
Gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, Burim Ademi dhe Bashkim Hyseni avancohen si gjyqtarë të Supremes
Në mbledhjen e 377 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës është miratuar Raporti i Panelit për shqyrtimin e aplikacioneve për gjyqtarë, me ç’rast gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, Burim Ademi e Bashkim Hyseni, janë avancuar si gjyqtarë në Gjykatën Supreme.
Mandati i ri i këtyre gjyqtarëve do të nisë nga data 1 shkurt 2025.
“Anëtarët e KGJK-së, në bazë të Raportit të Komisionit për Përzgjedhjen e Gjyqtarëve në Gjykatën Supreme, aprovuan përzgjedhjen e gjyqtarëve: Burim Ademi e Bashkim Hyseni, në pozitën ‘gjyqtar në Gjykatën Supreme’.” – thuhet në njoftimin e KGJK-së.
Në po këtë mbledhje, KGJK ka miratuar Raportin e Panelit për shqyrtim të aplikacioneve dhe rekomandimin e kandidatëve për gjyqtarë në Shkallën e Dytë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.
Sylejman Shumolli e Gazmend Sylaj janë përzgjedhur si gjyqtarë që do të avancohen në Shkallën e Dytë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.
“Anëtarët e KGJK-së, në bazë të Raportit të Komisionit për Përzgjedhjen e Gjyqtarëve në Shkallën e Dytë në Dhomën e Posaçme, aprovuan përzgjedhjen e gjyqtarëve: Sylejman Shumolli e Gazmend Sylaj, në pozitën ‘gjyqtar në Shkallën e Dytë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme’.” – thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Sylaj e Shumolli kanë ushtruar funksionin e gjyqtarëve në Kolegjin e Specializuar pranë Dhomave të Posaçme të kësaj Gjykate.
Edhe mandati i këtyre dy gjyqtarëve do të fillojë nga 1 shkurti i vitit 2025.