Gjykimi pë plagosjen e Azem Vllasit - 10.10.2019

I akuzuari Sabit Berisha 'Në media kam dëgjuar për plagosjen e Azem Vllasit'

Sabit Berisha, i akuzuari i katërt në rastin e plagosjes së avokatit Azem Vllasi është marrë në pyetje sot në seancën gjyqësore ndaj tij dhe të akuzuarve të tjerë.

“Të akuzuarin Murat Jasharin e njoh afër 20 vite, për tërë këto vite 2-3 herë jemi taku, në vitin 2000-2001 gjatë luftës së Maqedoni’’, deklaroi Berisha.

Ai tha se “Me Muratin jam takuar në Prishtinë, tri apo katër ditë para rastit të Azem Vllasit’’.

“Ne s`kemi folur asgjë lidhur me Azem Vllasin, ndërsa të akuzuarin Ragip Sallovën e kam takuar vetëm kur ia kam dhënë librat “Lufta e Pambaruar’’, sipas porosisë së Murat Jasharit’’, deklaroi Sabit Berisha.

“Poashtu edhe Sadri Ramabajën e kam takuar për t’ia dhënë librat’’, tha i akuzuari Berisha.

“Ndërsa Behgjet Luzhën e njoh tash e 20 vite prej luftës së fundit në Maqedoni, poashtu me familjen e të njëjtit hyjmë e dalim’’, tha ai.

Lidhur me organizatën ‘Syri i Popullit’ Berisha tha se ka dëgjuar përmes mediave kur ka ndodhur plagosja e Azem Vllasit.

Lidhur me plagosjen e Azem Vllasit i akuzuari Berisha tha se ‘i vjen keq’.

“Transportimin e librave e kam bërë me propozimin e Behgjetit, i cili gjithashtu më ka thënë se ke përqindje prej 2 euro në shitjen e librit, por asnjë libër nuk është shitur dhe unë nuk kam fituar asgjë’’, vazhdoi i akuzuari Berisha.

“Poashtu librin ‘Lufta e pambaruar’ as vet se kam lexuar”, tha i akuzuari Berisha.

Ndërsa për takimin me Murat Jasharin tha se “Ne jemi takuar rastësisht afër Stacionit të Autobusëve, kemi shkuar drejt ‘Lakrishtes’, kemi shkuar në një restorant, kemi pirë kafe. Pastaj kemi shkuar në librarinë ‘’Buzuku’’ është prezantuar si autor i librit dhe ka biseduar rreth librit me një drejtoreshë’’, tha i akuzuari Berisha.

“Me Muratin kemi biseduar për fëmijërinë e tij dhe se kam studiuar në çfarë gjendje shëndetësore ishte”, tha i akuzuari Berisha

I pyetur nga prokuroi i rastit Sylë Hoxha se “Para sa dite e keni dërguar Muratin në Begraqë, në fshatin e Behgjet Luzhës, para se të ndodhte rasti i Azem Vllasit?”.

AI akuzuari Berisha u përgjigj: “3-4 ditë”.

“Ishte po e njëjta ditë kur ne shkuam në librari, pastaj Murati më kërkoi ta dërgoja në fshatin Begraq te Behgjet Luzha’’, tha i akuzuari Berisha.

‘’Në Shtëpi të Behgjetit e kam dëgjuar Muratin duke biseduar me motrën e Avniut dhe nga ajo ka kërkuar numrin e Avniut, pastaj ka biseduar me Avniun dhe nga biseda në telefon Avnia i ka thënë Muratit ‘a mundesh me ardhë në Prishtinë’’,  deklaroi i akuzuari Berisha.

Ndërsa i akuzuari Avni Llumenica, e pyeti se “Kush ia ka dhënë numrin tim Murat Jasharit, sepse motra ime nuk e ka pasur numrin tim?’’.

“Nuk e di”, tha i akuzuari Berisha.

I pyetur nga gjykatësi Vesel Ismajli, se si ka ardhur Murat Jashari deri te numri yt?

I akuzuari Berisha tha ‘’Behgjeti ia ka dhënë numrin tim për transportimin e librave’’.

“Nga koha kur jemi takuar me Muratin e deri sa më ka thirr në telefon kanë kaluar 7-8 vite”, tha i akuzuari Berisha.

I pyetur nga gjykatësi Vesel Ismjali pse Murati të ka zgjedhur ty për shpërndarjen e  librave?

I akuzuari Berisha tha “Nuk e di’’.

“Murati si shok dhe mik shtëpisë ka ndejt te Behgjeti, aty i ka pas edhe rrobat’’, tha i akuzuari Berisha.

I pyetur nga gjykatësja Naime Jashanica, se si të ka njohur ty Murati?

I akuzuari Berisha deklaroi se “Më shumë nga pseudonimi im që e kam ‘’Jeziti’’.

‘’Kur e kam parë në media rastin se kam besu që Murati është në gjendje me bo këtë sen’’, deklaroi në fund i akuzuari Sabit Berisha.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt.  Aktakuza ka të bëjë me plagosjen e ish-politikanit kosovar të viteve 1980, Azem Vllasi, tani avokat.

Ky proces gjyqësor është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit, Naime Krasniqi-Jashanica kryetare e trupit gjykues si dhe dy anëtaret e tjerë Valbona Musliu-Selimaj dhe Vesel Ismajli.

Ndërsa aktakuzën e Prokurorisë është duke e përfaqësuar Prokurori Special Sylë Hoxha.

Pjesë e aktakuzë janë veprat penale duke filluar hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast.