Vrasja që pretendohet se u porosit nga gruaja eskalon në kërcënime të rënda

Në gjykimin për vrasjen e Abedin Bytyqit, në Peqan të Suharekës, seanca kaloi me tensione dhe përplasje fjalësh ndërmjet të akuzuarve.

Gjatë kohës kur Fadil Fetiu  po jepte mbrojtjen e tij, në përfundim të deklarimit shtoi se ‘’ Murat Ademi e ky kryer vrasjen e Abedin Bytyqit për motive të ulta ‘’.

Murat Ademi i akuzuar për vrasjen e Abedin Bytyqit kërkoi t’i parashtronte pyetje Fadil Fetiut, por i akuzuari Fetiu tha që nuk do t’i përgjigjet pyetjeve të tij.

Kjo krijoi tension në sallë, dhe Murat Ademi filloi të reagonte duke kërkuar përgjigje nga Fadil Fetiu ‘’ Fol trego për çfarë motive ta dijnë të gjithë ‘’ .

Kur kryetari i trupit gjykues kërkoi që nga salla të largohet i akuzuari Murat Ademi për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë në sallë të gjykimit, atëherë Murat Ademit iu lidhën duart me pranga nga gardianët e burgut dhe të njëjtin filluan ta përcjellin për në dalje të sallës.

Me tu afruar afër të akuzuarit Fadil Fetiut, i akuzuari Murat Ademi iu vërsul dhe iu drejtua me fjalët ‘’ Prej sot je i vdekur o Fadil Fetiu ‘’, por gardianët e burgut e ndaluan t’i afrohet më afër.

Gjithashtu Murat Ademi iu drejtua edhe mbrojtësit të Fadil Fetiut avokatit Esat Gutaj me fjalët se ‘’ edhe ti ruju prej sot ‘’.

I rrethuar nga 4-5 gardianë të burgut Murat Ademi u largua nga salla me forcë.

Këto fjalë u konstatuan edhe në procesverbal nga kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani, por edhe Prokurori Gen Nixha tha që për këto veprime janë edhe video inçizimet e gjykatës.

Në procesverbal trupi gjykues ka shënuar si tutje ‘’ I akuzuari Murat Ademi largohet nga salla e gjykimit, për shkak të prishjes së rendit ngase i drejtohet publikisht këtu të akuzuarit Fadil Fetiu me fjalët se nga ky moment ti je i vdekur me familje. Po ashtu i drejtohet edhe avokatit Esat Gutaj me fjalët kërcënuese se edhe ti pas këtij ‘’.

Menjëherë pas kësaj trupi gjykues ndërpreu  gjykimin për një pauzë më të gjatë dhe për t’u qetësuar situata e krijuar brenda sallës së gjykimit.

KALLXO.com ekskluzivisht ka sjellë raporte nga të gjitha seancat dhe rrëfimet e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe rrjedhën e seancave për vrasjen e rëndë të ndodhur në vitin 2016.

Vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyçin.

Motivi i krimit sipas Prokurorisë ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Byqyqi.

Aktakuza i ngarkon edhe Fadil Fetiun për moslajmërim të veprës penale, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

I akuzuari i parë që ka paraqitur mbrojtjen e tij ka qenë Murat Ademi, i cili në 2 seanca që kishin zgjatur gjatë tërë ditës, kishte treguar para trupit gjykues për ngjarjen e ndodhur, edhe në prani të Avdi Bytyqit, babait të viktimës Abedin Bytyqit.

Ndërsa pas Murat Ademit, për të paraqitur mbrojtjen e tij është paraqitur i akuzuari Fadil Fetiu.

Sipas aktakuzës Fadil Fetiu duke qenë në dijeni për identitetin e kryerësit të veprës penale të vrasjes së rëndë, e duke mos e lajmëruar një fakt të tillë, se i akuzuari Murat Ademi ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, e në prezencën e Fadil Fetiut, i akuzuari Murat Ademi është larguar së bashku me viktimën Abedin Bytyqin në drejtim të panjohur, e sipas aktakuzës Fadil Fetiu ka kryer veprën penale të moslajmërimit të veprës penale apo kryerësit.

Fadil Fetiu gjatë  gjithë kohës sa kishte dhënë mbrojtjen e tij kishte kundështuar akuzat dhe deklarimet e të akuzuarit Murat Ademi, i cili gjatë deklarimit të tij në dy seanca të gjata dhe në një rrëfim të gjatë, e kishte ngarkuar për krimin e kryer.

Fadil Fetiu me të filluar mbrojtjen e tij kishte deklaruar se  “e kanë marrë njeriun prej shtëpisë time me dhunë, s’kam pasë çka me ba, s’kam mujtë me i ndihmue ”, pasi që sipas tij i akuzuari Murat Ademi me veturën e tij e kishte marrë nga shtëpia e të akuzuarit Fadil Fetiu tashmë të ndjerin Abedin Bytyqi, të cilit fillimisht ia kishte lidhur duart.

Prokuroria në aktakuzë ka sqaruar edhe veprimet konkrete të secilit.

Murat Ademi, sipas aktakuzës, kishte shfrytëzuar situatën kur i ndjeri po kryente disa punime në elektrike në shtëpinë e Fadil Fetiut.

Aty siç përshkruan aktakuza Murati nën kërcënimin e armës e kishte lidhur viktimën. Pasi e kishte lidhur, Murati e kishte hipur viktimën në veturë dhe e kishte dërguar në një vend ku po priste Reshat Ademi.

Në këtë vend, siç përshkruhet në aktakuzë, dy të akuzuarit e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore në trupin e të ndjerit.

Sipas përshkrimit të prokurorisë, të pandehurit nuk ishin mjaftuar me rrahjen kur në mënyrë mizore viktimës ia kishin vënë zjarrin duke i shkaktuar dhimbje deri në shkaktimin e vdekjes.

Të akuzuarit më pas e kishin vendosur viktimën në një gropë dhe e kishin mbuluar me dhe.

Nga të gjitha veprimet prokuroria i akuzon Murat e Reshat Ademin për veprën penale të vrasjes së rëndë, Fadil Fetiun për moslajmërim të veprës penale ndërsa Resmije Bytyqin shtytje në vrasje.

Prokuroria pretendon se ka prova që bashkëshortja ishte shtytësja e vrasjes.

Prokurori përshkruan se e akuzuara Resmije Bytyqi, në kohë të pacaktuar të vitit 2016, në takimet paraprake të cilat i kishte pasur me të akuzuarin Murat Ademi (djalin e xhaxhait) e ka shtyrë këtë të fundit që ta kryejë veprën penale të vrasjes ndaj bashkëshortit të saj Abedin Bytyqi.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, e akuzuara Resmije, gjatë bisedave me të akuzuarin Murat Ademi, kishte deklaruar se bashkëshorti i saj Abedini po e maltretonte e rrahte, duke i cekur se nëse i njëjti nuk ndërmerr ndonjë veprim do të porosisë ndonjë person tjetër për ta vrarë – eliminuar bashkëshortin e saj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Murat, i shtytur nga fjalët e saja së bashku me vëllaun e tij në bashkëkryerje ndërmarrin veprime me qëllim të privimit nga jeta të tani të ndjerit Abedin Bytyqit.

 

https://kallxo.com/plaku-shperthen-ne-lot-ma-vrane-se-ma-vrane-djalin-po-pse-ja-djege-trupin/

 

 

 

 

 

 

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!