë marrë nga 500 euro ndërsa për koronarografi kanë marrë nga 150 euro.

Avokati Sefer Morina, mbrojtës i të akuzuarit Masar Gashi me njoftimin e datës 22 janar kishte informuar gjykatën se i akuzuari Gashi gjendet në regjim shtrati dhe njëkohësisht kishte kërkuar që seancat e datës 23 dhe 24 janar të shtyhen për data tjera.

Sipas kësaj, parashtrese avokati nuk kishte kërkuar veçimin e procedurës, por shtyrjen e seancave të lartcekura.

Gjithashtu, në seancën e sotme mungoi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Sefer Morina, i cili duhej të deklarohej rreth veçimit të procedurës penale.

Gjykata kërkoi mendimin e prokurores Florije Shamolli për ta veçuar seancën ndaj të akuzuarit Gashi. E njëjta u deklarua se nuk është pengesë për veçimin e procedurës por fillimisht kërkoi të merret mendimi i ekspertit për kohëzgjatjen e gjendjes shëndetësore e pastaj të vendoset për veçim.

Ndërsa në lidhje me veçimin e procedurës penale ndaj të akuzuarit Gashi, u deklarua edhe i akuzuari Nexhmi Zeqiri, i cili tha se duhet m`u dëgju mendimi i mjekëve.

Por gjykata mori vendim me të cilin e veçoi procedurën ndaj të akuzuarit Masar Gashi në mungesë të mbrojtësit të tij, avokatit Sefer Morina.

“Gjykata  aktvendimin për veçimin e procedurës penale e merr pas dëgjimit të palëve dhe mbrojtësit”, tha gjykatësja Shadije Gërguri.

Në seancën e sotme mungoi avokati Sefer Morina, duke i humbur e drejta për t`u deklaruar lidhur me këtë veçim.

Seanca do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit Shaban Ballazhi.