Pamje nga seanca e gjykimit për vrasjen e Abedin Bytyqit - Foto: KALLXO.com
Iu vra i biri dhe iu dogj kufoma e tij, Avdi Bytyqi: Du me ditë pse ma vranë djalin
Avdi Bytyqi, për të tretën herë është ballafaquar në Gjykatë me të akuzuarit për vrasjen mizore të djalit të tij.
Abedin Bytyqi nga Peqani i Suharekës ishte zhdukur në tetor të vitit 2016. Trupi i tij ishte gjetur në një mal, i djegur e i groposur.
Sipas aktakuzës, viktima pasi ishte rrahur, ishte mbytur dhe më pas i ishte vënë flaka para se të groposej në një mal.
Të gjitha këto Prokuroria pretendon se i kishte kërkuar gruaja e Abedinit, Resmija, e cila është dënuar me 20 vjet burg.
Ajo, sipas aktakuzës, ka shtyrë djemtë e axhës së saj, Murat e Reshat Ademin, bashkë me Fadil Fetiun, që ta vrasin burrin e saj 44-vjeçar.
Në seancën e së hënës të rigjykimit, babai i të ndjerit është shprehur i zhgënjyer me avokatët e të akuzuarve dhe ka kundërshtuar mënyrën si po trajtohet çështja.
“Unë i kundërshtoj avokatët që këqyrin me mbrojtë nis e sos. Kurrëkund këta s’e dinë ma mirë se unë këtë. Që sa kohë, që 7 vjet qeto fjalë janë tu i përdorë, veç tu këqyrë tu ba dredhina. Dredhina le të bëjnë sa dojnë këta, unë du me ditë për çka e kanë vra, për çka? Nuk i dinë këta fajet, po për qato… që 7 vjet na keni prish bre, na keni prish krejt… Qeta po kush, qeta qëtu, u repëm tu ardhë këtu, qato fjalë, qato fjalë, s’po dijnë ku me ja lidhë kryet”- ka reaguar Avdi Bytyqi.
I dëmtuari ka treguar se të ndjerin e morën kur ishte duke ngrënë bukë.
“Të katërtit e kanë barabartë se i njoh, tanë i njoh ma mirë se ju, tanë këta. Ai me ma çu prej buke mua djalin… që 10 minuta e ka shpijen larg prej meje, krejt e dijnë… po të ju kisha *** dje evladin e juaj shka m’thoni, hajde m’kallzoni mu” – ka deklaruar Bytyqi.
Gjykatësi i çështjes, Artan Sejrani, i tërhoqi vërejtjen të dëmtuarit për këto deklarime.
Në seancën e gjyqit, paraprakisht janë shfaqur mospajtime në lidhje me leximin e deklaratave të dëshmitarëve Naim Grulaj, Eleonit Bytyqi, Armend Bytyqi dhe Bajram Ademi. Disa prej avokatëve mbrojtës kanë kundërshtuar kërkesën për leximin e tyre.
Gjykatësi i çështjes, Artan Sejrani, ka vendosur që disa prej këtyre deklaratave të dëshmitarëve të lexohen në rigjykim.
Në anën tjetër, Florin Vërtopi, mbrojtës i të akuzuarit Murat Ademi, ka propozuar dëgjimin e dëshmitarit Driton Fondaj, sigurimin e deklaratës së dhënë nga i akuzuari Fadil Fetiu në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 14 nëntor 2016, sigurimin e raportit të forenzikës nga Agjencia Kosovare e Forenzikës (AKF) për regjistruesit e kamerave DVR dhe CD e siguruar nga restoranti “Bunari”, dosjen për atentatin e parë ndaj të ndjerit Bytyqi në vitet 2013-2014, raportin e këqyrjes së vendit të ngjarjes në shtëpinë e të akuzuarit Fetiu më 21 tetor 2016.
Ndërkaq, vetë i akuzuari Murat Ademi ka kërkuar sigurimin e video-incizimit, i cili, sipas tij, do të shpërfaqte të vërtetën e ditës kritike ku kanë qenë vetë ai, Fadil Fetiu dhe Resmije Bytyqi.
“Po të na mundësohet zotëri kryetar video-incizimi i ditës kritike, ajo prova që s’mund të flet as Murat Ademi i pandehuri, as Fadil Fetiu… as avokatë, atëherë do të bindeni edhe ju, do të bindet edhe zotëri prokuror, do jemi të gjithë me fytyrë bardhë që të del e vërteta”- ka deklaruar ai.
Lidhur me këto propozime gjykatësi Sejrani ka thënë se do të vendoset pas marrjes së mendimit të prokurorit Genc Nixha dhe avokatit Durim Nevzati.
Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar për më 14 dhe 27 nëntor si dhe 13 e 19 dhjetor 2023.
Sipas Prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht e kanë vrarë Abedin Bytyqin.
Motivi i krimit, sipas Prokurorisë, ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.
Aktakuza i ngarkon edhe Fadil Fetiun për ndihmë në vrasje, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.
Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës, dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte duke e rrahur.
Sipas Prokurorisë, më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrisnin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.
Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.
Në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.
Për këto pretendime në tetor të vitit 2019 dhe në tetor të vitit 2021, Gjykata e Prizrenit dy herë i kishte dënuar me gjithsej 57 vjet burgim tre të akuzuarit.
Por me vendimin e Apelit rasti është kthyer në pikën zero.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK