Seanca ndaj hetueseve policorë të akuzuar për ryshfet, 4 korrik 2023

Prokurorja në pushim vjetor, shtyhet seanca ndaj hetueseve policorë të akuzuar për ryshfet

Ka dështuar të mbahet të martën seanca gjyqësore ndaj hetuesve policorë, Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, të cilët po akuzohen për marrje ryshfeti për mosveprim lidhur me hetimin e lojërave të fatit.

Në këtë seancë që ishte paraparë të mbahej shqyrtimi gjyqësor, dështoi pasi mungoi prokurorja e çështjes, Fitore Sadikaj.

Kryesuesja e trupit gjykues Sulltane Hoti, njoftoi palët prezente se prokurorja Sadikaj më datë 29 qershor kishte njoftuar përmes e-mailit se gjendet në pushim vjetor jashtë vendit.

Seanca është shtyrë për 29 shtator të këtij viti nga ora 09:30.

Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi akuzohen nga Prokuroria se duke qenë në pozitën e zyrtarëve -hetues në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Eknomike kanë keqpërdorur pozitën zyrtare duke marrë ryshfet për të mos vepruar lidhur me hetimin e lojërave të fatit.

Sipas aktakuzës të datës 30 qershor të vitit 2020, të njëjtit kanë shkuar afër Gjykatës Kushtetuese, janë takuar në nëntor të vitit 2019 me Driton Berishën dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1,500 euro, në prezencë të D. H., me ç’rast së bashku kanë arritur marrëveshje që të akuzuarit nuk do të ndërmarrin veprime hetimore ndaj lojërave të fatit dhe kanë premtuar bashkëpunim të kundërligjshëm në të ardhmen, në këmbim të marrjes së ryshfetit, edhe pse kanë qenë në dijeni se lojërat e fatit kanë qenë të ndaluara me ligj.

Përveç barrës së akuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti, i akuzuari Lutfi Menxhiqi akuzohet edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve, për të cilën i akuzuari e kishte pranuar fajësinë.

Sipas aktakuzës Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e personave zyrtarë – hetues në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishin pranuar ryshfet që të  mos veprojnë sipas detyrës zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit paraprakisht janë takuar në një kafiteri me D. H. dhe kanë arritur marrëveshje që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit.

Sipas aktakuzës, ky ryshfet ndahet në mes të akuzuarve në dy pjesë nga 1,250 euro dhe 500 euro ia dërgojnë kolegut të tyre Faton Zabergja. Për këto veprime akuzohen për veprën penale të kryer në bashkëkryerje “marrje ryshfeti”.

Sipas aktit akuzues, Lavdim Osmani më 9 janar 2020, rreth orës 18:00, në Prishtinë, në rrugën C, në cilësinë e personit zyrtar – hetues në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pranon ryshfet që mos veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani, në një restorant në rrugën Prishtinë Lipjan, ia dorëzon dëshmitarit bashkëpunues D. H., paratë në vlerë prej 3,000 euro, ky i fundit niset me veturë menjëherë dhe vazhdon për në Prishtinë, lagje Mati 1, në rrugën C, ku i pandehuri ishte duke e pritur, hynë në veturë dhe nga D. H. i merr paratë në vlerë prej 3,000 euro.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.

Tutje, me 5 shkurt 2020, Lavdim Osmani akuzohet se rreth orës 17:30, në Prishtinë, në rrugën C, Mati 1, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar ryshfet që mos të veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që nën masat e simulimit të  veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani ia dorëzon paratë prej 3,000 euro D. H., pastaj ky i fundit niset menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartëmonedhave i ndërron, ndërsa një pjesë të parave në vlerë prej 1,300 euro ia dorëzon të pandehurit Lavdim Osmani dhe të tjerat i ndal për vete, e pasi i pandehuri Lavdim Osmani del nga vetura menjëherë arrestohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe në xhepin e tij gjenden paratë të cilat ishin nën masën e simulimit.

Për këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.

Sipas aktakuzës, Lutfi Menxhiqi akuzohet se më 4 dhjetor 2019 ka keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, ashtu që pasi ishin marr vesh paraprakisht në një takim në fillim të muajit nëntor 2019 në Prishtinë, në një kafiteri, me dëshmitarin Driton Berishën dhe D. H., për t’i njoftuar për aksionet e policisë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i dërgon informata dëshmitarin bashkëpunues D. H. me qëllim që të përfitojë dobi pasurore.

Në aktakuzë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që me 4 dhjetor 2019, D. H. e thërret në telefon të pandehurin dhe i kërkon informata nëse ka filluar ndonjë kontroll nga policia ndaj lojërave të fatit, vetëm pas pak kohës në orën 21:23, i pandehuri nga telefoni i tij personal, përmes rrjetit “Viber”, i dërgon mesazh D. H. duke e njoftuar se policia ka filluar kontrollin në Fushë Kosovë duke i shkruar: “D. H. po dal vet, po kqyri se sot i fushë Kosovës pom doket paska hi s`iu kishin dhanë kompetencë edhe stacioneve mo me hi në do raste tani i dorëzojnë te na, po unë po nisna menjëherë po kqyri çka ka”, e krejt kjo edhe pse i pandehuri e dinte se lojërat e fatit ishin të ndalura me ligj.

Për këtë akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Tutje në aktakuzë thuhet se Menxhiqi, me 5 shkurt 2020, në orën 22:40, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë,  në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar armë në shkelje të ligjit të zbatueshëm, në atë mënyrë që gjatë kontrollit sipas urdhër kontrollit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe zbatuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, te i pandehuri janë gjetur armë automatike të zjarrit, 2 pushkë automatike AK-47, numër serik 0462-89 dhe numër serik 85NU2414, me dy karikatorë dhe të gjitha janë konfiskuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Për këtë ai akuzohet për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Të gjitha raportimet lidhur me këtë rast, mund t’i ndiqni në këtë LINK.