Besnik Berisha, avokat i Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt

Gjykata refuzon kërkesën për paraburgim për avokatin Besnik Berisha

Gjykata Themelore në Ferizaj ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj avokatit Besnik Berisha.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ndaj Besnik Berishës është caktuar masë e sigurisë ndalimi për t`iu ofruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej një muaji.

Më 13 korrik, avokati Besnik Berisha është arrestuar nën dyshimet për veprën penale të ushtrimit të ndikimit dhe dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale.

Më 14 korrik, Prokuroria e Ferizajt njofton se ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj avokatit Besnik Berisha dhe gjashtë të pandehurve me inicialet N.Xh., I.S., R.C., F.Z., J.V., dhe A.S., të cilët me vendim të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh.

Për të pandehurin Besnik Berisha, Prokuroria thotë se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale – ushtrimi i ndikimit; dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, dhe pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, avokati Besnik Berisha kishte kërkuar 20,000 euro me arsyetimin se të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani, të akuzuar në rastin “Brezovica”, do i mbrojë në procedurën hetimore pa autorizim.

Dosja thotë se këto të holla Berisha i kishte kërkuar nga i ati i të akuzuarve, nga i cili kishte marrë 11,000 euro.

Kjo pretendohet të ketë ndodhur në periudhën tetor – dhjetor të vitit të kaluar.

Kurse, në fund të dhjetorit 2022 pasi që i ishte refuzuar kërkesa për të vizituar të lartcekurit në paraburgim, avokati Berisha, sipas dosjes së Prokurorisë së Ferizajt, ka marrë fillimisht 7 mijë e më pas edhe 4 mijë euro nga babai i të pandehurve.

Këtë shumë e kishte marrë duke i udhëzuar të pandehurit që të mos e pranojnë fajësinë, thekson po ashtu dosja.

Sipas dosjes së Prokurorisë, këto veprime i ka ndërmarrë me qëllim që të ushtrojë ndikim te gjyqtarët për t’u ndërprerë masa e paraburgimit. Ndikimi i supozuar nuk ishte realizuar.

Në vazhdim, avokati Berisha dyshohet se ka ndihmuar në shmangien e zbulimit dhe arrestimit të të akuzuarit Sh.R.

Lidhur me këtë, me rastin e mbajtjes së seancës dëgjimore për të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani, Berisha ishte futur në sallë dhe i kishte udhëzuar të pandehurit të mos e përmendnin Sh.R.

Këtë veprim, avokati Berisha e kishte ndërmarrë pa pasur autorizim.

Pas përfundimit të seancës, sipas Prokurorisë, avokati Besnik Berisha ishte takuar me babanë e të pandehurve Gëzim Sinani dhe Salih Sinani, para objektit të Gjykatës.

KALLXO.com ka publikuar dosjen e Prokurorisë në lidhje me rastin e avokatit Besnik Berisha.