Gjyqtari Ahmetaj: Dezinformatat janë rrezik i madh për palët në procedurë

Në emisionin “Dezinformatat në Drejtësi”, në “KALLXO Përnime”, gjyqtari Ermir Ahmetaj, ka deklaruar se dezinformatat paraqesin rrezik të madh në raport me palët në procedurë.

Sipas tij, me dezinformata për sistemin e drejtësisë tentohet që të dekurajohen qytetarët për të marr shërbime në gjykatë si dhe tentohet të nxiten të njëjtit që mos t’i zbatojnë vendimet e gjykatave.

“Dezinformatat ekzistojnë gjithnjë. Në drejtësi, dezinfomatat paraqesin rrezik të madh në raport me palët dhe kjo shkon në dy drejtime: e para, sepse gjyqësori nuk është veç alternativë por domosdoshmëri me shku para gjyaktës, dhe e dyta, me dezinformata tentohet që me dekuraju qytetarin me marrë shërbime në gjykatë, me mbrojt rastin para gjyktës dhe mos me zbatu vendimin e gjykatës si të drejtë”- tha Ahmetaj.

Sipas tij, ekzistojnë arsye të ndryshme se pse krijohen dezinformatat. Njëra ndër arsyet, sipas Ahmetit, është dekurajimi i palëve që mos t’i besojnë sistemit të drejtësisë.

Siç ka thënë ai, kjo ndodhë duke e ditur që ekziston një shkallë e dytë e cila ka në kompetnecë që t’i korrigjoj veprimet eventuale të shkallës së parë.

“Arsyeja pse bëhen dezinformatat janë të ndryshme… Kemi parë që diskutohet vendimi i shkallës së parë që me dekuraju palën mos me i besu sistemit të drejtësisë kur e dim që ekziston shkalla e dytë që e korrigjon të parën”- tha Ahmetaj.

Ky gjyqtar thotë se ekzsitojnë grupe të caktuara që shtyjnë përpara kauza të caktuara me qëllim “ndikimin e vendimarrjes” në gjykata.

Secila gjykatë, sipas tij, përdor parimin e publicitetit, përpos në rastet kur atë e kufizojnë.

Gjykatat, siç thotë ai, janë duke punuar mjaft shumë në komunikimin me publikun, mediat dhe OJQ-të e ndryshme me qëllim të informimit sa më të mirë të tyre.