Nënë e bijë përballen me dëshmitarë për vrasjen e Sefer Berishës në Malishevë

Nafije Rrafshi dhe Behare Nura, nënë e bijë të akuzuara për vrasjen e Sefer Berishës, kanë dalë sot para gjykatës për t’u përballur me dëshmitarë.

Fillimisht, u dha fjala hyrëse, e më pas i pari që dëshmoi djali i viktimës, Muhamet Berisha.

Ndërkohë, mbrojtësi i palës së dëmtuar avokati Emrush Kastrati, i propozoi gjykatës që të nxirren thirrjet telefonike që i ka bërë i ndjeri para se të vdiste.

Dëshmitari Muhamet Berisha, i qëndroi pranë të gjitha deklaratave që i ka dhënë deri më tash, duke kërkuar që në këtë rast të bëhet një hetim më profesional.

Ai tha se askush prej familjes së të akuzuarës Nafije Rrafshi, nuk e kishte thirrur në telefon.

Ndonëse, e akuzuara Nafije Rrafshi deklaroi se dy herë e kishte thirrur në telefon të akuzuarin Mehmet Berisha, mirëpo ai i mohoi telefonatat.

Më pas, dëshmitari Avdi Zabelaj tha që nuk ka asgjë më tepër që të deklarojë për këtë raste, përveç atyre deklaratave që i ka dhënë më herët.

Ai tha se nuk e kishte njohur të ndjerin Sefer Berisha, por që i njëjti e kishte thirrur dhe dërguar mesazhe në telefon për çështje familjare të vëllait Avdylit, duke mos u prezantuar se kush është.

“Mesazhet e këtij Seferit, unë ia kam përcjellë djalit të vëllait Fatonit dhe ai mandej nuk e di çfarë veprime ka ndërmarrë me familjen e tij”, deklaroi dëshmitari Avdi Zabelaj.

Dëshmitari tjetër, kushëriri i të ndjerit Sefer Berisha, Nehbi Berisha tha që nuk ishte në dijeni që i afërmi i tij kishte ndonjë problem me ndonjë person, pasi që i njëjti ishte takuar me të disa ditë para vrasjes së tij.

Ai tregoi që dy të akuzuarat nuk i njeh dhe as që kishte dëgjuar më parë që i ndjeri kishte ndonjë lidhje me të akuzuarën Nafije Rrafshi.

Edhe dëshmitari Naser Berisha, vëllai i viktimës Sefer, tregoi që raportet me vëllain e tij i kishte pasur të mira dhe se nuk kishte qenë në dijeni se i njëjti kishte pasur ndonjë problem.

Ai tha që 1 vit ose më shumë para rastit të ndodhur, një femër e ka thirrur në telefon, por e njëjta nuk i ishte prezantuar.

“Ajo femër më ka thënë që t’i them vëllait tim që mos ta thirrë në telefon sepse po e pengon”, deklaroi dëshmitari Naser Berisha.

Ai tregoi se gjatë telefonatës kishte vërejtur zëra të dy femrave duke komunikuar mes vete.

Trupi gjykues prej Shaqir Zika, Besarta Doli dhe Manduhije Syla caktuan datën 12 prill, për dëgjimin e dy dëshmitarëve të tjerë dhe ekspertëve.
Procedura ndaj Nafije Rrafshit kishte filluar në vitin 2018, ndërsa më pas si e dyshuar kishte dalë edhe vajza e saj në vitin 2020.

E akuzuara Nafije Rrafshi, kishte pranuar që këtë vrasje e kishte kryer vetëm, sepse sipas saj viktima e kishte detyruar për vetëmbrojtje, por jo në bashkëkryerje me vajzën e saj siç pretendon Prokuroria. Ndërsa e akuzuara Behare Nura ishte deklaruar e pafajshme, duke thënë që ajo kishte qenë vetëm dëshmitare.

Në këtë rast, pas propozimit të prokurorit Ali Uka, ishin bashkuar të dyja lëndët, pasi të akuzuarat akuzoheshin për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje.

Ky rast, dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Habib Zogaj” në Malishevë, me 8 gusht të vitit 2018, për motive ende të panjohura.

Nafije Rrafshi ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit 2018, ndërsa Behare Nura që nga dhjetori i vitit 2019.

Vrasja e 57 vjeçarit

“Me të vërejtur veturën e të ndjerit, Nafije Rrafshi bashkë me Behare Nura i afrohen veturës së tani të ndjerit, të cilën veturë e kishte lënë në afërsi të një pylli dhe njëra nga të akuzuarat gjuan në drejtim ku ishte i ulur i ndjeri, duke e qëlluar atë në anën e majtë në qafë, kokë dhe veshin e djathtë, duke e privuar të njëjtin nga jeta, dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, thuhet sipas Prokurorisë.

Prokuroria thotë se ky veprim është bërë me revolen e tipit TT kalibër 7.62 mm.

KALLXO.com kishte raportuar kur të njëjtit janë arrestuar nga ana e Policisë.

Akuza ndaj Nafije Rrafshit e cila kishte filluar të gjykohej si personi i parë i dyshuar.

Fillimisht nga organet Policore, për vrasjen e 4 gushtit të vitit 2018, ishte arrestuar një mashkull.

Mirëpo, më pas Policia në bashkëpunim me Prokurorinë, kishin gjetur të dyshuar Nafije Rrafshin.

Fillimisht, Nafije Rrafshi e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishës dhe për armëmbajtje pa leje, ishte deklaruar e pafajshme për vrasjen ndërsa kishte pranuar se kishte mbajtur armë pa leje.

Sipas Prokurorisë, përmes aktakuzës së ngritur në muajin janar 2019, kjo ngjarje ka ndodhur për arsye ende të panjohura për ata.

Aktakuza shpjegonte se Nafije Rrafshi në fshatin Lladrovc të Malishevës, kishte vrarë tani të ndjerin Sefer Berishën 57 vjeçar.
Në aktakuzë thuhej se derisa Sefer Berisha ishte duke e vozitur automjetin e tij të udhëtarëve dhe ndalet në një breg në afërsi të një pylli, e pandehura Nafije shkon dhe i ulet në ulësen e pasme.

Aktakuza thoshte, se pas një fjalosjeje dhe kacafytje, e akuzuara kishte nxjerrë revolen nga çanta e saj dhe e kishte qëlluar të ndjerin disa herë, e më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.