Rasti i avokatit Besnik Berisha, Gjykata e Apelit merr vendim

Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e të pandehurve për masën e sigurisë që i ishte caktuar ndaj avokatit Besnik Berisha dhe të tjerëve.

Ata ishin arrestuar nën dyshimet e prokurorisë për ushtrim të ndikimit; dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, dhe pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Vendimin e Apelit e ka konfirmuar për KALLXO.com avokati i Besnik Berishës, Naim Rudari.

“Apeli i ka aprovu ankesat e të pandehurve, për të gjithë dhe e ka kthy në rivendosje”- tha Rudari për KALLXO.com

Avokatit Berisha i ishte caktuar masa e ndalimit të objektit po personit të caktuar me ç’rast ishte refuzuar kërkesën e prokurorisë për paraburgim.

Gjykata refuzon kërkesën për paraburgim për avokatin Besnik Berisha

 

Sipas dosjes së prokurorisë që e kishte siguruar KALLXO.com, avokati Besnik Berisha dyshohet se kishte kërkuar 20,000 euro me arsyetimin se të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani, të akuzuar në rastin “Brezovica”, do i mbrojë në procedurën hetimore pa autorizim.

Dosja e prokurorisë thotë tutje se këto të holla Berisha i kishte kërkuar nga i ati i të akuzuarve, nga i cili kishte marrë 11,000 euro.

Kjo pretendohet të ketë ndodhur në periudhën tetor – dhjetor të vitit të kaluar.

Kurse, në fund të dhjetorit 2022 pasi që i ishte refuzuar kërkesa për të vizituar të lartcekurit në paraburgim, avokati Berisha, sipas dosjes së Prokurorisë së Ferizajt, ka marrë fillimisht 7 mijë e më pas edhe 4 mijë euro nga babai i të pandehurve.

Këtë shumë e kishte marrë duke i udhëzuar të pandehurit që të mos e pranojnë fajësinë, thekson po ashtu dosja.

Sipas dosjes së Prokurorisë, këto veprime i ka ndërmarrë me qëllim që të ushtrojë ndikim te gjyqtarët për t’u ndërprerë masa e paraburgimit. Ndikimi i supozuar nuk ishte realizuar.

Në vazhdim, avokati Berisha dyshohet se ka ndihmuar në shmangien e zbulimit dhe arrestimit të të akuzuarit Sh.R.

Lidhur me këtë, me rastin e mbajtjes së seancës dëgjimore për të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani, Berisha ishte futur në sallë dhe i kishte udhëzuar të pandehurit të mos e përmendnin Sh.R.

Këtë veprim, avokati Berisha e kishte ndërmarrë pa pasur autorizim.

Pas përfundimit të seancës, sipas Prokurorisë, avokati Besnik Berisha ishte takuar me babanë e të pandehurve Gëzim Sinani dhe Salih Sinani, para objektit të Gjykatës.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht lidhur me këtë rast, dhe raportimet mund t’i ndiqni në këtë LINK.