Dëshmitari Frederick Abrahamas, zyrtar nga Human Rights Watch
Pyetjet e avokatit të Thaçit për dëshmitarin Frederick Abrahams nga 'Human Rights Watch'
Shqyrtimi gjyqësor i të mërkurës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të 22-të, Frederick Abrahams, zyrtar nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”.
Dëshmitari Abrahams u pyet fillimisht nga prokurori i specializuar Alan Tieger, lidhur me detajet nga takimi që kishte pasur me Hashim Thaçin dhe Fatmir Limajn për rastin e dy gazetarëve serbë që ishin ndaluar në vitin 1998.
Lidhur me këtë rast, dëshmitari deklaroi që Thaçi dhe Limaj kishin thënë se “Këta dy persona janë gjykuar dhe janë shpallur fajtorë”. Të njëjtit po e vuanin dënimin dhe do të liroheshin pas vuajtjes së dënimit.
Tutje, i njëjti tha se gazetarët nuk kishin pasur avokat dhe nuk kishin qenë të pranishëm gjatë procesit gjyqësor.
Lidhur me këtë, dëshmitari Abrahams bashkë me kolegun e tij të punës kishin dhënë mendimin se ky rast nuk kishte përmbushur standardet ndërkombëtare për një proces të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.
Tutje, dëshmitari deklaroi që në raport me pozicionin e Thaçit dhe të Limajt për lirimin e të ndaluarve, të njëjti kishin thënë se “është çështje e gjyqësorit të pavarur” dhe se ata nuk ishin personat që do të duhej të ndërhynin në procese gjyqësore sepse kjo do të dëmtonte autoritetin dhe besueshmërinë e institucioneve të UÇK-së.
Tutje, dëshmitarit në takim, i ishte thënë edhe se UÇK-ja ishte një ushtri e re që operonte në kushte të vështira dhe se ishin në proces të krijimit dhe ngritjes së strukturave.
Në atë takim, sipas dëshmitarit ishin diskutuar edhe çështje të tjera, si shqetësime të tjera lidhur me shkeljet e pretenduara të kryera nga UÇK-ja, si ngacmime, frikësime, pretendime për vrasje.
Abrahams, tutje theksoi që Thaçi dhe Limaj pavarësisht se kishin përmendur që kishin disiplinuar ushtarë, nuk kishte pasur shembull konkret të këtyre masave disiplinore.
Sipas dëshmitarit, në takimin e tij me Thaçin, i njëjti i kishte thënë se krimet kryheshin nga persona të izoluar dhe të maskuar nën uniformën e UÇK-së.
Lidhur me këtë, dëshmitari Abrahams deklaroi që “Ka pasur raste që janë kryer krime nga persona të caktuar që kishin gjetur uniformë të UÇK-së dhe pretendonin se ishin pjesëtarë të UÇK-së pa qenë” – tha ai.
“Nuk e besoj as atëherë as sot mbështetur në hulumtimet tona të kryera, intervistimin e viktimave dhe dëshmitarëve të këtyre incidenteve dhe krimeve, se shpjegimi i individëve që vishnin uniforma rastësore ishte përshkruese dhe e tërësishme me situatën” – shtoi tutje dëshmitari.
Tutje, dëshmitari Abrahamas, u përgjigj në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, avokatit Gregory Kehoe lidhur me pozitën dhe ndikimin e Adem Demaçit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Dëshmitari Abrahamas tha se Demaçin e kishte takuar së paku dy herë, sa i njëjti ishte në pozitën e përfaqësuesit politik të UÇK-së.
Dëshmitari tha që e di që Demaçi kishte përfaqësuar UÇK-në në Kosovë dhe në vendet tjera dhe se i njëjti kishte qenë kompetent të jepte leje për udhëtime në territore të UÇK-së, të cilat respektoheshin në gjithë Kosovën.
Tutje, avokati Kehoe lexoi një pjesë të deklaratës së dëshmisë së Rrustem Mustafës – komandant Remit, kur i njëjti në këtë gjykatë kishte folur për Adem Demaçin dhe rëndësinë e tij.
Avokati Kehoe, theksoi që Demaçi kishte pasur ndikim tek personat që ishin të përfshirë në konflikt të armatosur, sikurse tek komandant Remi.
Dëshmitari lidhur më këtë tha se ‘‘qëndroj pranë pikëpamjes time kur bëhet fjalë për qëndrime ushtarake apo vendime strategjike lidhur me çështje konkrete të sigurisë, këto linin të kuptonin se Demaçi nuk kishte ndikim’’.
Dëshmitari Abrahamas, tutje tha që as nuk kishte dëgjuar që Demaçi, ka qenë pjesa kryesore e bisedimeve me komandantët e zonave për emërimin e Sylejman Selimit, dhe se i njëjti e kishte bërë të mundur edhe lirimin e dy gazetarëve serbë.
Lidhur me lirimin e dy gazetarëve serbë, Kehoe paraqiti komunikatën nr. 64 e cila shënonte që për festën e 28 nëntorit, amnistohen dy gazetarët dhe dy aktivistë të LDK-së.
Sipas Kehoe, për ‘relevancën’ e ndikimit të Demaçit në vendimmarrje, ai paraqiti edhe artikullin e gazetës Koha Ditore, ‘‘Asnjë vendim politik pa pëlqimin e Adem Demaçit’’, të thënë nga Kurti.
Lidhur më këtë, dëshmitari tha se nuk pajtohet sepse, sipas tij, kjo përfaqësonte më shumë “dëshirën dhe synimin” e Demaçit dhe Kurtit për ushtrim të autoritetit.
“Kishte interesa dhe përpjekje që konkurronin me njëra-tjetrën, se kush do të ishte përfaqësimi politik në këtë kohë, mos të flasë për Ibrahim Rugovën dhe të tjerët, kjo pasqyron dëshirën e Demaçit dhe Kurtit për të ushtruar autoritet” – tha dëshmitari lidhur me këtë rast.
Dëshmitari shtoi se nuk ka qenë qëllimi i tij që të kuptohet se Demaçi nuk kishte autoritet, por që sipas tij, kishte më shumë autoritet moral dhe deri diku politik.
“Nuk po them që Demaçi nuk kishte autoritet, nuk kam dashur ta shpreh në këtë formë, Demaçi kishte autoritet moral dhe deri diku autoritet politik”.
“Ai nuk ushtronte autoritet të konsiderueshëm në çështjet ushtarake, të sigurisë dhe forcat e angazhuara në luftime” – shtoi tutje dëshmitari Abrahams.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.
Ata nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.