Dy zyrtarët policor Ismet Deva dhe Bit Shala, para Gjykatës - 13.04.2019

Gjakovë: Policët akuzohen për 40 pako dredhëza

Dy zyrtarët policor Ismet Deva dhe Bit Shala, të akuzuar nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës së tyre zyrtare, u deklaruan të pafajshëm para Gjykatës.

“Jemi të pafajshëm”, ishin deklarimet e tyre pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala.

Ismet Deva dhe Bit Shala, po akuzohen se në pikën kufitare Qaf-Prush, duke mos qenë kompetent kanë lejuar hyrjen e mallrave, duke i shkaktuar dëm material Kosovës me vlerë 564.60 euro.

Ndërkaq gjykatësi Shaqir Zika, caktoi datën 20 maj duke ju dhënë të drejtë të pandehurve që t’i kundërshtojnë provat e aktakuzës.

Prokuroria pretendon se në Prill të 2018, duke qenë në cilësinë e zyrtarëve policorë në pikë-kalimin kufitar Qaf-Prush kanë lejuar hyrjen e mallrave komerciale.

Sipas aktakuzës, dy zyrtarët policor kishin lejuar që dy automjetet e ngarkuara me mallra komerciale të hynin në territorin e Kosovës, duke mos i regjistruar në sistemin SIMS.

Në aktakuzë thuhet se automjetin e parë të ngarkuar me perime dhe fruta të ndryshme e drejtonte Muhamet Tahiri, ndërsa automjetin e dytë i cili kishte 40 kuti me dredhëza, e drejtonte Bajram Gjoka.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në atë kohë dhe në atë pikë-kalim kufitar nuk kishte oficer doganor si kompetent për të lejuar hyrjen e mallrave.

Mirëpo këto mallra janë lejuar që të hynin nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, duke i shkaktuar shtetit të Kosovës dëm material në shumë prej 564.60 euro.