Vërejtje publike me shkrim për gjyqtarin e Gjykatës së Gjilanit - Dega në Viti, Raif Fazliu

Gjyqtarit të Gjykatës Themelore të Gjilanit – Dega në Viti, Raif Fazliut i është shqiptuar Vërejtje publike me shkrim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), për shkak të mosrespektimeve të afateve të përcaktuara ligjore për trajtim të lëndëve.

Fazliu kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me KGJK-në, duke u pajtuar me sanksionin disiplinor “Vërejtje me shkrim”. Sipas Vendimit të KGJK-së pranimi i fajësisë është bërë për shkelje, sipas ligjit, të detyrave të gjyqtarit, qoftë me dashje, qoftë nga pakujdesia e rëndë, që në vazhdimësi nuk i kryen detyrat me kohë siç kërkohet me ligj.

Aprovohet marrëveshja vullnetare për pranimin e fajësisë, e lidhur në mes të Panelit hetimor dhe gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega në Viti, z. Raif Fazliu. Është përgjegjës për shkelje disiplinore të përcaktuara në Nenin 5 Par. 2, lidhur me Nenin 2.7 të Ligjit Nr. 06/L-057 për përgjegjësi disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe i shqiptohet sanksion disiplinor Vërejtje publike me shkrim.” – thuhet në Vendimin e KGJK-së, të datës 5 dhjetor 2024.

Kryetari i Gjykatës së Gjilanit, më 06.06.2024 dhe më datë 14.08.2024, kishte dorëzuar dy Kërkesa për fillim të hetimit ndaj gjyqtarit Fazliu, me pretendimin se ka shkelje disiplinore kryesisht mosrespektimin e afateve të përcaktuara ligjore për trajtimin e lëndëve, të cilat ishin kthyer në rigjykim në çështje civile.

Sipas Kryetarit të Gjykatës që kishte kërkuar hetim nga KGJK për gjyqtarin në fjalë bëhet fjalë për 10 lëndë civile, që ishin objekt i kësaj çështjeje.

Për këtë rast ishte formuar Paneli hetimor dhe më 31.07.2024 kishte dorëzuar Raportin mbi faktet dhe provat.

Sipas Vendimit të KGJK-së, autoritetit kompetent (Kryetari i Gjykatës) kishte iniciuar tri raste disiplinore në KGJK ndaj të njëjtit gjyqtar, por që Këshilli ka marrë Vendim, duke i bashkuar këto raste në një të vetëm, meqenëse ishte subjekti i hetimit i njëjti për tri rastet.

Nga të dhënat e siguruara në Raportin hetimor është vërtetuar fakti se Fazliu në kohën e kthimit të lëndëve në rigjykim ka pasur numër të madh të lëndëve, diku mbi 1000 mijë lëndë. Ky fakt ishte vërtetuar nga të dhënat statistikore, të siguruara nga Gjykata.

Tutje, sipas të dhënave të Panelit hetimor thuhet se nga viti 2017 e deri në vitin 2021 ka qenë gjyqtari i vetëm i cili ka qenë më i ngarkuari me lëndë civile.

KGJK ka ardhur me konstatim se gjyqtari ka dështuar të administrojë Zyrën dhe rrjedhimisht të përshtatë angazhimin e tij, varësisht nga vëllimi i ngarkesës dhe i prioritetit brenda Zyrës.

KGJK në Vendimin e nxjerrë ka konstatuar se këto vonesa jo vetëm që ndikojnë në efektivitetin e Sistemit gjyqësor, por gjithashtu ndikojnë në besimin e publikut, në integritetin dhe përkushtimin e gjyqtarëve për të siguruar drejtësi në kohë.

KGJK ka konstatuar se mosmarrja e veprimeve me kohë të gjyqtarit ka konsistuar në 10 lëndë.

Si rrethana lehtësuese në shqiptimin e Vërejtjes me shkrim, KGJK ka marrë për bazë rrethanat lehtësuese, si: ndaj gjyqtarit në fjalë nuk kishte pasur më herët të zhvilluar procedurë disiplinore dhe po ashtu gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur mbështetje të nevojshme administrative (zyrtar ligjor apo bashkëpunëtor profesional).