
Foto-ilustrim
Trajtimi në proces disiplinor i sjelljes së gjyqtarit pas raportimit në media
Situatat ku qytetarët i raportojnë sjelljet e gjyqtarëve në media sipas ligjit trajtohen në proceset disiplinore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Në arkivat e publikuara të KGJK-së, ku tregohen rastet disiplinore ndaj gjykatësve, haset një rast ku një gjykatës është ndëshkuar për shkak të sjelljes jo të mirë ndaj një qytetari.
Qytetari kishte raportuar për sjellje të pahijshme të gjykatësit ndërsa pas publikimit të shkrimit KGJK kishte trajtuar rastin në disiplinë.
Gjykatësi Veli Kryeziu nga Gjilani ishte pjesë e një procesi të tillë pasi gjatë një përgjigjeje për media kishte shkelur Kodin e Etikës.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 08.09.2022 kishte formuar panelin hetimor që do të shqyrtonte lëndën e Kryeziut nëse do kishte ose jo shkelje disiplinore.
Më 25 nëntor 2022, paneli hetimor i kishte paraqitur Këshillit Gjyqësor të Kosovës raportin mbi hetimin për këtë lëndë disiplinore dhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë lidhur me këtë rast.
Pra, gjyqtari Veli Kryeziu në Këshillin Gjyqësor të Kosovës e kishte pranuar fajësinë për fjalët që i kishte thënë gjatë bisedës me gazetaren e KALLXO.com.
“Sipas vlerësimit të panelit hetimor faktet kanë qenë jokontestuese për arsye se kanë qenë publike, subjekti i hetimit në bisedë telefonike me gazetaren e Kallxo.com kishte deklaruar se: “Me pasë kërcënu me arme e kisha vra” dhe nuk i ka kontestuar edhe subjekti i hetimit”- thuhet në vendimin e KGJK-së më 14.12.2024.
Gjyqtari kishte pranuar fajësinë dhe ishte pajtuar që t’i shqiptohet vërejtje me shkrim si sanksion disiplinor.
“Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Gjilan Veli Kryeziu është përgjegjës për shkelje disiplinore të përcaktuara në nenin S, paragrafi 1 dhe 2, pika 2.S, 2.1S, të Ligjit Nr.06/L-OS7 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe të njëjtit i shqiptohet sanksioni disiplinor vërejtje publike me shkrim”- thuhet në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Videon lidhur me këtë rast mund ta ndiqni në këtë LINK.
Në korrik të vitit të 2022 KALLXO.com kishte raportuar se gjyqtari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Veli Kryeziu, dyshohej se kishte kërcënuar me armë një person.
Ngjarja kishte ndodhur më 28 maj ndërsa ishte mbajtur vetëm brenda organeve të rendit dhe të drejtësisë.
Kryeziu në një bisedë telefonike me KALLXO.com nuk kishte pranuar të ketë kërcënuar dikë, anipse ndaj tij tashmë kishte nisur procedurë ligjore në prokurori.
“Nuk kam ide. Me pasë kërcënu me armë unë e kisha vra (nuk kuptohet mirë gjatë bisedës), nuk bëj budallakia. Nuk jap koment, ditën e mirë!”- kishte thënë shkurt gjyqtari Kryeziu.
Me këto veprime, sipas KGJK-së, gjyqtari Kryeziu kishte shkelur nenin 5 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Në vendim thuhet se Kryeziu ka shkelur paragrafin 2.5 i cili thotë “ka keqpërdor pozitën zyrtare në çfarëdo forme për përfitime të paligjshme për veten”, paragrafin 2.15 i cili thotë “përfshihet në sjellje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e gjykatës ose mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e gjyqësorit”.