Gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte në rajonin e Gjakovës, dështon seanca fillestare

Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarit për “krime lufte” në rajonin e Gjakovës, Jusuf Shujak ka dështuar të mbahet të martën, më 04.02,2025, në Gjykatën e Prishtinës.

Jusuf Shujak akuzohet se në periudhën kohore 1998-1999 në fshatrat e Komunës së Gjakovës gjatë kohës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dashje i shkel rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civil, ku sipas Prokurorisë i njëjti ka kryer vrasje, dëbim dhe shkatërrim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Seanca dështoi pasi prokurori special Kastriot Memaj deklaroi se nuk kanë arritur që t’i përkthejnë të gjitha shkresat e lëndës në gjuhën serbe.

Prokurori special Kastriot Memaj tha për shkak të numrit të madh të provave dhe në anën tjetër numrit të vogël të përkthyesve deri më tani nuk është arritur të përkthehen të gjitha provat.

Tutje, Memaj tha se Aktakuza është përkthyer edhe në gjuhën serbe dhe i është dorëzuar mbrojtësit të të pandehurit dhe propozoi që seanca e sotme fillestare të mbahet e pasi të përkthehen të gjitha provat do t’i dorëzohen mbrojtjes.

Lidhur me këtë mbrojtësi i të akuzuarit Jusuf Shujak, avokati Lubomir Pantoviq kërkoi nga Gjykata, që seanca e sotme të ndërpritet dhe të vazhdohet në një ditë tjetër, atëherë kur Prokuroria t’i përmbushë obligimet që i ka ndaj mbrojtjes dhe t’ia dorëzojë të gjitha shkresat e lëndës të përkthyera.

“Kjo është vërtetë një lëndë komplekse. Aktakuza është voluminoze. Ka shumë prova. Cilësimi juridik është jashtëzakonisht shumë i rëndë, andaj mendoj që nuk duhet të insistohet që kjo seancë sot të mbahet, sepse besoj se kjo në një farë dore do të ishte në dëm të të pandehurit.” – tha avokati Pantoviq.

Ndërkaq, kryetari i Trupit Gjykues, Lutfi Shala mori Aktvendim duke e ndërprerë seancën dhe tha se nuk ka kushte ligjore që seanca e sotme, më 04.02.2025, të vazhdojë.

“Seanca nuk mund të mbahet nëse i akuzuari nuk e ka Aktakuzën në gjuhën të cilën ai e kupton dhe nuk i ka të gjitha ato prova të cilat e ngarkojnë sipas Aktakuzës, të përkthyera në gjuhën që e kupton.” – tha gjyqtari Lutfi Shala.

Tutje, gjyqtari Shala obligoi Prokurorinë Speciale që të gjitha provat që janë të bashkëngjitura në Aktakuzë të përkthehen në gjuhën që e kupton i akuzuari.

Seanca e sotme e shqyrtimit fillestar, më 04.02.2025, u ndërpre dhe e radhës u caktua për datën 13.02.2025.