FOTO: KALLXO.com

Merr fund gjykimi për vrasjen mizore në Suharekë, nesër shpallet aktgjykimi

Në rigjykimin për vrasjen mizore të Abedin Bytyqit, i cili sipas Prokurorisë fillimisht ishte rrahur deri në vdekje e më pas ishte djegur me benzinë, sot nga palët në procedurë u dha fjala përfundimtare.

Për këtë çështje, prokurori i rastit ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Sipas prokurorit Genc Nixha, nga provat e cekura si dhe shkresat e lëndës është vërtetuar se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale të cilat u vihen në barrë.

Ai sqaroi se të akuzuarit kanë kryer veprat penale sipas aktakuzës, duke shtuar se Murat Ademi dhe Reshat Ademi kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Ndërkaq, për Resmije Bytyqin prokurori deklaroi se ajo ka kryer veprën penale të shtytjes në vrasje të rëndë kurse Fadil Fetiu veprën penale të ndihmës në vrasje të rëndë.

Të njëjtën gjë e pretendoi edhe avokati i palës së dëmtuar, duke shtuar se vrasja mizore e Abedin Bytyqit ka ndodhur pikërisht nga shtytja e gruas së tij nëpërmjet familjarëve të saj.

“Pasi Resmije Bytyqi e ka realizuar qëllimin e vet që të privohet nga jeta Abedin Bytyqi, ajo ka provuar që të shfajësohet duke mos folur asnjëherë deri në rigjykim”, shtoi avokati Blerim Mazreku.

Avokati theksoi se të akuzuarit kanë pretenduar t’i shmangen përgjegjësisë penale, gjë që ka shkaktuar vështirësi në zbardhjen e kësaj çështjeje, por pas administrimit të provave është vërtetuar fajësia e tyre.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve Murat e Reshat Ademi, Fadil Fetiu dhe Resmije Bytyqi, fjalën përfundimtare e dorëzuan me shkrim ndërkaq të njëjtën e elaboruan përpara trupit gjykues.

Hajrip Krasniqi, avokat i të akuzuarit Murat Ademi, tha se pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë. Ai shtoi se mënyra se si ishte ekzekutuar i ndjeri dhe stadi i vdekjes demantonin aktakuzën në fjalë ndaj të mbrojturit të tij.

“Murat Ademi gjatë deklaratës së vet ka treguar realisht se si ka qenë e mundshme të ekzekutohet Abedini”, tha avokati Krasniqi.

Sipas avokatit, nga provat e administruara nuk ishte provuar se Murat Ademi e ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Sipas tij, i akuzuari mund të kishte shkaktuar ndonjë vepër tjetër penale dhe jo siç po pretendonte Prokuroria.

Ndërsa, Arben Ramadani, mbrojtës i Reshat Ademit, theksoi se i mbrojturi i tij nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim para rastit kritik, ditën kritike e as deri në ditën që ishte arrestuar.

Ai sqaroi se ndaj të akuzuarit Reshat Ademi Gjykata nuk kishte asnjë provë dhe veprimet e tij nuk e bëjnë të jetë i përfshirë në veprën penale.

Për avokatin Esat Gutaj, ndaj Fadil Fetiut nuk qëndronte elementi i dashjes si dhe sipas tij Prokuroria nuk kishte siguruar asnjë provë me të cilën Fetiu ka marrë ndonjë veprim për dhënien e ndihmës në vrasje.

“I vetmi faj i Fadil Fetiut është moslajmërimi me kohë për rrëmbimin e të ndjerit nga i akuzuari Murat Ademi”, shtoi Gutaj.

Sipas avokatit Gutaj, Murat Ademi ishte ai që ka dashur ta implikojë Fadil Fetiun në këtë çështje duke dhënë versione të ndryshme për vrasjen në fjalë. Në përfundim avokati kërkoi që Gjykata në mungesë të provave ta lironte nga aktakuza të akuzuarin apo të bënte rikualifikimin e veprës penale.

Së fundmi, fjalën përfundimtare e dha edhe avokati i Resmije Bytyqit, Durim Nevzati. Ai konsideroi se pretendimi i aktakuzës ndaj të mbrojturës së tij ishte mbështetur në deklarimin e të akuzuarit Murat Ademi në të cilin deklarimet e tij rrënjësisht ndryshojnë njëra me tjetrën.

I njëjti shtoi se e akuzuara nuk ka pasur veprime që të shtyjë Murat Ademin për vrasjen e Abedin Bytyqit dhe se në mungesë të provave, i propozoi Gjykatës që të nxjerrë aktgjykim lirues.

Shpallja për këtë aktgjykim do të bëhet nesër.

Sipas Prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyqin.

Motivi i krimit, sipas Prokurorisë, ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.

Aktakuza e ngarkon edhe Fadil Fetiun për ndihmë në vrasje, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuaren Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës, dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte duke e rrahur.

Sipas Prokurorisë, më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrisnin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.

Për këto pretendime në tetor të vitit 2019, Gjykata e Prizrenit kishte dënuar me gjithsej 57 vite burgim tre të akuzuarit.

Kështu, të akuzuarin Murat Ademi për shkak se në bashkëkryerje mizorisht ka vrarë Abedin Bytyqin, Gjykata i shqiptoi 25 vite burgim, të akuzuarës Resmije Bytyqi për shtytje të vrasjes së bashkëshortit Gjykata e dënoi me 20 vite burgim, e i akuzuari Fadil Fetiu për ndihmë në kryerjen e vrasjes u dënua me 12 vite burgim.

Kurse, i akuzuari Reshat Ademi ishte liruar nga akuza.

Mirëpo, vendimi i Gjykatës së Prizrenit nuk e kishte marrë aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim apo në pikën zero.

KALLXO.com ekskluzivisht ka sjellë raporte nga të gjitha seancat dhe rrëfimet e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe rrjedhën e gjykimit për vrasjen e rëndë të ndodhur në vitin 2016.