Foto: KALLXO.com

Mitrovicë, Gjykata liron të akuzuarit për tentim vrasje të dy doganierëve dhe një polici

Gjykata e Mitrovicës ka liruar nga aktakuza Mentor Beqirin, Jahë Osmanin, Alban Osmanin dhe Arijanit Beqirin.

Mentor Beqiri akuzohej për shtytje në vrasje në tentativë dhe pengim të personit zyrtar, ndërsa tre të tjerët akuzoheshin për vrasje në tentativë të dy zyrtarëve të Doganës dhe të një polici të Kosovës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, në vitin 2007 të akuzuarit me veturat e tyre u kishin zënë pritën dhe kishin tentuar që veturën e dy zyrtarëve doganorë dhe një polici ta nxirrnin jashtë rruge.

Në seancën e sotme, gjykatësi Mentor Hajra ka thënë se të pandehurit janë liruar nga aktakuza në mungesë të provave.

“Gjykata pasi që ka vlerësuar të gjitha provat e administruara në shqyrtim gjyqësor një nga një dhe si tërësi ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se të akuzuarit Mentor Beqiri, Arijanit Beqiri, Jahë Osmani dhe Alban Osmani t’i kenë kryer veprat penale për të cilat ata akuzohen” – tha gjyqtari Hajra.

“I pandehuri Mentor Beqiri për veprën penale – nxitje në tentim vrasje të rëndë lirohet nga akuza në mungesë të provave. Ndërsa, sa i përket veprës penale – pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare refuzohet aktakuza me qenë se Prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale në shqyrtim gjyqësor”– shtoi gjyqtari.

“Të pandehurit Arijanit Beqiri, Jahe Osmani e Alban Osmani për veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë lirohen gjithashtu nga aktakuza në mungesë të provave”- theksoi gjyqtari.

Trupi gjykues në këtë rast përbëhej nga gjyqtarët Mentor Hajra, Xhemajl Jusufi dhe Ali Kutllovci.

E Rafet Ibrahimi, zyrtari policor i cili ishte në veturë, mbeti pa koment nga vendimi i Gjykatës.

“Lidhur me vendimin e Gjykatës të ditës së sotme, vetë fakti se qysh prej 2007-tës d.m.th. apo rikthimi nga Gjykata Supreme i vendimit të kaluar në rivendosje. 15 vite nuk është marrë askush me rastin në fjalë që ka qenë rast për nivelet kryesore për me u marrë me rast, për problemet ma të mëdhaja të problemeve të Mitrovicës në atë kohë, kontrabandës, krimit të organizuar, të gjithave. Vetë fakti i verdiktit të sotëm do të thotë shumë. Njeriu mbetet pa koment me drejtësinë në Kosovë. Nuk di çka me thanë ma shumë. Kjo është e tepërt”- ka thënë ai.

Ndryshe, KALLXO.com pati raportuar nga tri shqyrtimet gjyqësore që i ka mbajtur Gjykata. Në seancat e kaluara patën dëshmuar të dëmtuarit Rafet Ibrahimi, Driton Azemi dhe Bekim Behrami.

https://kallxo.com/lajm/vrasja-ne-tentative-ndaj-dy-oficereve-doganore-dhe-nje-polici-te-demtuarit-rrefejne-se-si-ndodhi-ngjarja/

https://kallxo.com/lajm/gjykimi-per-tentim-vrasjen-e-dy-doganiereve-dhe-nje-polici-i-demtuari-rrefen-ne-hollesi-ngjarjen/

https://kallxo.com/lajm/te-akuzuarit-per-tentim-vrasje-te-doganiereve-dhe-policit-dhane-fjalen-perfundimtare-shpallja-e-aktgjykimit-me-20-dhjetor/