Drejtësia në fokusin zgjedhor: Nga digjitalizimi deri te Prokuroria e re dhe Qendra Shtetërore e Hetimit

Dy partitë që gjatë katër vjetëve të fundit kanë qenë opozitë e pushtetit, PDK-ja dhe LDK-ja i kanë disa të përbashkëta në Programet zgjedhore për fushën e Drejtësisë. Të dy këto parti, premtojnë se nëse u jepet besimi për të qeverisur me vendin pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit, do të kryejnë procesin e Vetting-ut në Sistemin e Drejtësisë, si dhe do ta bëjnë digjitalizimin e Sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor.

Këtë proces nuk e përjashton as Koalicioni AAK-Nisma, ndonëse nuk e ka si prioritet, përderisa Koalicioni për Familjen është në linjë me dy partitë e mëdha opozitare në këtë aspekt. E, krejt ndryshe nga to, partia që ende është në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka paraparë diçka tjetër për Sistemin e Drejtësisë dhe jo Vetting.

LVV planifikon Prokurori dhe Gjykatë të re

Lëvizja Vetëvendosje në Programin e saj zgjedhor të vitit 2021 si premtim kryesor për Drejtësinë e kishte Vettingun.

“Nëpërmjet këtij procesi synohet të arrihet integriteti gjyqësor dhe prokurorial dhe do të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e Drejtësisë. Duke pasur parasysh rëndësinë e këshillave, procesi i Vettingut do të nisë nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial.” – thuhej në Programin e VV-së të vitit 2021.

Por, fjala “vetting” nuk zë vend në Programin e VV-së të vitit 2025.

Përkundër se Vetting-u nuk parashihet në Programin e ri, kjo parti premton një Zyrë për Hetime Disiplinore për Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial të Kosovës.

“Zyra do të jetë përgjegjëse për trajtimin e Ankesave dhe pretendimeve për sjellje të papërshtatshme nga gjyqtarët dhe prokurorët. Procesi disiplinor do të mund të iniciohet edhe ex-officio. Zyra do të kryejë mbledhjen e provave dhe paraqitjen e çështjeve para Komisioneve Disiplinore të KGJK dhe KPK.” – thuhet në këtë Program.

Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin, i cili synon që të marrë edhe një mandat si Kryeministër, premtojnë edhe Gjykatën për Çështje Familjare, për të zgjidhur sa më shpejtë çështjet si: prona, trashëgimia, dhuna në familje, divorci e alimentacioni (mbështetje familjare për ish-bashkëshortin/bashkëshorten pas divorcit).

Kjo parti parasheh krijimin e Prokurorisë së re të Specializuar për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin.

Sipas Programit të VV-së, kjo Prokurori do ketë përkrahje dhe modele të vendeve që kanë kryer me sukses këtë betejë në Europë.

Vettingu në Drejtësi i PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës, që synon t’i fitojë Zgjedhjet me Bedri Hamzën si kandidat për Kryeministër, premton Vetting në Drejtësi dhe Strategji Kundër Korrupsionit.

Vetting-un PDK thotë se do ta kryejë përmes ndryshimeve kushtetuese e ligjore.

“Me qëllim të ngritjes së besimit të publikut në këtë proces kaq jetik për ngritjen e integritetit dhe llogaridhënies së Sistemit gjyqësor dhe prokurorial, ky proces do të realizohet duke u bazuar në parimet e transparencës deri në masën që e lejon ligji dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.” – thuhet mes të tjerash në Programin zgjedhor të Hamzës.

Strategji Kundër Korrupsionit ka premtuar kjo parti, për të parandaluar korrupsionin, për të forcuar Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, fuqizimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe Agjencive që zbatojnë Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit e prioritizimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë nga organet e Drejtësisë.

Derisa, LVV ka premtuar Prokurori të veçantë për Krimin e Organizuar e Korrupsionin, PDK ka planifikuar themelimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Karakteristikë e këtij institucioni të ri, i cili do të përbëhet nga jo më shumë se dhjetë prokurorë të specializuar, do të jetë Policia gjyqësore, që do t’i trajtojë të gjitha rastet kur ka dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo kur bien ndesh me ligjin gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës i Sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Ky mekanizëm do të jetë, po ashtu, kompetent për t’i trajtuar rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, në rastet kur PSRK nuk ndërmerr veprime sipas kompetencës së saj.” – thuhet në Programin e PDK-së.

Kjo parti ka premtuar edhe digjitalizim të proceseve në Sistemin e Drejtësisë.

“Do të bëhet e mundur mbajtja e seancave përmes videokonferencave dhe hartimi i procesverbaleve përmes Inteligjencës Artificiale. Gjithashtu, do të mundësohet dërgimi i shkresave dhe komunikimi elektronik mes palëve dhe Gjykatave. Çdo marrje në pyetje e dëshmitarëve dhe të pandehurve do të bëhet duke u incizuar me video dhe audio.” – thuhet mes të tjerash në Programin e PDK-së.

PDK ka premtuar po ashtu edhe rritje të numrit të gjyqtarëve e prokurorëve, por pa përmendur numrin se sa. Ndër të tjera, kjo parti ka paraparë edhe Strategji Kombëtare për Krimet e Luftës dhe themelimin e Gjykatës së Punës.

LDK planifikon Qendër Shtetërore të Hetimit

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që synon t’i fitojë Zgjedhjet me Lumir Abdixhikun si kandidat për Kryeministër, e ka në plan Vetting-un në Sistemin e Drejtësisë.

Ky proces, sipas LDK-së, parashihet të kryhet në dy faza.

“Faza e parë përbën Amandamentet kushtetuese, të cilat në përputhje me gjetjet e Opinionit të Venecias lidhur me Vettingun, shtrihen në anëtarët e KGJK-së dhe të KPK-së, Kryetarët e Gjykatave dhe Kryeprokurorët, me fokus në konfirmimin e aspektit të integritetit personal dhe justifikimit të pasurisë. Kjo fazë mund të nënkuptohet si fazë e Vettingut per se. Faza e dytë synon ndërhyrjet ligjore të cilat ofrojnë qëndrueshmërinë e idesë fillestare të Vettingut, që nënkupton zbërthimin e parimeve bazë mbi të cilat bëhet vlerësimi, gradimi, degradimi dhe përjashtimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve me ligj të veçantë, gjithmonë në përputhje me praktikat më të mira evropiane.” – thuhet mes të tjerash në Programin zgjedhor “Rruga e Re”.

Ngjashëm si VV e PDK, edhe LDK parasheh një trupë të veçantë që do të trajtojë Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin. LDK këtë trupë e ka quajtur Qendra Shtetërore e Hetimit.

“Themelimi i Qendrës Shtetërore të Hetimit si një strukturë e specializuar e Policisë, që do të veprojë nën drejtimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, do të jetë hap i rëndësishëm drejt pavarësimit të kapaciteteve hetuese të Prokurorisë. Qendra Shtetërore e Hetimit ka për qëllim ndërmarrjen e veprimeve hetimore për hetimin dhe ndjekjen e veprave penale që bien nën mandatin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Në këtë funksion, do të themelohet edhe Këshilli Shtetëror i Hetimit, si trupë koordinuese ndërinstitucionale.” – thuhet në Programin e LDK-së.

Digjitalizim të proceseve në Drejtësi ka premtuar edhe LDK. Kjo parti thotë se digjitializimi do të rrisë sigurinë e informacionit dhe lehtëson qasjen.

“Digjitalizimi mund të përmirësojë sigurinë e informacionit, gjithmonë duke pasur në mendje domosdoshmërinë e investimit në sigurinë kibernetike. Siguria do të jetë mision paralel bashkë me adaptimin e digjitalizimit. Sidoqoftë, qasja e lehtësuar në dokumente i mundëson palëve monitorimin e vazhdueshëm të lëndëve të tyre – duke e zvogëluar kështu nevojën që të shkojnë fizikisht në Gjykatë për çdo gjë.” – thuhet tutje në Program.

Gjykatë Administrative dhe të Çështjeve të Punës ka premtuar edhe LDK, ngjashëm si PDK.

Prioriteti i AAK-së: Sundimi i ligjit, jo domosdoshmërisht vetting-u

Koalicioni AAK-NISMA-Intelektualët-Konservatorët për Drejtësinë ka premtuar që e ka prioritet sundimin e ligjit.

“Në adresimin e sundimit të ligjit si çështje komplekse, ne kemi identifikuar një qasje më të koordinuar, veçanërisht duke zbatuar implementimin e disa niveleve të politikave: llogaridhënia në sundimin e ligjit, kthimi i dinjitetit dhe pavarësimi i institucioneve të sundimit të ligjit, përgjegjësia institucionale efektive, drejtësi e pavarur dhe intervenimet e drejtpërdrejta në politikat publike të sundimit të ligjit dhe drejtësisë.” – thuhet mes të tjerash në këtë Program.

Për Vetting në Drejtësi ka folur Besnik Tahiri i AAK-së, në “Debat Përnime”.

“Ne kemi qenë më të zëshmit në trajtimin e Vettingut, por jo Vetting-u të bëhet në zyrat e partive politike, me këqyr kush është i majtë e kush i djathtë, kush i bardhë e kush i zi. Sistemi i Vettingut duhet të bëhet bazuar në Raportin e Komisionit të Venecias, që nuk është marr në ligjin në Kuvendin e Kosovës.” – tha Tahiri në “DebatPërnime”.

Në anën tjetër, Arton Demhasaj, i cili para se të kandidojë për herë të parë për Deputet në kuadër të kësaj partie ishte pjesë e Shoqërisë civile, në këtë Debat thotë se apriori si parti nuk janë kundër Vettingut, por nuk e shohin të nevojshme që të merren tash me këtë pjesë.

Në një vijë më këto tematika, tre deputetët e AAK-së, në planet e tyre për Sistemin e Drejtësisë, patën kryefjalë rregullimin e Këshillit Prokurorial dhe atij Prokurorial.

Ndërsa, Emrije Bashota zotohet që përveç financave që do të shtohen, do të investojnë në shtimin e kuadrove brenda Sistemit të Drejtësisë, në mënyrë që në këtë formë të vihet një drejtësi më e shpejt në vend.

“Shteti i së Drejtës” sipas Koalicionit për Familjen

Koalicioni për Familjen parasheh në anën tjetër forcim të “Shtetit të së Drejtës” duke u angazhuar kundër krimit e me vetting në Sistemin gjyqësor e prokurorial – sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Digjitalizim të Sistemit të komunikimit mes Gjyqësorit, Prokurorisë, Policisë, Noterisë, Avokatëve, Përmbaruesve dhe Nërmjetësuesve – ka premtuar ky Koalicion.

“Sistem digjital të qasjes së noterëve në të dhëna personale për mbrojtjen e trashëgimtarëve ligjorë, e veçanërisht të grave nga cenueshmëria në trashëgimi; ndërmjetësim në proceset e divorcimit nëpërmjet konsultimeve psikologjike; reforma që kanë për qëllim zvogëlimin e korrupsionit; shkurtim të kohës së gjykimeve dhe përshpejtim të shqyrtimit të lëndëve; përcaktim me ligj të buxhetit për kompensimet financiare për shujta, paga jubilare dhe pagën e trembëdhjetë për të punësuarit në sektorët publik, në mënyrë që të shkarkohen Gjykatat nga shqyrtimi i mijëra lëndëve të kësaj natyre.” – thuhet mes të tjerash në këtë Program.

Ky Koalicion ka premtuar reforma edhe në Akademinë e Drejtësisë, si dhe ndërtim të fabrikave dhe punëtorive brenda të gjitha burgjeve, me ç’rast të gjithë të burgosurit do të përfitojnë pagë mbi atë minimale.

Asdren Bytyqi, kandidat për Deputet nga Koalicioni për Familjen dhe avokat me profesion, ka paraqitur në Debat Përnime Programin për reformimin dhe forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë.

“Programi jonë për Drejtësi angazhohet që të vazhdojë luftën kundër krimit përmes një sërë masash, fillimisht vetëdijësuese. Së pari përmes edukimit dhe arsimimit të mirëfilltë për gjeneratat e reja, lidhur me pasojat e krimit dhe dëmet sociale e familjare.” – tha ai.

Sipas tij, Sistemi digjital i komunikimit, i premtuar nga ky Koalicion, ka një kosto prej 1 milion euro dhe është modeluar sipas Sistemeve të ngjashme që përdoren në Estoni, Australi, Gjermani, Amerikë dhe Austri.

Vetting-u në Drejtësi

Vettingu është një nga çështjet kryesore të përfolura në Kosovë, qe sa vite në fushën e Drejtësisë. Ky është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hodhi për herë të parë idenë e një procesi vettingu gjatë mandatit të tij të parë jetëshkurtër si Kryeministër në fillim të vitit 2020 – duke krijuar një grup pune për të shqyrtuar këtë mundësi.

Në maj të 2022-tës, Krerët e lartë të shtetit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kishin pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, për të diskutuar rreth procesit të Vettingut dhe rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit.

Presidenca e Kosovës kishte njoftuar se në takim është diskutuar bashkërendimi i institucioneve të Kosovës me shtetet e QUINT-it dhe BE-së, rreth procesit të Vetingut në Kosovë.

Më 2 mars 2023, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca kishte njoftuar se pas përfundimit të punës së Komisionit Ad Hoc për Vettingun në Sistemin e Drejtësisë i ka përcjellur Amendamentet kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese, më 22.12.2024, ka marrë Vendim për Vettingun, duke theksuar se tri Amandamente të këtij procesi nuk i pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore – bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, tri Amandamentet, me nr.29, 28 dhe 27 nuk i pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore – bazuar në Kapitullin ll të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Zgjedhjet e 9 shkurtit

Bazuar në Listën Votuese të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 është 2,075,868 votues, prej të cilëve 1,970,944 votues i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104,924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës.

Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

Këto janë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova i mban, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Ndryshe nga këto Zgjedhje, në Zgjedhjet e parakohshme të mbajtura, më 14.02.2021, kanë marrë pjesë 903,379 votues, apo 48.78 % e numrit të përgjithshëm prej 1,794,862 votuesve të regjistruar nga KQZ-ja.

Lëvizja Vetëvendosje doli fituese në këto Zgjedhje, duke i marrë 50.2 % të votave, apo 438.335 vota. E dyta u rendit PDK-ja me 17 % apo me 148.285 vota. E treta u rangua LDK-ja me 12.7 apo me 110.985 vota. E katërta doli AAK-ja me 7.1% apo me 62.111 vota. Dhe, e pesta u listua Lista Serbe me 5 % apo me 44.407 vota.

Bazuar në këtë rezultat, më 22.03.2021, në Kuvendin e Kosovës, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, u zgjodh Qeveria nën udhëheqje të Albin Kurtit nga Lëvizja Vetëvendosje.