Foto: KALLXO.com

Shtyhet gjykimi i dy policëve që akuzohen për 40 pako me dredhëza

Mungesa e përfaqësuesit të Zyrës Ligjore të Doganës së Kosovës ka bërë që të shtyhet seanca ndaj dy policëve, Ismet Deva dhe Bit Shala, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Përfaqësuesi i Doganës ishte thirrur që të dëshmojë rreth caktimit të vlerave të sendeve të padoganuara me qëllim të sqarimit të saktë të vlerës së shmangies nga detyrimi doganor.

Si shkak i kësaj mungese, prokurori Ramiz Buzhala i propozoi Gjykatës që seanca të shtyhej me qëllim që të sigurohet prezenca e ndonjërit prej përfaqësuesve të Doganës.

Ndërsa trupi gjykues duke shtyrë seancën në kohë të pacaktuar vlerëso që së pari të sigurohet prezenca e përfaqësuesit të Doganës ose prova mbi lartësinë e dëmit të shkaktuar buxhetit të Kosovës të bërë me shkrim nga ana e tij, e më pas të caktohet seanca e radhës.

Në seancën e kaluar është dëgjuar udhëheqësi i pikës së kalimit kufitar Qafë-Morinë bashkë me dy dëshmitarë të tjerë.

Gjykimi i dy policëve për 40 pako me dredhëza, dëshmitari thotë se të gjitha i kishte për nevoja të familjes

Dy zyrtarët policorë, Ismet Deva dhe Bit Shala, po akuzohen nga Prokuroria për  veprën penale të keqpërdorimit të pozitës së tyre zyrtare, duke lejuar kalimin e mallrave pa regjistrimin e tyre.

Në muajin maj, policët kishin kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë duke kërkuar që të hidhet si e pabazuar.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

Ismet Deva dhe Bit Shala ishin deklaruar të pafajshëm pranë Gjykatës së Gjakovës.

Gjakovë: Policët akuzohen për 40 pako dredhëza

Ismet Deva dhe Bit Shala po akuzohen se në pikën kufitare Qafë-Prush, duke mos qenë kompetentë kanë lejuar hyrjen e mallrave, duke i shkaktuar dëm material Kosovës me vlerë 564.60 euro.

Prokuroria pretendon se në prill të vitit 2018, duke qenë në cilësinë e zyrtarëve policorë në pikë-kalimin kufitar Qafë-Prush kanë lejuar hyrjen e mallrave komerciale.

Sipas aktakuzës, dy zyrtarët policorë kishin lejuar që dy automjetet e ngarkuara me mallra komerciale të hynin në territorin e Kosovës, duke mos i regjistruar në sistemin SIMS.

Në aktakuzë thuhet se automjetin e parë të ngarkuar me perime dhe fruta të ndryshme e drejtonte Muhamet Tahiri, ndërsa automjetin e dytë i cili kishte 40 kuti me dredhëza, e drejtonte Bajram Gjoka.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në atë kohë dhe në atë pikë kalimi kufitar nuk kishte oficer doganor si kompetent për të lejuar hyrjen e mallrave.

Mirëpo këto mallra janë lejuar që të hynin nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, duke i shkaktuar shtetit të Kosovës dëm material në shumë prej 564.60 euro.