Gjykata Themelore në Prizren

Një muaj paraburgim prizrenasit, që i ofroi 50 euro ryshfet policit

Gjykata e Prizrenit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.C. I njëjti sipas Prokurorisë dyshohet se ka kryer veprën penale dhënia e ryshfetit.

Sipas Gjykatës, më 12 dhjetor 2021, në pikën kufitare në Vërmicë, kufiri Shqipëri-Kosovë, në mënyrë të drejtpërdrejt ofron dhuratë të paarsyeshme apo përfitim tjetër personit zyrtar.

I pandehuri, sipas komunikatës së Gjykatës së Prizrenit, afrohet për kontroll në kabinë te zyrtari policor, dhe në lejen e qarkullimit të automjetit vendos një kartëmonedha me vlerë prej pesëdhjete eurove.

“Në momentin që i vëren zyrtari i policisë, e pyet se përse janë këto para, i pandehuri i përgjigjet “këto të holla i kam lënë për ju, për respekt tuajin, nuk kemi certifikatë të vaksinimit, dhe as testin PCR për Covid-19, nëse do të keni mundësitë na lejoni hyrjen””, thuhet në komunikatë.

Duke marr parasysh peshën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, ku i pandehuri ka tentuar që të kaloj pikëkalimin kufitar përmes dhënies së ryshfetit dhe qëllimin e tij të kalojë kufirin pa i përfillur dhe respektuar procedurat dhe rregullat e Republikës së Kosovës, tregojnë rrezikun se i njëjti mund të përsërisë veprën penale, andaj Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura, është më i domosdoshëm dhe i shërben efikasitetit të procedurës penale.

Masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit do të zgjasë nga data 12 dhjetor 2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 12 janar 2022.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.