Të akuzuarit për tentim vrasje të doganierëve dhe policit dhanë fjalën përfundimtare, shpallja e aktgjykimit më 20 dhjetor

Të akuzuarit për tentim vrasjen e dy doganierëve dhe një polici të Kosovës kanë dhënë sot fjalët përfundimtare në Gjykatën e Mitrovicës.

Në këtë rast, Mentor Beqiri po akuzohet për shtytje në vrasje në tentativë dhe për pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Ndërsa Arijanit Beqiri, Jahë Osmani dhe Alban Osmani po akuzohen për vrasje në tentativë.

Të dëmtuar në këtë rast janë dy oficerë doganorë, Driton Azemi dhe Bekim Behrami, si dhe polici Rafet Ibrahimi.

Në fjalën përfundimtare dy avokatë shprehimisht kërkuan lirimin nga akuza të të mbrojturve të tyre.

Ndërsa Prokuroria dhe dy mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë fjalën përfundimtare e dorëzuan me shkrim, duke mos e elaboruar fare.

Berat Peci, avokati i Arijanit Beqirit dhe Xhafer Maliqi, avokat i Jahë Osmanit, kanë kërkuar nga Gjykata që të mbrojturit e tyre të shpallen të pafajshëm.

“Duke marrë parasysh shkresat e lëndës që përmban aktakuza në të cilët ngarkohet i mbrojturi, duke marrë parasysh  deklarimet në këtë Gjykatë të dëshmitarëve të cilët në asnjë rrethanë në deklarimet e tyre nuk kanë konstatuar se i mbrojturi mund të konsumojë veprën penale me të cilën është i ngarkuar, duke marrë parasysh të gjitha këto i propozoj Gjykatës që konform legjislacionit të mbrojturin tim ta shpallë të pafajshëm”- ka thënë Berat Peci.

“I propozoj Gjykatës që në bazë të nenit 363, paragrafi 1, pika 3 të procedurës penale të marrë aktgjykim lirues për të mbrojturin tim”- ka thënë Xhafer Maliqi.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 20 dhjetor të këtij viti.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se tre të akuzuarit arrijnë që me veturat e tyre ta zënë dhe ta fusin në mes veturën zyrtare ku janë të dëmtuarit, me qëllim që veturën ta nxirrnin jashtë rrugës dhe të përfundonte në humnerë, ku të dëmtuarit do të merrnin plagë vdekjeprurëse.

Por edhe pas disa tentimeve që me veturat e tyre ta godasin veturën e të dëmtuarve këta nuk arrijnë këtë falë të dëmtuarit Driton Azemi, i cili me manovrim të shkathtë të vozitjes arrin t’i shmanget goditjes së ndonjërës prej tri veturave të të pandehurve dhe të largohet nga vendi i ngjarjes.