Dëshmitarët rrëfejnë për vrasjen e gushtit të 2018 në Malishevë, për të cilën akuzohen nënë e bijë
Nafije Rrafshi dhe Behare Nura, nënë e bijë të akuzuara për vrasjen e Sefer Berishës, kanë dalur sot para gjykatës për t’u përballur me dëshmitarë.
Dëshmitari Sali Morina, tregoi që bashkë me Bajrush Hotin, Sami Kafexhollin dhe Shqipron Shalën ishin nisur në një të pame dhe rrugës kishin vërejtur një makinë me shpejtësi të madhe.
Në këtë makinë me shpejtësi të madhe, dëshmitari Sali Morina tha se aty mund të kenë qenë dy ose tre persona, por për një gjë të tillë ai tha se nuk është i sigurt, sepse sipas tij mund të kenë qenë edhe më shumë.
“Rrugës për në fshatin Lladrovc të komunës së Malishevës, kemi vërejtur një makinë me shpejtësi të madhe, kur kemi ecur edhe pak kemi vërejtur një makinë tjetër të ndalur por duke qitur tym dhe kemi dalë për të shikuar mos është aksidentuar dikush. Shqipron Shala ka vrapuar ka hapur derën, ndërsa unë e kam fikur makinën në qelës dhe nuk kemi prekur asgjë tjetër derisa ka ardhur Policia”, deklaroi dëshmitari Sali Morina.
Ai tha se e ka parë një person të panjohur të gjakosur dhe pak më tej kishin parë një orë dore.
Sali Morina tregoi që as Policia e as Prokuroria nuk e kishin thirrur për të dhënë deklaratë.
Më pas, dëshmitari Sami Kafexholli tregoi që bashkë me tre kolegët e tij kishin qenë duke shkuar për ngushëllime në fshatin Lladrovc, kur rrugës e kishin parë makinën dhe e kemi thirrur Policinë.
Ai tha se dera e djathtë e pasagjerit tek makina, kishte qenë e hapur, por që nuk ishte afruar të shikonte më shumë.
Dëshmitari Sami Kafexholli, tha se askush prej tyre nuk e kishte prekur makinën.
Ai tha se makina kishte qenë e ndezur por e ndalur në vend dhe se sipas kujtesës së tij asnjëri prej tyre nuk kishte shkuar për ta ndalur.
Kafexholli, tregoi që Policia e kishte kontaktur në telefon, por që nuk e kishin ftuar për të dhënë deklaratë.
“Policia më ma thanë në qoftë se kemi nevojë për intervistë do të iu informojmë”, deklaroi dëshmitari Sami Kafexholli.
Ai tha se e kishte njohur të ndjerin Sefer Berisha, pasi që e kishte fqinj me fshat, por që nuk ishte në dijeni nëse kishte ndonjë problem me dikë.
Ndërsa, dëshmitari Astrit Zylfaj tregoi që atë ditë që kishte ndodhur vrasja, Policia i kishte shkuar në vendin e tij të punës në pompën e derivateve “Toni Petrol”, për ta pyetur me foto nëse një makinë e tipit Alfa Romeo kishte qenë aty për t`u furnizuar.
Zylfaj, tregoi që ajo makinë ishte furnizuar në atë pompë, por që nuk i kujtohej se kush kishte qenë brenda, nëse kishte qenë femër apo mashkull.
Ai tha se Policia i kishte marrë kamerat e sigurisë dhe i njëjti ishte marrë në pyetje vetëm në Polici.
Trupi gjykues me kryetar Shaqir Zika dhe anëtarë Besarta Doli dhe Manduhije Syla, njoftuan se zyrtarisht kanë kuptuar që dëshmitari Faton Zabelaj gjendet jashtë Kosovës, në Kroaci.
Kujtojmë se Faton Zabelaj, djali i të akuzuarës Nafije Rrafshi në fillim të kësaj qështje penale ishte marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit.
Prokurori Ali Uka, ia la në vlerësim të gjykatës sigurimin e prezencës së dëshmitarit Zabelaj, pasi që deklarata e tij si i dyshuar nuk mund të lexohet.
Ndërsa, mbrojtësi i palës së dëmtuar avokati Emrush Kastrati, sigurimin e prezencës së tij e konsideroi të rëndësishme që të dëgjohet si dëshmitar.
Poashtu, avokati Emrush Kastrati propozoi që të dëgjohet dëshmitari Fadil Berisha, i cili ka qenë prezent me dëshmitarin Astrit Zylfaj në pompë të derivateve si dhe dëshmitarët Fatmir Zabelaj dhe Zize Zabelaj, për të treguar se kush i ka kontaktuar në telefon.
Sa i përket thirrjeve telefonike të tani të ndjerit Sefer Berisha të nxjerrura, avokati Emrush Kastrati tha që raporti nuk është i plotë, është i njëanshëm dhe me ndërhyrje në CD-në ku janë nxjerrë thirrjet telefonike, poashtu ai tha se duhet ftuar edhe hetuesit policor Edmond Jakupaj dhe Hajdar Sadiku, për të treguar rreth hetimit të rastit.
“Prej 457 thirrjeve, asnjë thirrje nuk ekziston në ditën kritike, që është e çuditshme, këtu ka pasur një hetim seleksionues, jo të drejtë dhe jo transparent, ngase këto thirrje nuk janë kërkuar menjëherë”, tha avokati Kastrati.
Në anën tjetër, trupi gjykues e aprovoi propozimin që si dëshmitar të ndëgjohen Fatmir dhe Zize Zabelaj bashkë me propozimin për dëgjimin e zyrtarëve policor, ndërsa u refuzua dëgjimi i Fadil Berishës, si dhe për dëgjimin e Faton Zabelaj gjykata tha se do të bëjë përpjekje për sigurimin e prezencës së tij.
Vazhdimi i gjykimit do të vazhdojë me datat 14 dhe 15 qeshor.
Në këtë rast, kishin dëshmuar edhe ekspertët.
Procedura ndaj Nafije Rrafshit kishte filluar në vitin 2018, ndërsa më pas si e dyshuar kishte dalë edhe vajza e saj në vitin 2020.
Në këtë rast, pas propozimit të prokurorit Ali Uka, ishin bashkuar të dyja lëndët, pasi që të akuzuarat akuzoheshin për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje.
Sipas Prokurorisë, përmes aktakuzës së ngritur në muajin janar 2019, kjo ngjarje ka ndodhur për arsye ende të panjohura për ata.
Ky rast, dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Habib Zogaj” në Malishevë, me 8 gusht të vitit 2018, për motive ende të panjohura.
Nafije Rrafshi ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit 2018, ndërsa Behare Nura që nga dhjetori i vitit 2019.
Prokuroria thotë se ky veprim është bërë me revolen e tipit TT kalibër 7.62 mm.
Fillimisht, Nafije Rrafshi e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishës dhe për armëmbajtje pa leje, ishte deklaruar e pafajshme për vrasjen ndërsa kishte pranuar se kishte mbajtur armë pa leje.
Aktakuza shpjegonte se Nafije Rrafshi në fshatin Lladrovc të Malishevës, kishte vrarë tani të ndjerin Sefer Berishën 57 vjeçar.
Në aktakuzë thuhej se derisa Sefer Berisha ishte duke e vozitur automjetin e tij të udhëtarëve dhe ndalet në një breg në afërsi të një pylli, e pandehura Nafije shkon dhe i ulet në ulësen e pasme.
Aktakuza thoshte, se pas një fjalosjeje dhe kacafytje, e akuzuara kishte nxjerrë revolen nga çanta e saj dhe e kishte qëlluar të ndjerin disa herë, e më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.