Gjykimi i dy policëve për 40 pako me dredhëza, dëshmitari thotë se të gjitha i kishte për nevoja të familjes

Në gjykimin e dy policëve Ismet Deva dhe Bit Shala, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sot u dëgjuan tre dëshmitarë.

Udhëheqësi i kalimit kufitar Qaf-Morinë, Roland Frrokaj tregoi se për detyrë e kishte menaxhimin me njerëz dhe me procedura.

“Kalimi kufitar nuk është vend për me zhdoganu mallra komerciale, por mallra të natyrës personale dhe se vlera e mallrave të natyrës personale lejohet deri në shumën deri 175 euro”, deklaroi dëshmitari Roland Frrokaj.

Frrokaj tregoi se i vetmi autoritet për lejimin e mallrave komerciale aty është autoriteti doganor i Kosovës ose Dogana e Kosovës.

“Ky autoritet nënkupton zyrtarët doganor dhe në rastet kur kemi mall të natyrës komerciale policia duhet ta njoftoj autoritetin doganor d.m.th. zyrtarin”, deklaroi ai.

Dëshmitari Roland Frrokaj, nuk u përgjigj në pyetjen e prokurorit Ramiz Buzhala, se 40 pako me dredhëza a mund të konsiderohen për nevoja personale?!

Ai tregoi se varësisht prej llojit të mallit Shqipëria paguan vetëm tvsh.

“Ata paguajnë vetëm tvsh 18%, po jo edhe taksat doganore”, deklaroi udhëheqësi i kalimit kufitar Roland Frrokaj.

Më pas dëshmuan edhe dy personat që ishin ndaluar nga zyrtarët me veturat e tyre në pikë kalimin kufitar Qaf-Prush.

I pari që dëshmoi ishte Muhamet Tahiri, i cili tregoi se merret me kultivim të luleve.

“Kur kam arrit në pikën kufitare më kujtohet që ka qenë mbrëmje me shi, kam pasur lule dekorative për të cilat doganierët më kanë thënë që nuk doganohen”, deklaroi dëshmitari Muhamet Tahiri.

Ai tregoj se kishte dëgjuar nga policët duke thënë që “ka ra sistemi”.

“Policët zyrtar nga xhami i veturës e kanë kontrolluar vetëm me sy, por jo edhe brenda”, deklaroi Tahiri.

Ai tha se kishte paguar 200 euro për automjetin që i kishte qëndruar në terminal.

“Pas gjashtë ditëve kam bërë kërkesë për m`u liru automjeti, ta blej mallin tim prapë dhe ta paguaj kundërvajtjen. Lulet nuk kanë pasur doganë, ndërsa malli tjetër personal ka qenë shumë pak për të paguar”, deklaroi Muhamet Tahiri.

“Malli nuk është konfiskuar, por malli është asgjësuar sepse lulet janë prishur”, tha ai.

Ai tha se ka paguar 100 euro gjobë kundërvajtëse.

“Na i kemi mashtru policët, sepse më fajtorë jemi ne se sa këta, sepse ne i kemi thënë hajt se `ka kurrgjë”, tregoi Muhamet Tahiri.

Muhamet Tahiri tha se nuk i kujtohej nëse kishte parë zyrtarë doganor në kufirin Qaf-Prush.

Në këtë gjykim dëshmoi edhe Bajram Gjoka, i cili tregoi se merret me bujqësi dhe blegtori.

“Deri tash kemi qenë në bashkësi 60 anëtarë të familjes dhe dredhëzat i kam pasur për familjen e jo për tregti”, deklaroi Bajrami.

“Kur kam kaluar në kufirin Qaf-Prush kam qenë me veturën ‘pikup’ dhe kam pasur 30 ose 40 pako dredhëza rreth 100 kg, me vlerë rreth 145 ose 150 euro”, deklaroi dëshmitari Bajram Gjoka.

Ai tha se kishte kaluar dhe ishte kontrolluar nga zyrtarët policorë.

Bajram Gjoka tha se kishte paguar 400 euro kundërvajtje doganore.

Më pas prokurori Ramiz Buzhala, i propozoi gjykatës që të ftohet përfaqësuesi i doganës për caktimin e vlerave të sendeve të padoganuara, me qëllim të sqarimit të saktë të vlerës së shmangies nga detyrimi doganor.

Ndërsa trupi gjykues me kryetarin Shaqir Zika dhe anëtarët Gëzim Pozhegu dhe Besarta Doli, aprovuan propozimin e prokurorit, për thirrjen e përfaqësuesit të Doganës.

Seanca e radhës u caktua të mbahej me 23 gusht.

Dy zyrtarët policorë Ismet Deva dhe Bit Shala, po akuzohen nga Prokuroria për  veprën penale të keqpërdorimit të pozitës së tyre zyrtare, duke lejuar kalimin e mallrave pa regjistrimin e tyre.

Në muajin maj, policët kishin kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë duke kërkuar që të hedhet si e pabazuar.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët  për këtë rast.

Ismet Deva dhe Bit Shala ishin deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.

https://kallxo.com/gjakove-policet-akuzohen-per-40-pako-dredheza/

Ismet Deva dhe Bit Shala, po akuzohen se në pikën kufitare Qaf-Prush, duke mos qenë kompetent kanë lejuar hyrjen e mallrave, duke i shkaktuar dëm material buxhetit të shtetit në vlerë 564 euro.

Prokuroria pretendon se në Prill të 2018, duke qenë në cilësinë e zyrtarëve policorë në pikë kalimin kufitar Qaf-Prush kanë lejuar hyrjen e mallrave komerciale.

Sipas aktakuzës, dy zyrtarët policorë kishin lejuar që dy automjetet e ngarkuara me mallra komerciale të hynin në territorin e Kosovës, duke mos i regjistruar në sistemin SIMS.

Në aktakuzë thuhet se automjetin e parë të ngarkuar me perime dhe fruta të ndryshme e drejtonte Muhamet Tahiri, ndërsa automjetin e dytë i cili kishte 40 kuti me dredhëza, e drejtonte Bajram Gjoka.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në atë kohë dhe në atë pik kalimi kufitar nuk kishte oficer doganor si kompetent për të lejuar hyrjen e mallrave.

Mirëpo këto mallra janë lejuar që të hynin nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, duke i shkaktuar shtetit të Kosovës dëm material në shumë prej 564.60 euro.