Foto: Kallxo.com

Rrëfimi tronditës: Suharekasi tregon si e vranë dhe ia dogjën kufomën Abedin Bytyçit

Murat Ademi që po akuzohet se mizorisht ka privuar nga jeta Abedin Bytyçin, vazhdoi mbrojtjen e tij në Gjykatën Themelore të Prizrenit duke rrëfyer sa para i kishte dhënë e akuzuara Resmije Bytyçi, bashkëshorjta e të ndjerit për vrasjen e Abedin Bytyçit, për t’ia vrarë burrin.

Ademi duke iu përgjigjur pyetje të Avdi Bytyçit, babait të vitkimës, tregoi pse e dogjën kufomën, që paraprakisht e kishin dërguar në mal.

Kallxo.com ekskluzivisht ka sjellë raporte nga të gjitha seancat dhe rrëfimet e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe rrjedhën e seancave për vrasjen e rëndë të ndodhur në vitin 2016.

Në seancat për vrasjen e Abedin Bytyçit, si publik vazhdimisht janë të pranishëm rreth 15 anëtarë të familjes Bytyçi, duke përfshirë Avdi Bytyçin dhe motrat e të ndjerit, të cilat me lot në sy po e dëgjojnë dëshminë e të akuzuarit Murat Ademi për vrasjen e vëllait të tyre.

Murat Ademi, edhe në seancën e kaluar në një rrëfim të gjatë, kishte treguar ngjarjen e ndodhur sipas tij në Peqan të Suharekës, në vitin 2016.

https://kallxo.com/vazhdon-gjykimi-ndaj-gruas-qe-akuzohet-se-porositi-vrasjen-e-burrit-te-saj/

Vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 06 tetor 2016 rreth orës 15:30 në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë privuar nga jeta Abedin Bytyçin.

Motivi i krimit sipas Prokurorisë ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Byqyqi.

Aktakuza i ngarkon edhe Fadil Fetiun për moslajmërim të veprës penale, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

Murat Ademi në seancën e sotme vazhdoi mbrojtjen e tij duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të shtetit Genc Nixha e përfaqësuesit të familjes së dëmtuar, avokatit Blerim Mazreku.

Gjatë kohës sa i jepte përgjigjet e tij, Murat Ademi shfaqej i sigurt për ngjarjen që tregonte.

Madje në disa raste edhe kur avokati i tij Hajrip Krasniqi kishte kundërshtime për ndonjë pyetje, Ademi reagonte: “Jo jo, ska nevojë për kundërshtim, krejt po du me u përgjigj, krejt të vërtetën po du me tregu”.

Esat Gutaj, mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Fetiu, e pyeti të akuzuarin Murat Ademi se çfarë interesi e lidhte Fadil Fetiun për kryerjen e këtij krimi.

“Shumë thjesht është, Fadil Fetiu e lidh interesi se ka qenë i paguar nga Resmije Bytyçi. I njëjti me dëshirë e ka marrë ofertën e Resmije Bytyçit”, tha Murat Ademi.

Foto: Kallxo.com

Ai vazhdoi duke treguar se është në dijeni për rrjedhën e ngjarjeve.

“Unë i di shumë mirë krejt planet e Fadilit me Resmijen, sepse unë kam qenë korrier i Resmije Bytyçit”, tha ai.

Kur avokati Esat Gutaj po parashtronte pyetje lidhur me veprimet në vendin e ngjarjes, në një moment tha që ”ta quajmë se është djegë kufoma”, ndërsa i menjëhershëm ishte reagimi i prokurorit Genc Nixha i cili kërkoi nga trupit gjykues që të shënohet ”djegia e kufomës”, jo “ta quajmë”, sepse “kufoma është djegur me të vërtetë, nuk është kontestuese kjo”.

Avokati Esat Gutaj i kërkoi Murat Ademit të sqaronte se a kanë pasur komunikim Fadil Fetiu me Resmije Bytyçin,

“Jo nuk kanë folë asnjëherë, unë jam ai që për Fadilin e Resmijen ua kam kam përcjellë krejt mesazhet ndërmjet vete. Unë si korrier i Resmije Bytyçit kam qenë ndërmjetësi i tyre për komunikim”, tha ai.

E prokurori Genc Nixha kur i erdhi koha e pyetje, i kërkoi të akuzuarit Murat Ademi që trupit gjykues t’ia sqarojë se cila është e vërteta rreth deklarimeve të tij sepse, sipas prokurorit Murat Ademi, ka dhënë 5 deklarata në Prokurori, e në seancën e kaluar dhe në seancën e sotme ka deklaruar diçka shumë më ndryshe nga deklarimet e mëparshme.

Foto: Kallxo.com

Por Murat Ademi i quajti të vërteta deklarimet në seancën e kaluar dhe në të dsotmen.

“Deklarata nga seanca e kaluar dhe kjo e sotmja është e vërteta, kurse ato deklaratat që kam dhënë në prokurori i kam dhënë për dëshirën e tjetërkujt, dhe nuk kanë qenë fare të vërteta”, tha ai.

https://kallxo.com/avokati-kerkon-qe-publiku-te-dije-si-u-vra-abedin-bytyqi/

Ishte avokati Blerim Mazreku, përfaqësuesi i familjes së dëmtuar Bytyçi, i cili e pyeti të akuzuarin Murat Ademi nëse i është premtuar ose dhënë ndonjë e mirë materiale me qëllim të kryerjes së vrasjes.

Murat Ademi tregoi se ai personalisht nuk ka pasur kurrfarë premtimi nga Resmija por as nuk ka marrë para nga ajo.

“Premtimi dhe dhënia e saj kanë qenë para të cilat i ka paguar Resmija. Fillimisht ajo na ka dhënë shumën prej 2.000 euro për blerjen e pistoletës, të armës, e nga kjo shumë kishte tepruar shuma prej 800 eurosh”, tha ai.

Foto: Kallxo.com

“Dhe shumën prej 8.000 euro, këtë shumë ia ka dhënë Resmija, Fadil Fetiut, duke shtuar premtimin shtesë që ka qenë shuma prej 25.000 euro për t’i marrë kredi Resmija e me ja pagu Fadilit, por kjo ishte e pamundur të realizohej më vonë”, shtoi ai.

Murat Ademi, në pyetjet e avokatit Blerim Mazreku, tregoi se me të ndjerin Abedin Bytyçin asnjëherë nuk kishte pasur mosmarrëveshje.

“Përkundrazi kam pasur raporte të mira, madje edhe kemi punuar disa herë së bashku”, tha ai.

“Ka qenë ide e Resmije Bytyçit që t’i kërkohej Fadil Fetiut të kryente aktin e vrasjes… Se nga e ka marrë informata Resmija se unë Fadilin e kam shok dhe nga kush, atë nuk e di”, shtoi i akuzuari Murat Ademi, që gjatë gjithë kohës qëndronte në këmbë para trupit gjykues, e gjatë gjithë kohës para vetes mbante ujë.

Foto: Kallxo.com

Avdi Bytyçi, babai i viktimës Abedin Bytyçi, ishte i fundit që kishte pyetje për të akuzuarin Murat Ademi.

https://kallxo.com/plaku-shperthen-ne-lot-ma-vrane-se-ma-vrane-djalin-po-pse-ja-djege-trupin/

“Pse ma djege djalin, masi që e vratë”, është pyetja që Abedin Bytyçi po e bën në vazhdimësi tash e disa seanca, ngase i njëjti në asnjë formë nuk po arrin të pajtohet me mënyrën se si iu vra i biri.

Foto: Kallxo.com

Kur Murat Ademi filloi duke thënë se “po më vjen keq, e them prapë…”, Avdi Bytyçi ia ktheu se “me të pas ardhë keq nuk ma kishit mbyt djalin, e masadnej me ja djeg kufomën në mal”.

I akuzuari Murat Ademi vazhdoi të tregonte se “nuk ka pasur kurrfarë qëllimi për djegien e kufomës”.

“Nuk e kemi pasur në plan, se kur kemi shku me varrosë kufomën e Abedin Bytyçit, kemi pasur qëllim djegien e teshave të kufomës që me i zhdukë gjurmët”, tha ai.

“Kur kemi fillu me e hapë gropën për me e varrosë kufomën, s’kemi pasë mjetet e duhura me hapë gropë më të madhe, e atëherë Fadil Fetiu mori vendim e i mori shishet e benzinës e nuk ia hoqi hiq teshat e kufomës. Fadili e ka ngre zhag kufomën deri te gropa me e djegë, por nuk i ndihmova, u ula anash, larg rreth 4-5 metra, edhe e ndeza një cigare”, tregoi Murat Ademi për ngjarjen në mal ku edhe më vonë është gjetur kufoma e të ndjerit Abedin Bytyçit .

“Mua më vjen shumë keq, e njoh plakun, e i kisha thënë që ky ta pyesë rejen e vet Resmën e cila me këmbëngulje kishte vendosur për veprimet e saj, e Abedini ka pasë fatin e keq, ditën e keqe e ka ra në grackën e Fadil Fetiut “, tha Murat Ademi.

Kjo ngjalli reagimin e Avdi Bytyçit, i cili i kërkoi të sqaronte se për çka e kishte fjalën Murat Ademi kur po fliste për këmbënguljen e Remije Bytyçit.

“E kemi diskutuar me Resmijen, e gjatë bisedës ajo duke qeshur tha se dy herë më ka pshtu Abedini se nuk mund me më shpëtu ma, e ajo më ka treguar se ka pasur dy atentate nga personalisht ajo të porositura ndaj Abedin Bytyçit, njëherë me bombë e një herë me pagesë”, sqaronte Murat Ademi duke treguar për ato që, sipas tij, i kishte thënë Resmije Bytyçi.

Pas rreth 6 orë sa zgjati edhe deklarimi i Murat Ademit, i cili e përfundoi mbrojtjen e tij, seanca u ndërpre vonë rreth orës 16:00 për të vazhduar më 4 mars ku të akuzuarit tjerë do të paraqiten para trupit gjykues për të dhënë mbrojtjen e tyre.

Prokuroria në aktakuzë ka sqaruar edhe veprimet konkrete të secilit.

Murat Ademi, sipas aktakuzës, kishte shfrytëzuar situatën kur i ndjeri po kryente disa punime në elektrikë në shtëpinë e Fadil Fetiut.

Aty siç përshkruan aktakuza Murati nën kërcënimin e armës e kishte lidhur viktimën. Pasi e kishte lidhur, Murati e kishte hipur viktimën në veturë dhe e kishte dërguar në një vend ku po priste Reshat Ademi.

Në këtë vend, siç përshkruhet në aktakuzë, dy të akuzuarit e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore në trupin e të ndjerit.

Sipas përshkrimit të prokurorisë, të pandehurit nuk ishin mjaftuar me rrahjen kur në mënyrë mizore viktimës ia kishin vënë zjarrin duke i shkaktuar dhimbje deri në shkaktimin e vdekjes.

Të akuzuarit më pas e kishin vendosur viktimën në një gropë dhe e kishin mbuluar me dhé.

Nga të gjitha veprimet prokuroria i akuzon Murat e Reshat Ademin për veprën penale të vrasjes së rëndë, Fadil Fetiun për moslajmërim të veprës penale ndërsa Resmije Bytyqin shtytje në vrasje.

Prokuroria pretendon se ka prova që bashkëshortja ishte shtytësja e vrasjes.

Prokurori përshkruan se e akuzuara Resmije Bytyqi, në kohë të pacaktuar të vitit 2016, në takimet paraprake të cilat i kishte pasur me të akuzuarin Murat Ademi (djalin e xhaxhait) e ka shtyrë këtë të fundit që ta kryejë veprën penale të vrasjes ndaj bashkëshortit të saj Abedin Bytyqi.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, e akuzuara Resmije, gjatë bisedave me të akuzuarin Murat Ademi, kishte deklaruar se bashkëshorti i saj Abedini “po e maltretonte e rrihte”, duke i cekur se nëse i njëjti nuk ndërmerr ndonjë veprim do të porosisë ndonjë person tjetër për ta vrarë – eliminuar bashkëshortin e saj.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Murat Ademi, i shtytur nga fjalët e saj së bashku me vëllanë e tij në bashkëkryerje kishin ndërmarrë veprime me qëllim të privimit nga jeta të tani të ndjerit Abedin Bytyqi.