Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Vrasja në tentativë ndaj dy oficerëve doganorë dhe një polici, të dëmtuarit rrëfejnë se si ndodhi ngjarja

Në Gjykatën e Mitrovicës është mbajtur seanca gjyqësore ndaj katër të akuzuarve për vrasje në tentativë dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Mentor Beqiri po akuzohet për shtyrje në vrasje në tentativë dhe për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare. Ndërsa Arijanit Beqiri, Jahë Osmani dhe Alban Osmani po akuzohen për vrasje në tentativë.

Të dëmtuar në këtë rast janë dy oficerë doganorë Driton Azemi dhe Bekim Behrami si dhe polici Rafet Ibrahimi. Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 4 mars të vitit 2007, rreth orës 5:00 në rrugën magjistrale Mitrovicë-Prishtinë.

Në seancë kanë dëshmuar dy nga personat e dëmtuar, oficeri doganor Driton Azemi dhe polici Rafet Ibrahimi.

“Kur jam ngrit, kam pa automjete nga para, anash dhe pas. Nuk e di se si kemi dalë deri në asfalt. E kam kartelën shëndetësore që figurojnë të gjitha raportet e auditimit të 2007 dhe 2008 të pësuara. Në momentin që ka fillu me u trajtu rasti fillimisht kemi shku te mjeku e pastaj kemi dhënë deklaratë” – ka thënë i dëmtuari Rafet Ibrahimi.

Tutje, i dëmtuar tjetër Driton Azemi i cili ka qenë duke vozitur ka rrëfyer se si ka ndodhur ngjarja.

“Fillimisht jemi takuar përballë ‘Hotel Palace’ ku vetura e parë ka dalë aty dhe kjo ka vazhdu deri në fshatin Nedakovcë. Ne kemi qenë duke udhëtuar në drejtim të Prishtinës dhe ka dalë automjeti i parë i cili është ndaluar në mes të rrugës dhe kam manovruar në anën e djathtë. Unë kam qenë vozitësi dhe kam vazhduar në drejtim të Prishtinës. Dy rrotat e anës së djathtë dolën nga rruga për t’i ikur goditjes dhe kam vazhduar në drejtim të Prishtinës” – konfirmoi ai.

Në aktakuzën e prokurorisë thuhet se tre të akuzuarit arrijnë që me veturat e tyre ta zënë dhe ta fusin në mes veturën zyrtare ku janë të dëmtuarit. Me qëllim që veturën ta qesin jashtë rrugës dhe kështu duke u rrokullisur kjo veturë në humnerë, të dëmtuarit marrin plagë vdekjeprurëse.

Por edhe pas disa tentimeve që me veturat e tyre ta godasin veturën e të dëmtuarve këta nuk arrijnë këtë falë të dëmtuarit Driton Azemi, i cili me manovrim të shkathtë të vozitjes arrin t’i shmanget goditjes së ndonjërës prej tri veturave të të pandehurve dhe të largohet nga vendi i ngjarjes.

Seanca e radhës do të mbahet më 16 nëntor, me fillim prej orës 10:00.