Gjykimi për vrasjen e Sefer Berishës FOTO- Tringa Rruka/KALLXO.com

Dëshmitarët rrëfejnë si e gjetën trupin e pajetë në veturën e braktisur në Malishevë

Nafije Rrafshi dhe Behare Nura, nënë e bijë të akuzuara për vrasjen e Sefer Berishës, kanë dalur sot para gjykatës për t’u përballur me dëshmitarë.

Dëshmitari Bajrush Hoti, tregoi që ditën e vrasjes së Seferit, me disa shokë të tij kishte qenë duke shkuar në një të pame në fshatin Lladrovc, ku kishte vërejtur një makinë e cila kishte lëvizje jonormale.

“Në një tubë të zhavorit ka qenë makina e ndezur por i ndalur aty dhe rrotat ishin duke u sjellur në vend. Ne kemi shkuar ta shohim dhe e kemi thirrur Policinë”, deklaroi dëshmitari Bajrush Hoti.

Ai tha se njëri nga ata e kishte fikur veturën dhe aty e “kishin parë një viktimë” (person pa vetëdije) me kokën nga ana e pasagjerit dhe dera e përparme e pasagjerit kishte qenë e hapur.

Bajrush Hoti, tregoi që gjatë rrugës kishte parë një veturë me shpejtësi jonormale për kthesat që ishin, por që nuk e kishte vërejtur se çfarë tipi ka qenë.

“Ndërsa afër rrotës së makinës kam vërejtur një orë të pluhurosur”, deklaroi Hoti.

Më pas dëshmitari Shqipron Shala, tregoi që bashkë me Bajrush Hotin, Sali Morinën dhe Sami Kafexhollin kishin qenë duke shkuar në Lladrovc dhe rrugës kishin vërejtur një makinë të ndalur në vend, por rrotat e saj duke u rrotulluar me tym.

Ai tha se kishte vrapuar tek makina dhe e kishte parë një person pa vetëdije dhe tek xhami i derës së shoferit që kishte qenë i thyer, e kishte ndalur makinën.

Shqipron Shala, tregoi që kishte parë edhe një orë dore, diku rreth 10 metra larg veturës.

Ai tha se deklaratën gojore për Policinë e kishte dhënë  në një restaurant “Pajtimi” në Malishevë, pa deklaratë të shkruar.

Gjykata njoftoi palët se Faton Zabelaj-djali i të akuzuares Nafije Rrafshi, gjendet në Kroaci me letra apo dokumente jo të rregullta, gjë që e pamundëson që i njëjti të procedohet.

Ndërkaq, trupi gjykues me kryetar Shaqir Zika dhe anëtarë Besarta Doli dhe Manduhije Syla, tha se do të obligojë Stacionin Policor në Malishevë që të verifikojë se ku gjindet personi Faton Zabelaj.

Ndërsa, ndaj dëshmitarit Astrit Zylfaj u propozua që të lëshohet urdhëresë për sjelljen e tij në gjykatë, e cila edhe u aprovua.

Në anën tjetër, prokurori Ali Uka tregoi që janë siguruar thirrjet telefonike të viktimës, nga dy telefonët e tij, ku njëri prej tij kishte qenë jashtë funksionit.

Thirrje këto për të cilat palët do të deklarohen gjatë ditës së nesërme, pasi që të njëjtit e pranuan raportin e tyre.

Në seancën e kaluar kishin dëshmuar ekspertët.

Procedura ndaj Nafije Rrafshit kishte filluar në vitin 2018, ndërsa më pas si e dyshuar kishte dalë edhe vajza e saj në vitin 2020.

E akuzuara Nafije Rrafshi, kishte pranuar që këtë vrasje e kishte kryer vetëm, sepse sipas saj viktima e kishte detyruar për vetmbrojtje, por jo në bashkëkryerje me vajzën e saj siç pretendon Prokuroria. Ndërsa e akuzuara Behare Nura ishte deklaruar e pafajshme, duke thënë që ajo kishte qenë vetëm dëshmitare.

Në këtë rast, pas propozimit të prokurorit Ali Uka, ishin bashkuar të dyja lëndët, pasi që të akuzuarat akuzoheshin për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje.
Ky rast dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Habib Zogaj” në Malishevë, me 8 gusht të vitit 2018, për motive ende të panjohura.

Nafije Rrafshi ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit 2018, ndërsa Behare Nura që nga dhjetori i vitit 2019.

Fillimisht, Nafije Rrafshi e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishës dhe për armëmbajtje pa leje, ishte deklaruar e pafajshme për vrasjen ndërsa kishte pranuar se kishte mbajtur armë pa leje.

Sipas Prokurorisë, përmes aktakuzës së ngritur në muajin janar 2019, kjo ngjarje ka ndodhur për arsye ende të panjohura për ata.

Aktakuza shpjegonte se Nafije Rrafshi në fshatin Lladrovc të Malishevës, kishte vrarë tani të ndjerin Sefer Berishën 57 vjeçar.
Në aktakuzë thuhej se derisa Sefer Berisha ishte duke e vozitur automjetin e tij të udhëtarëve dhe ndalet në një breg në afërsi të një pylli, e pandehura Nafije shkon dhe i ulet në ulësen e pasme.

Aktakuza thoshte, se pas një fjalosjeje dhe kacafytje, e akuzuara kishte nxjerrë revolen nga çanta e saj dhe e kishte qëlluar të ndjerin disa herë, e më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.