Pamje nga seanca e sotme e gjykimit për vrasjen e Sefer Berishës - Foto: KALLXO.com

Nënë e bijë përballen me dëshmitarë në gjykimin e tyre për vrasjen e Sefer Berishës

Nafije Rrafshi dhe Behare Nura, nënë e bijë, të akuzuara për vrasjen e Sefer Berishës, kanë dalë sot para Gjykatës së Gjakovës, ku kanë dëshmuar ekspertë të mjekësisë ligjore e të armëve, si dhe e bija e të akuzuares së parë.

Eksperti i balistikës, Ilir Kukaj, tregoi që pistoleta e eksperimentuar është prodhim kinez, me gjuajtje gjysmëautomatike dhe se e njëjta ishte armë me gaz por që i ishte ndryshuar kategoria në armë zjarri.

Ai tha se janë gjetur 3 gëzhoja në vendin e ngjarjes, një prej tyre brenda veturës.

Eksperti tregoi se gjatë gjuajtjes vetura mund të ketë qenë duke lëvizur por duke mos e përjashtuar edhe mundësinë që është gjuajtur nga brenda veturës pasi që një gëzhojë është gjetur brenda veturës.

Më pas, eksperti i mostrave të ADN-së, Lutfi Ismajli, tregoi që njollat e gjakut në trupin e të ndjerit janë përputhur me mostrën e po të njëjtit.

Milazim Tahirukaj, eksperti i grimcave të barutit, eksplozivit dhe zjarrvënies tregoi që gjurmët e grimcave të barutit tek personat që janë në lëvizje qëndrojnë 8 orë, ndërsa te personat që nuk lëvizin deri në 48 orë.

Ndërsa, vajza e të akuzuares Nafije Rrafshi, dëshmitarja Adelina Zabelaj, tregoi që armën me të cilën është vrarë i ndjeri, nëna e saj e kishte sjellë në shtëpinë ku ajo kishte jetuar me burrin e saj Granit Alushanin, me arsyetimin se i kishte mbytur disa qen.

“Nëna ime së pari më ka pyetur ku është Graniti, burri im, dhe më ka dhënë armën, të cilën e kishte pa leje dhe pas disa ditësh nëna ime kishte shkuar në vendin ku punon Graniti dhe i kishte thënë që armën ta fshehë, mirëpo Graniti i kishte thënë që s’kam ku me e fsheh dhe i kishte thënë: hajde merre armën”, deklaroi dëshmitarja Adelina Zabelaj.

Ajo tha që për vrasjen e Sefer Berishës e kishte kuptuar pas arrestimit të nënës së saj, Nafije Rrafshit dhe se arma te shtëpia e saj kishte qëndruar rreth dy javë para arrestimit.

Dëshmitarja Adelina Zabelaj tregoi se shumë vonë e kishte kuptuar se ish-bashkëshorti i saj, Granit Alushani, ia kishte gjetur nënës së saj shitësin e armës.

Ndërsa, eksperti mjeko-ligjor, Arsim Gërxhaliu, tregoi që në të ndjerin është gjuajtur nga jashtë.

Ai tha se nuk përjashtohet që vetura të ketë qenë e ndalur por që në vendin e ngjarjes kishin vërtetuar se kishte pasur lëvizje dhe ndalje të pazakontë.

Gërxhaliu tha se stërpikat e gjakut kanë shkuar në drejtim të dritares nga ana e djathtë që do të thotë se gjuajtja më shumë ka ndodhur nga jashtë veturës.

Në fund të seancës, avokati i palës së dëmtuar, Emrush Kastrati, propozoi që të dëgjohen dëshmitarët Astrit Zylfaj, Bajrush Hoti, Shqipron Shala, Sali Morina dhe Sami Hadërgjonaj, me arsyetimin se këta janë personat e parë që kanë hasur në veturën e ndezur të viktimës, që të njëjtit kanë lajmëruar Policinë, e po ashtu të nxirren thirrjet telefonike që i ka bërë viktima dhe të ftohet përpiluesja e ekspertizes së ADN-së, Hidajete Muharremi dhe si dëshmitar të dëgjohet djali i të akuzuares Nafije Rrafshi, Faton Zabelaj.

Për këto propozime, prokurori i çështjes Ali Uka deklaroi se në parim i kundërshton por që të njëjtat i la në vlerësim të Gjykatës.

Ndërkaq, Gjykata aprovoi propozimet e avokatit Emrush Kastrati, me përjashtim të propozimit që të ftohet ekspertja Hidajete Muharremi, pasi që sot eksperti Lufti Ismajli dha dëshminë e tij.

Ndërsa, për nxjerren e thirrjeve telefonike, Gjykata fillimisht kërkoi nga prokurori i çështjes Ali Uka që të interesohet nëse deri tashmë është bërë ekzaminimi i atyre numrave.

Datat 11 dhe 12 maj u caktuan për mbajtjen e seancave të radhës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për kërë rast.

https://kallxo.com/lajm/nene-e-bije-perballen-me-deshmitare-per-vrasjen-e-sefer-berishes-ne-malisheve/

Procedura ndaj Nafije Rrafshit kishte filluar në vitin 2018, ndërsa më pas si e dyshuar kishte dalë edhe vajza e saj në vitin 2020.

E akuzuara Nafije Rrafshi kishte pranuar që këtë vrasje e kishte kryer vetëm sepse sipas saj viktima e kishte detyruar për vetëmbrojtje, por jo në bashkëkryerje me vajzën e saj siç pretendon Prokuroria. Ndërsa e akuzuara Behare Nura ishte deklaruar e pafajshme, duke thënë që ajo kishte qenë vetëm dëshmitare.

Në këtë rast, pas propozimit të prokurorit Ali Uka ishin bashkuar të dyja lëndët pasi që të akuzuarat akuzoheshin për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje.

Ky rast dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Habib Zogaj” në Malishevë, më 8 gusht të vitit 2018, për motive ende të panjohura.

Nafije Rrafshi ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit 2018, ndërsa Behare Nura që nga dhjetori i vitit 2019.
KALLXO.com kishte raportuar kur të njëjtit janë arrestuar nga ana e Policisë.