57 vite burgim të akuzuarve për vrasjen mizore të Abedin Bytyqit në Suharekë

 

Më shumë se pesë vite pas vrasjes së Abedin Bytyqit, i cili fillimisht ishte djegur me benzinë dhe pastaj ishte groposur në një mal, bashkëshortja e të ndjerit bashkë me dy djemtë e axhës së saj dhe të akuzuarin tjetër, për të dytën herë janë gjetur fajtorë dhe janë dënuar nga Gjykata e Prizrenit.

Pas shumë seancave të përcjella me tensione, lot, akuza e kundër akuza mes palëve, Gjykata e Prizrenit në vendimin e dhënë sot, e dënoi Resmije Bytyqin, Murat Ademin dhe Fadil Fetiun, ndërsa Reshat Ademin e liroi nga akuzat për vrasje të rëndë.

Pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, pas dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave i akuzuari Murat Ademi për veprën penale vrasje e rëndë u dënua me 25 vite burgim.

Bashkëshorten e të ndjerit, Resmije Bytyqin për veprën penale të shtytjes në vrasje, gjykata e dënoi me 20 vite burgim.

Fadil Fetiut për ndihmë në kryerjen e vrasjes, gjykata i shqiptoi 12 vite burgim.

Ndërkaq, të akuzuarin Reshat Ademi gjykata për të dytën herë e ka liruar nga akuza.

Motivi i krimit, sipas përshkrimit të aktakuzës ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.

Sipas prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyqin.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të xhaxhait dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte duke e rrahur.

Më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.

Për këto pretendime në tetor të vitit 2019, Gjykata e Prizrenit kishte dënuar me gjithsej 57 vite burgim tre të akuzuarit.

Kështu, të akuzuarit Murat Ademi, për shkak se në bashkëkryerje mizorisht ka vrarë të ndjerin Abedin Bytyqin, Gjykata i shqiptoi 25 vite burgim, të akuzuarës Resmije Bytyqi për shtytje të vrasjes së bashkëshortit Gjykata i shqiptoi 20 vite burgim, të akuzuarit Fadil Fetiu për ndihmë në kryerjen e veprës penale gjykata i shqiptoi 12 vite burgim.

Kurse, i akuzuari Reshat Ademi ishte liruar nga akuza.

Mirëpo, vendimi i Themelores nuk e kishte marrë aprovimin e Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim apo në pikën zero.

KALLXO.com ekskluzivisht ka sjellë raporte nga të gjitha seancat dhe rrëfimet e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe rrjedhën e gjykimit për vrasjen e rënë të ndodhur në vitin 2016 – LINK