Gjykimi pë plagosjen e Azem Vllasit - 10.10.2019

I akuzuari në rastin e plagosjes së Azem Vllasit, flet për redaktimin e librit 'Lufta e Pambaruar'

Marrja në pyetje e të akuzuarit në rastin e plagosjes së avokatit Azem Vllasi, Sadri Ramabaja ka përfunduar.

I akuzuari Ramabaja ka deklaruar se “Arsyet pse jam këtu sot janë bindjet e mia politike dhe përgatitjet e mija super profesionale”.

Gjykatësi Vesel Ismajli, e pyeti të akuzuarin Ramabaja se “Duke marr parasysh përgatitjet tuaja profesionale si të është dukur redaktimi i librit “Lufta e pambaruar’’ dhe cila ishte arsyeja që keni redaktuar librin”.

“Ka qenë pikërisht fati tragjik i mikut tim Behadin Hallaçit, për çka pas insistimeve të shumta të Murat Jasharit kam pranuar që ta redaktoj librin, unë edhe sot me një pjesë të librit nuk pajtohem’’, tha Ramabaja.

“Derisa ishit në aeroportin e Adem Jasharit, ju thatë se “…më është afruar një person dhe ju ka thënë profesor ke kujdes se rrezikoheni me jetë”. Një herë keni thënë se ka qenë student i juaji e një herë agjent i AKI-së. Cila është e vërteta?”, pyeti gjykatësi Vesel Ismajli.

“Po më është thënë lëshojeni vendin për disa muaj. Ai person është shok i disave në AKI dhe e kam cilësuar si ndërgjegje e zgjuar kombëtare brenda AKI-së. Kam dilema të mëdha, sepse s`kam pas mundësi ta verifikojë a ka qenë proces i paralajmërimit, apo shantazhit, por koha do ta vërtetojë’’, tha i akuzuari Ramabaja.

Në pyetjen e gjykatëses Naime Jashanica “Pse mendoni që po hakmerret dikush ndaj juve?”.

Ramabaja tha “Procesi është pjesë e skenarit për shpalljen e jashtëligjshme të Lëvizjes së Vetëvendosje dhe unë jam viktima e skenaristëve, hakmarrja është e karakterit të pastër politik. S`kam asgjë personale as me Thaçin, as me Azemin, kam informacion se prokurori ka dhënë urdhër për arrestimin e Murat Jasharit që nga hyrja e tij në Kosovë, Azem Vllasi është zgjedhur kokë turku’’.

Ndërsa emri i Ali Vllasit i kujton të akuzuarit Ramabaja se ai “Ka qenë ‘udbash’- krye hetuesi im dhe njëri prej sadistëve që ka punuar në shërbimin e Serbisë në rajonin e Gjilanit. Ai më ka sjellë buzë varrit dy herë, për këtë kam së paku 10 dëshmitarë. Bashkë me bashkëpunëtorët e tij me kanë marrë nga burgu i Vranjës pas mesnate dhe më kanë dërguar në malet e Vllasinës për pushkatim. Mbi një orë kanë simuluar pushkatimin tim, kam menduar se nuk do të jetoj më’’, tha Ramabaja.

Lidhur me raportin e tij me të akuzuarin Murat Jashari, Ramabaja tha se “Murat Jasharin e njoh prej marsit 1987, pasi isha liruar nga burgu, unë arrita t`i shmangem ri-arrestimit tim japonez që më bënte Azem Vllasi me ekipin e tij. U arratisa në Zvicër me ndihmën e Lëvizjes, anëtar i së cilës isha. Për 4 vjet kam qenë anëtar i redaksisë së ‘Zërit të Kosovës’, dhe pasi Murati kishte banesë të madhe dhe na ka lënë në dispozicion banesën për redaksi’’, tha Ramabaja.

“Me Muratin nuk jam takuar që nga viti 1991 deri në nëntor të vitit 2016 në të pamën që ishim për Astrit Deharin”, tha Ramabaja

‘Tutje ai tha se “Murati më ka telefonuar shpesh derisa vëllai im ishte sëmurë për të pyetur për gjendjen e tij shëndetësore’’.

“Librin nuk kam pranuar ta redaktoj sepse që në hyrje e kam parë që nuk është mirë mendërisht’’, tha Ramabaja

Ndërsa për titullin “Luftë e pambaruar, kam qenë i inspiruar  nga libri “Mirë u pafshim në luftën tjetër’’ e Mehmet Krajës, sepse lufta de-fakto me Serbinë ende nuk ka mbaruar’’, tha Ramabaja.

“Është turp për prokurorin që e ka fut në aktakuzë librin ‘’Lufta e Pambaruar’’. Unë kurrë nga Murat Jashari nuk kam marrë letër më të cilën jam njoftuar se është formuar Syri i Popullit”, deklaroi tutje Ramabaja.

Ramabaja e quajti moment kritik kur gjykatësja Naime Jashanica përmendi detyrat  e tij për përpilimin e komunikatave, reagimeve, njoftimeve të precizuara në platformën e organizatës ‘Syri i Popullit’.

Për fund Ramabaja tha se “Kushtetuta garanton shprehjen e lirë të mendimit, andaj këto dy vite sa jam i paraburgosur janë rezultat i shkeljes së këtij parimi’’.

https://kallxo.com/ligji/plagosja-e-azem-vllasit-shtyhet-seanca-ku-po-merrej-ne-pyetje-i-akuzuari-sadri-ramabaja/

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt.

Aktakuza ka të bëjë me plagosjen e ish-politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi, tani avokat.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit, Naime Krasniqi-Jashanica kryetare e trupit gjykues si dhe dy anëtaret e tjerë Valbona Musliu-Selimaj dhe Vesel Ismajli.

Ndërsa aktakuzën e Prokurorisë është duke e përfaqësuar Prokurori Special Sylë Hoxha.

Pjesë e aktakuzë janë veprat penale duke filluar hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.