Gjykimi për tentim-vrasjen e dy doganierëve dhe një polici, i dëmtuari rrëfen në hollësi ngjarjen

Në Gjykatën e Mitrovicës është mbajtur seanca gjyqësore ndaj katër të akuzuarve për vrasje në tentativë dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Mentor Beqiri po akuzohet për shtytje në vrasje në tentativë dhe për pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Ndërsa Arijanit Beqiri, Jahë Osmani dhe Alban Osmani po akuzohen për vrasje në tentativë.

Të dëmtuar në këtë rast janë dy oficerë doganorë, Driton Azemi dhe Bekim Behrami, si dhe polici Rafet Ibrahimi.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 4 mars të vitit 2007, rreth orës 5:00 në rrugën magjistrale Mitrovicë-Prishtinë.

Në seancën e së enjtes ka dëshmuar Bekim Behrami, i cili ka rrëfyer se si ishin ndjekur nga disa persona me vetura të ndryshme.

Dëshmitari tregoi në detaje ngjarjen që nga fillimi, kur së pari i kishin dalë në rrugë me një veturë, derisa ky dhe Driton Azemi dhe Rafet Ibrahimi ishin duke udhëtuar me veturë zyrtare.

Behrami ka thënë se ka qenë shkathtësia e Driton Azemit që ka shmangur më të keqen, duke devijuar rrugën me veturë për të mos u përplasur me veturat që i kishin përcjellë dhe zënë rrugën.

Bekim Behrami ka thënë se veturat që i kanë përcjellë dhe ua kanë zënë rrugën kanë qenë të markave të ndryshme.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se tre të akuzuarit arrijnë që me veturat e tyre ta zënë dhe ta fusin në mes veturën zyrtare ku janë të dëmtuarit, me qëllim që veturën ta nxirrnin jashtë rrugës dhe të përfundonte në humnerë, ku të dëmtuarit do të merrnin plagë vdekjeprurëse.

Por edhe pas disa tentimeve që me veturat e tyre ta godasin veturën e të dëmtuarve këta nuk arrijnë këtë falë të dëmtuarit Driton Azemi, i cili me manovrim të shkathtë të vozitjes arrin t’i shmanget goditjes së ndonjërës prej tri veturave të të pandehurve dhe të largohet nga vendi i ngjarjes.

Seanca përfundimtare do të mbahet më 15 dhjetor.