Gjykimi për plagosjen e Azem Vllasit

Plagosja e Azem Vllasit, i akuzuari tregon për lidhjet e tij me Murat Jasharin e Sadri Ramabajën

Behgjet Luzha, njëri ndër të akuzuarit në rastin e plagosjes së avokatit Azem Vllasi ka rrëfyer para gjykatës për raportet e tij me të akuzuarin Murat Jashari.

“Me Murat Jasharin njihem që nga 84-ta, jemi takuar në Zvicër, poashtu është edhe daja i gruas time. Por nga 2009-ta nuk kam pasur kontakt, me përjashtim të vitit 2017, kur ka ardhur për vit të ri tek ne’’, tha i akuzuari Behgjet Luzha.

“Që nga viti 1992 nuk kam qenë jashtë Kosovës, ndërsa Sadri Ramabajën e kam dajë të nënës’’, vazhdoi tutje i akuzuari.

“Unë nuk kisha ftesë për të shkuar në ndejën të Ragipi, por Murati ishte te unë dhe kemi shkuar bashkë pasi Ragipi e kishte dërguar dikë për të na marrë”, deklaroi i akuzuari Luzha.

Kur kemi hyrë me Muratin, ka filluar ahengu me çiftelia dhe Murati ka filluar t’u shpërndajë nga një libër. Pastaj ka dal Ragip Sallova dhe tha se e kemi formuar një kryesi, dhe Murati e mori fjalën dhe filloi të flasë për komandantët, tradhtarët që lypin mi vra, e gjëra të tilla. Aty e ka përmendur edhe një organizatë e që më vonë kam kuptuar se është fjala për organizatën Syri i Popullit’’, tha i akuzuari Luzha.

Prokurori special Sylë Hoxha e pyeti të akuzuarin se sa ka qëndruar Murat Jashari te ju kur ka ardhur për vit të ri?

I akuzuari Luzha tha se “20 ditë ka qëndruar”.

“Murat Jashari në atë ndej te Ragipi, ka fol për komandantë, por unë si kam kushtuar rëndësi emrave që i ka përmendur”, tha i akuzuari Luzha.

I pyetur nga prokurori Sylë Hoxha se me kë është larguar nga shtëpia e tij Murat Jashari?

I akuzuari Behgjet Luzha deklaroi se “Me Sabit Berishën është larguar”.

I akuzuari Luzha tha se “Me të akuzuarin Sabit Berisha njihen dhe shoqërohen dhe kjo është arsye pse akuzohet që dy tri herë Sabiti’’, deklaroi i akuzuari Luzha.

I akuzuari Avni Llumenica e pyeti të akuzuarin Luzha se “Sa ishte ora kur Murati kishte daluar nga shtëpia e juaj?”.

I akuzuari Luzha tha se “Ndërmjet orës 15 -17:00’’.

‘’Kur ka shkruar librin Murati më ka thënë a ke ndonjë pyetje për Hashimin, Kadrinë, Xhavitin, Ali Ahmetin? Unë i kam thënë mos u merr me këto probleme”, tha i akuzuari Luzha.

“A mendon se Murat Jashari ka qenë i aftë me shkru këtë libër pyeti?’’, gjykatësi Vesel Ismajli.

“Gruaja e Muratit më ka treguar se Metush Zenuni ka shkuar në shtëpinë e Muratit dhe ka hequr gjithë materialin që ka qenë në shtëpinë e Muratit dhe unë mendoj se ai qëndron prapa këtij libri, jo Murati’’, deklaroi i akuzuari Berisha.

I akuzuari në rastin e plagosjes së Azem Vllasit, flet për redaktimin e librit ‘Lufta e Pambaruar’

I akuzuari Sabit Berisha ‘Në media kam dëgjuar për plagosjen e Azem Vllasit’

 

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt.  Aktakuza ka të bëjë me plagosjen e ish-politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi, tani avokat.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit, Naime Krasniqi-Jashanica kryetare e trupit gjykues si dhe dy anëtaret e tjerë Valbona Musliu-Selimaj dhe Vesel Ismajli.

Ndërsa aktakuzën e Prokurorisë është duke e përfaqësuar Prokurori Special Sylë Hoxha.

Pjesë e aktakuzë janë veprat penale duke filluar hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.