Arkiv - E akuzuara Resmije Bytyqi në seancë

Rigjykim për vrasjen e rëndë në Suharekë, gruaja akuzohet se porositi vrasjen e burrit

 

57 vite burgim i kishte shqiptuar Gjykata e Prizrenit, ndaj tre të akuzuarve për vrasjen mizore të Abedin Bytyqit, trupit të të cilit iu vu flaka pasi u vra.

Në një proces gjyqësore të gjatë  për 3 vite, në shumë seanca me tensione dhe lot, Gjykata e Prizrenit kishte gjetur fajtor tre të akuzuarit, ndërsa njëra nga ta ishte liruar nga akuzat për vrasje të rëndë.

Në tetor të vitit të kaluar, gjykata në Prizren e kishte dënuar Murat Ademin me 25 vjet burg, bashkëshorten e të ndjerit Resmije Bytyqin me 20 vjet burg dhe Fadil Fetiun me 12 vjet burg përderisa e kishte liruar nga akuza te akuzuarin Reshat Ademi.

Motivi i vrasjes mizore të 6 tetorit 2016 sipas Prokurorisë ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi, e cila gjatë gjykimit ka qenë e heshtur dhe nuk ishte deklaruar kur i kishte ardhur radha të jepte mbrojtjen.

Sipas Prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi në bashkëpunim e të shtyrë nga Resmije Bytyqi, më 6 tetor 2016, rreth orës 15:30, kanë ndërmarrë veprime me qëllim të vrasjes së Abedin Bytyqit.

Të akuzuarin Fadil Fetiu aktakuza e ngarkonte për moslajmërim të veprës penale, por gjatë gjykimit dhe pasi të gjithë të akuzuarit kishin dhënë mbrojtjen e tyre dhe pas rrëfimeve të Murat Ademit, Prokuroria ndryshoi akuzën për të akuzuarin Fadil Fetiu.

Fadil Fetiu u akuzua për një vepër më të rëndë, pasi që sipas saj i njëjti i ka vënë në dispozicion Murat Ademit mjetin për kryerjen e veprës penale si dhe ka fshehur provat.

Mirëpo vendimin e Gjykatës së Prizrenit, pas ankesave Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim, dhe ka kontestuar shumë çështje që janë lënë të hapura gjatë gjykimit.

Seanca e parë e rigjykimit ka dështuar të mbahet në mungesë të shumë dëshmitarëve, ndërsa edhe avokatët e të akuzuarve kanë kërkuar nga Prokuroria t`i dorëzohen të gjitha provat që iu mungojnë, ndërsa seancat e radhës janë caktuar për datat 9 dhe 10 shtator.

“Aktgjykimi në aspektin kuantitativ është voluminoz, por me mungesa të theksuara të arsyetimit të provave të cilat do të sjellin deri te vërtetimi i fakteve të qarta të asaj se si ka ndodhur ngjarja dhe veprimet konkrete të secilit të akuzuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit që ka kthyer rastin në pikën zero, dhe ka ngritur shumë pikëpyetje në gjykimin që është zhvilluar pranë Gjykatës së Prizrenit.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Xheladin Osmani për rastin në fjalë kishte përpiluar një aktgjykim 100 faqe, ndërsa për Gjykatën e Apelit arsyetimi i këtij aktgjykimi voluminoz më tepër përmban një tregim të ngjarjes pa u thirrur në prova të cilat vërtetojnë ngjarjen, dhe se Gjykata e Prizrenit si shkallë e parë vetëm ka listuar provat por të njëjtat nuk i ka arsyetuar secilën veç e veç dhe pastaj t`i ndërlidh me njëra tjetrën.

Sipas Gjykatës së Apelit në aktgjykimin 100 faqe nuk janë dhënë arsyet për faktet vendimtare, dhe nuk ka përfillur vërejtjet e mbrojtësve për shumë çështje teknike por edhe ligjore dhe në këtë formë anulimi i aktgjykimit të shkallës së parë ishte i pa evitueshëm, andaj çështja është kthyer në rigjykim.

Gjykata e Apelit e ka udhëzuar Gjykatën e Prizrenit që gjatë rigjykimit të evidentojë secilën prej shkeljeve dhe për secilën provë ta bazoj aktgjykimin e saj, dhe të vlerësoj secilën provë veç e veç duke dhen vlerësimet e bazuara dhe arsyetim konkret për secilën provë.

Gjithashtu gjatë rigjykimit gjykata e shkallës së parë është udhëzuar të ftoj edhe dy policët hetues të cilët kanë bashkëpunuar me të akuzuarin Fadil Fetiu gjatë fazës hetimore dhe masave të fshehta të përgjimit.

Më e rëndësishme gjatë rigjykimit Gjykata e Apelit e ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që të precizoj se rastin konkret “a kemi të bëjmë me vrasje mizore apo dinake apo me të dy këto lloj vrasjesh, pasi nga vendimi i parë i Gjykatës së Prizrenit nuk është e qartë se gjykata për cilën formë të vrasjes është përcaktuar ashtu që shprehja “apo” këtë çështje e lenë konfuze”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit që e ka kthyer rastin në rigjykim.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Xheladin Osmani që po gjykon rastin në aktgjykimin prej 100 faqe në faqen 99 ka konstatuar se gjykata gjatë shqiptimit të dënimit ka pasur parasysh të gjitha rrethanat që ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit dhe përpos rrethanave rënduese, gjyqtari si rrethanë lehtësuese ka  pasur parasysh sjelljen korrekte të të akuzuarve në të gjitha fazat paraprake dhe fazat gjatë shqyrtimit kryesor.

Mirëpo KALLXO.com kishte raportuar se gjatë zhvillimit të gjykimit kishte pasur tensione dhe kishte eskaluar edhe në kërcënime.

Në seancën e datës 24 prill 2019, Gjatë kohës kur i akuzuari Fadil Fetiu  po jepte mbrojtjen e tij, në përfundim të deklarimit shtoi se ‘’Murat Ademi e ky kryer vrasjen e Abedin Bytyqit për motive të ulta‘’.

I akuzuari Murat Ademi duke u larguar nga salla i ishte vërsulur të akuzuarit Fadil Fetiu  dhe iu drejtua me fjalët ‘’ Prej sot je i vdekur o Fadil Fetiu‘’,  gjithashtu Murat Ademi iu drejtua edhe mbrojtësit të Fadil Fetiut avokatit Esat Gutaj me fjalët se ‘’edhe ti ruju prej sot‘’.

Këto fjalë ishin konstatuar edhe në procesverbal nga kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani, por edhe Prokurori Gen Nixha tha që për këto veprime janë edhe video inçizimet e gjykatës.

Në dy seanca të gjata i akuzuari Murat Ademi kishte rrëfyer para gjykatës dhe shumë familjarëve të pranishëm ngjarjen e ndodhur ditën e 6 tetorit të vitit 2016.