Prizren - Aktakuzë ndaj të dyshuarit i cili tentoi të falsifikojë para nga shtëpia e tij

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj L. B., për shkak të dyshimit se i njëjti në shtëpinë e tij ka tentuar të falsifikojë para.

Sipas njoftimi të prokurorisë, i dyshuari nga tetori i vitit 2019 deri më 20 janar 2020, në fshatin Hoqë e Qytetit – Komuna e Prizrenit, tenton të prodhojë para të falsifikuara të valutës 50 USD – dollarë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri gjithashtu përgatitë pajisjet si fotokopje, printer, skaner, një makinë për ngjyrosjen dhe shtypjen e parave si dhe letrën A4 të cilësisë së lartë për printim, ku përmbajtja e këtij materiali të letrës e ka figurën dhe formën që gjendet në kartëmonedhën 50 dollarëshe, vijat identifikuese si dhe shiritin e sigurisë e ka të njëjtë, të një kualiteti të mirë për falsifikim.

“I  pandehuri i ka përgatitur që në një letër të formatit A4 të printohen 4×50 dollarë, ndërsa nëse merret numri i letrave që është 500 copë në një paketë, ajo arrin shumën rreth 100,000 dollarë në një paketë, dhe nëse merret numri prej 7 paketave të letrës të cilët janë konfiskuar dhe ishin përgatitur për printim kishin arritur shumën prej 700,000 dollarë të falsifikuara”, thuhet në aktakuzë.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës Prokuroria ka propozuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.