Rikthehet në punë Gjyqtari i cili u suspendua pasi i hoqi masën e arrestit shtëpiak Enver Sekiraqës

Gjyqtari Agim Kuçi është kthyer në vendin e tij të punës. Ai ishte suspenduar për heqjen e masës së arrestit shtëpiak për Enver Sekiraqën, i cili ishte dënuar nga Shkalla e Parë me 25 vjet burgim për “nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza”.

Kuçi gjendej nën masën e suspendimit me Vendimin e datës 21 maj 2024, kurse më 24 janar 2025 është revokuar Vendimi për suspendimin e tij.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), më datë 24 janar 2025, në rastin disiplinor e ka revokuar Vendimin KGJK.Nr. 124/2024, të datës 21 maj 2024, për suspendimin e Gjyqtarit – subjekt i hetimit.” – thuhet në përgjigjen që ka dhënë Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Enver Sekiraqa, më 03.05.2024, ishte dënuar me 25 vjet burgim për “nxitje në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza”.

Në shpallje të Aktgjykimit, Gjyqtari i çështjes Agim Kuqi kishte marrë Vendim të veçantë me të cilin i kishte hequr masën e arrestit shtëpiak të akuzuarit Sekiraqa.

Por, Gjykata e Apelit, më 17.05.2024, mori Vendim për ta kthyer në paraburgim Enver Sekiraqën.

Policia kishte konfirmuar se Sekiraqa nuk ishte gjetur në dy lokacione në të cilat ishte kërkuar.

Pas kësaj kryetarja e Gjykatës së Prishtinës, Albina Shabani-Rama, si autoritet kompetent, kishte dërguar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës Kërkesën për inicimin e procedurës disiplinore për gjyqtarin Agim Kuqi.

Rasti është ende në trajtim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ende nuk ka ndonjë Vendim përfundimtar – lidhur me këtë rast nga ky organ.

Si u lirua Enver Sekiraqa nga masa e sigurisë dhe cili ishte Vendimi i Apelit?

Më 03.05.2024, Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi që Sekiraqën ta dënonte me 25 vjet burg për “shtytje në vrasjen e Triumf Rizës”.

Në Dosjen që ka siguruar KALLXO.com jepet edhe arsyetimi pse gjyqtari Agim Kuçi vendosi që ta lironte nga masa e arrestit shtëpiak Enver Sekiraqën.

Sipas Dosjes, pas shpalljes së Aktgjykimit dhe sigurimit të Sekiraqës në procedurën ndaj tij, Gjykata kishte vlerësuar edhe se kishin përfunduar shkaqet për të cilat i ishte caktuar dhe vazhduar masa e arrestit shtëpiak.

“Andaj Gjykata tani ka vlerësuar se kanë pushuar të gjitha shkaqet për të cilat është caktuar masa e paraburgimit dhe masa e arrestit shtëpiak, ngase i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale për të cilën është akuzuar dhe ndaj të njëjtit është bërë shpallja e Aktgjykimit. Andaj, të akuzuarit i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, ashtu që Gjykata urdhëron që i njëjti të mbrohet në liri.” – thuhet në Vendimin e marrë më datë 03.05.2024, nga kryetari i Trupit Gjykues, gjyqtari Agim Kuçi.

Menjëherë pas këtij Vendimi Prokuroria Speciale kishte shfrytëzuar të drejtën e Ankesës dhe e njëjta ishte aprovuar.

Prokuroria Speciale kishte dorëzuar Ankesën në të njëjtën datë me shpalljen e Aktgjykimit në Gjykatën e Apelit, e kjo e fundit më pas kishte marrë Vendim që të aprovonte pretendimet dhe të rikthente Sekiraqën në paraburgim.

Dosja të cilën ka siguruar KALLXO.com tregon edhe pretendimet e Prokurorisë Speciale dhe Kërkesën e tyre që Sekiraqa të kthehej nën masën e paraburgimit.

Në Ankesë thuhet se Gjykata në shpalljen e Aktgjykimit nuk ka marrë parasysh edhe rrezikshmërinë e veprës penale, vendin ku është kryer vepra penale, mënyrën e kryerjes, pasojat e shkaktuara duke u arsyetuar se kanë pushuar shkaqet me të cilat është caktuar dhe vazhduar masa e arrestit shtëpiak.

“Meqenëse Gjykata ka shpallur fajtor të pandehurin me burgim në kohëzgjatje prej 25 vjetëve, andaj marrë për bazë faktin se i akuzuari është shpallur fajtor dhe se vepra është shumë e rëndë – duke marrë parasysh se ka humbur jetën një person zyrtar – Vendimi për lirim është i papranueshëm.” – thuhej në Ankesën e Prokurorisë Speciale.

Kolegji i Apelit kishte thënë se kishin marrë për bazë dhe kishin trajtuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë Speciale dhe kishin vendosur që ta aprovojnë Ankesën dhe ta kthejnë Sekiraqën në paraburgim.

“Kolegji ka parasysh rrethanat e këtij rasti që rrjedh se vepra penale është e rëndë dhe se dënimi i shqiptuar nga Gjykata e Shkallës së Parë është i lartë. Këto dy rrethana e ngritin lart rrezikun e arratisjes së të pandehurit – po qe se i njëjti lihet i lirë për t’u mbrojtur në liri.” – thuhej në njërin nga Paragrafët e Vendimit të Gjykatës së Apelit të datës 17.05.2024.

Në Vendimin e Apelit që ka siguruar KALLXO.com thuhet edhe se përgjigjen në Ankesën e Prokurorisë Speciale e ka paraqitur avokati Besnik Berisha, i cili ka propozuar që Ankesa të hidhet si e pabazuar.

KALLXO.com, më 29.01.2025, kishte kërkuar informacion te Gjykata e Prishtinës, Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës për të konfirmuar nëse statusi i Enver Sekiraqës tek organet e Drejtësisë është ende si i arratisur, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kemi pranuar përgjigje.

Tutje, KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe avokatin e Sekiraqës Besnik Berisha më 01.02.2025, por që nuk ka pranuar përgjigje nga avokati.

 

Vrasja e policit Triumf Riza 

Më 30.08.2007 në Prishtinë, në moshën 27-vjeçare, ishte vrarë polici i forcave speciale, Triumf Riza.

Dorasi për vrasjen e Rizës, Arben Berisha është shpallur fajtor dhe dënuar me 35 vjet burgim. Mirëpo, ajo çka rezultoi të jetë sfiduese për Drejtësinë është marrja e një Verdikti lidhur me akuzat për shtytjen në këtë vrasje.

Në Gjykim e dy Rigjykime më pas Enver Sekiraqa për herë të tretë është dënuar për “shtytje në vrasjen e Triumf Rizës” – kësaj here me 25 vjet burgim.

Vendim ky i marrë më 03.05.2024 nga Trupi Gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, i kryesuar nga Agim Kuqi; anëtarët, Ngadhnjim Arrni dhe Medije Bytyqi.

Gjykimi maratonik ndaj Enver Sekiraqës, i nisur në vitin 2014, ka rezultuar me dy dënime të deritanishme. Në vitin 2016 Sekiraqa u dënua me 37 vjet burgim, kurse me 30 vjet burgim në vitin 2019.

Triumf Riza ishte vrarë më 30.08.2007. Sipas Prokurorisë, rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali “AM:PM” dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij, kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Anipse gjykimi ishte zhvilluar dy herë të tjera, në gjykimin e tretë që iu bë Sekiraqës dëshmuan dy dëshmitarë të paftuar më parë.

Njëri nga ta ishte shoku më i afërt i viktimës, Arben Selmanaj, i ftuar për herë të parë nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar për vrasjen e shokut të tij e të rrëfejë për konfliktet në të cilat edhe vetë kishte qenë subjekt.

Dëshmitari i fundit i cili u dëgjua ishte Gjon Kqira, i ftuar nga mbrojtja. Kqira ishte ai i cili rrëfeu versionin e tij për atë se çka ndodhi pas natës së shumëpërfolur të incidentit në “Swiss Casino”.