Referimi i gabuar për një Gjykatë që nuk ekziston
Më 03.01.2024, faqja “Fiks.Al” (Arkiv) ka publikuar një shkrim në të cilin Organin Shqyrtues të Prokurimit e konsideron si Gjykatë të Tenderëve.
Ky emërtim del të jetë plotësisht i pasaktë, pasi që në shkallët e Gjyqësorit nuk ekziston një Gjykatë, e cila quhet “Gjykata e Tenderëve”.
Kushtetuta e Kosovës e njeh vetëm Këshillin Gjyqësor si organin që menaxhon Sistemin e Drejtësisë dhe Rregullativa ligjore e rregullimit të KGJK-së dhe Gjykatave është e ndërtuar konform Ligjit për Gjykatat dhe Ligjit për KGJK-në. Në këta dy mekanizma nuk ka një institucion të quajtur si “Gjykata e Tenderëve”.
Sipas Ligjit për Gjykatat janë të listuara Gjykatat Themelore të cilat në vete përfshijnë Departamentin e Përgjithshëm Penal, Departamentin e Krimeve të Rënda, Departamentin Special. Tutje, Gjykatat Themelore kanë në përbërje edhe Departamentin e Përgjithshëm, i cili merret me çështje civile.
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka ekzistuar edhe Departamenti për Çështje Administrative, por me Ligjin e votuar në Kuvend të Kosovës më 5.12.2024 është krijuar si Gjykatë në vete.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës sot ka miratuar Ligjin për Gjykatën Administrative, i cili Ligj vendos për themelimin e Gjykatës Administrative si Gjykatë e specializuar. Gjykata do të jetë kompetente të gjykojë të gjitha konfliktet administrative, të gjitha kontestet nga marrëdhënia e punës, në mes të personit fizik dhe organit publik, ose në mes të organeve publike – përjashtuar ndërmarrjet publike, si dhe çfarëdo kontesti tjetër të përcaktuar shprehimisht me ligj të veçantë.” – thuhet në njoftimin që ka bërë Këshilli Gjyqësor i Kosovës, më 05.12.2024.
Tutje, si Gjykatë tjetër që operon në tërë territorin e Kosovës është edhe Gjykata Komerciale, e cila trajton çështje të karakterit ekonomik.
“Departamenti për Çështjet Ekonomike që vepron në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me juridiksion për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, Departamenti për Çështjet Administrative që vepron në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me juridiksion për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.” – thuhet në Nenin 13 të Ligjit për Gjykatat.
Pra, në Ligjin për Gjykatat që rregullon mbarëvajtjen dhe rregullimin e brendshëm të Gjykatave nuk përmendet askund si funksionale një Gjykatë e tillë si “Gjykata e tenderëve”.
Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik është organ i cili shqyrton ankesat e palëve në rastet kur një operator ekonomik paraqet ankesë ndaj ndonjë vendimi të organit shtetëror, me të cilin i është refuzuar aplikimi për ndonjë tender.
“Roli i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) – Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) është organ i pavarur administrativ dhe i nënshtrohet Ligjit për Administratë. Si institucion administrativ, OSHP merr vendime të formës së prerë lidhur me ankesat në prokurim publik. Vendimet e këtij organi janë obligative, për të gjitha Autoritetet Kontraktuese, pra të gjitha institucionet e Kosovës.” – thuhet në përshkrimin në uebfaqe për Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik.
Pra, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP) shqyrton vendimet e organit më të ulët, në këtë rast marrim shembull shqyrton vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës, lidhur me vendimin që një kompanie të caktuar t’i jepet mundësia që të zhvillojë punime në një rrugë të caktuar – gjë për të cilën ka aplikuar dhe është përzgjedhur si kompani fituese.
Në momentin kur palët e tjera janë të pakënaqura, me vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës paraqesin ankesat e tyre tek Organi Shqyrtues i Prokurimit, i cili konstaton nëse vendimi i një institucioni ka qenë i drejtë apo i padrejtë.
Me të nxjerrë vendim OSHP, palët e pakënaqura mund ta procedojnë rastin në Gjykatë me karakter administrativ, duke e goditur vendimin e OSHP-së.
“Palët e pakënaqura me vendimet e OSHP-së mund t’i drejtohen Gjykatës për të kërkuar rishikimin e vendimit, por pa e shtyrë ekzekutimin e vendimit të OSHP-së, përkatësisht palët e pakënaqura mund të kërkojnë dëmin apo fitimin e humbur.” – thuhet në përshkrimin që jepet në uebfaqen e Organit Shqyrtues i Prokurimit Publik.
Përshkrim i njëjtë është edhe në Ligjin për Prokurim Publi, i cili orienton palët e pakënaqura që për vendimet e një institucioni t’i drejtohet OSHP-së, për zgjidhje të rastit.
“OSHP ka kompetenca, autoritet, pushtet dhe përgjegjësi, në kuadër të kushteve të saktësuara në këtë Pjesë IX, që: të shqyrtojnë ankesat nga palët e interesuara, lidhur me shkeljet e mundshme të këtij Ligji; të hetojnë e të përcaktojnë faktet që kanë shkaktuar ankesat e tilla, të marrin çfarëdo mase tjetër të nevojshme e të përshtatshme për të verifikuar argumentet apo pretendimet e bëra nga palët; t’i japin urdhër autoritetit kontraktues, duke e detyruar autoritetin e tillë që t’ia paguajë kompensimin parashtruesit të ankesës.” – janë vetëm disa prej funksioneve që përcaktohen në Ligjin për Prokurim Publik në Nenin 105 te kompetencat e OSHP-së.