Prokuroria e Prizrenit - aktakuzë ndaj të dyshuarit për grabitje të armatosur

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër D. G., për veprat penale të dyshuara grabitja dhe grabitja e ngelur në tentativë.

Sipas njoftimit, D. G., dyshohet se ka kryer këto vepra në dy raste të ndryshme në qytetin e Prizrenit dhe Prishtinës, duke shfrytëzuar forcën dhe kërcënimin e armëve të zjarrit.

Sipas aktakuzës, më datë 27 janar 2023, rreth orës 15:09, në Prizren, në rrugën “Ahmet Prishtina”, D. G. ka kryer grabitjen e një objektit mikro financiar “F.”

I njëjti i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit – në njërën dorë dhe duke mbajtur thikën në dorën tjetër, merr peng punëtorin e filiales Y. P., i cili në ato momente ishte në shkallët e objektit, të cilin e shtrëngon për krahu, me të cilin hyn brenda duke bërtitur dhe duke kërkuar para.

I pandehuri arrin që t’i marrë 11,370.00 euro, dhe ashtu i maskuar dhe me armët në duar largohet nga pjesa e pasme e objektit për në drejtim të panjohur.

Me këto veprime i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale grabitja.

Po ashtu, sipas aktakuzës më datë 3 maj 2023, rreth orës 16:01, në të njëjtën rrugë “Ahmet Prishtina” në Prizren, D. G. ka tentuar të kryejë një grabitje të dytë në të njëjtën objekt “F.”

Në aktakuzë sqarohet se i maskuar dhe nën kërcënimin e armës – pistoletës, i pandehuri tenton të kryej grabitjen mirëpo pengohet nga zyrtari për sigurimin e objektit – i dëmtuari S. Th., me të cilin konfrontohet fizikisht dhe i shkakton lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme të shëndetit.

I gjendur në situatë konfrontimi dhe i penguar nga zyrtari i sigurimit, i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Me këto veprime ai akuzohet se ka kryer veprën penale grabitja e ngelur në tentativë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, më datë 4 maj 2023, rreth orës 13:35, në Prishtinë, D. G. ka kryer një grabitje të tretë në një objektin e filialit mikro financiar “C.R.”.

I njëjti pasi një ditë më parë kishte kryer tentim grabitjen në Prizren, duke qenë në kërkim policor, me veturën e tij të arratiset në Prishtinë, i ndërron rrobat në veturë dhe i maskuar e nën kërcënimin e armës – pistoletës, futet brenda ku ishte e vetme arkëtarja A. F., të cilës i drejton armën e zjarrit.

E dëmtuara duke u ndier e kanosur dhe frikësuar i jep të hollat që kishte në tavolinë, në vlerë prej 2,280 euro, dhe ashtu i maskuar dhe me armë në dorë i pandehuri largohet nga pjesa e pasme e objektit për në drejtim të veturës me të cilën largohet në drejtim të panjohur.

Me këto veprime D. G. akuzohet se ka kryer veprën penale grabitja.