
Merr fund edhe rigjykimi i katërt i inspektorit nga Kamenica
Në Gjykatën e Gjilanit sot është mbajtur seanca ndaj inspektorit të Komunës së Kamenicës, Sadullah Dërmaku, i akuzuar për marrje ryshfeti.
Ky shqyrtim gjyqësor është i katërti me radhë, pasi Gjykata e Apelit tre herë radhazi e ka kthyer në rigjykim, duke i prishur vendimet e Gjykatës së Gjilanit.
Kujtojmë se këtë rast ka qenë duke e gjykuar gjykatësi Zyhdi Haziri, kurse pas kalimit të tij në Gjykatën e Apelit tani lënda gjykohet nga gjykatësi Ramiz Azizi.
Tutje në seancë, u dëgjua dëshmitari Hajrush Halili, zyrtar policor në Gjilan. Ai tha se Njësia e Krimeve Ekonomike janë të autorizuar që të hetojnë rastet e kësaj natyre (marrjes së ryshfetit në këtë rast).
“Kemi pasur raste që edhe pa urdhër të gjykatës por vetëm me autorizim të prokurorit kemi shkuar në bastisje. Ato raste që kemi qenë pa leje të gjykatës, në mundësinë e parë e kemi njoftuar gjykatën për punën tonë. Në rastin e Sadullah Dërmakut, kur kemi shkuar në simulim të rastit kemi pasur urdhëresën e lëshuar nga gjykata. Në urdhëresën e gjykatës ka qenë i shënuar emri im si përgjegjës që ta bëjë udhëheqjen e rastit”, tha dëshmitari Halili.
Tutje dëshmitari Halili tha se ankuesi paraprakisht rastin e ka lajmëruar në Stacionin Policor në Kamenicë, duke thënë se tani i akuzuari i ka kërkuar edhe gjësende të tjera madje edhe ushqime vetëm që mos të dënoheshin taksitë e tij. Pas kësaj rastin për trajtim tha se e kanë pranuar Njësia e Krimeve Ekonomike dhe kanë vazhduar tutje.
Kurse i akuzuari Dërmaku, tha se ka pasur detyrë që të bëjë inspektimin teknik të veturave taksi. Aj tha se i dëmtuari ka shkuar tek ai për t`u konsultuar lidhur me një biznes të auto-taksive pasi ankuesi nuk ishte i Komunës së Kamenicës.
“Unë e kam autorizuar atë që firmën ta hap në emër të gruas së tij pasi ajo ishte banore e Komunës sonë. Kërkesën e ka bërë për 5 automjete dhe kur e ka përfunduar dokumentacionin unë kam dalur dhe e kam bërë pranimin teknik të automjeteve. Pasi jam takuar me Besnikun në zyrën e tij, ai ka kërkuar nga unë që të pranoj një dhuratë prej 1,500 euro, por unë nuk e kam pranuar. Atij i kam thënë se dhuratë nuk dua por nëse ka mundësi 500 euro me mi dhënë hua deri në fund të muajit. Ai më tha se “ky është problemi më i vogël”, tha i akuzuari Dërmaku.
Në fund u dha edhe fjala përfundimtare ku prokurori Agron Uka, tha se pas mbajtjes së shumë seancave gjyqësore dhe pas një procesi të gjatë gjyqësor është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale me dashje direkte. Andaj në këto rrethana kërkoj nga Gjykata që i akuzuari të shpallet fajtorë dhe të dënohet me një dënim të paraparë me ligj. Fjalët e prokurorit i përkrahu edhe i dëmtuari Besnik Shabani.
Kurse Shemsedin Pira, avokati i të akuzuarit dhe vet i akuzuari Sadullah Dërmaku, duke dhënë fjalët e tyre përfundimtare, e kundërshtuan aktakuzën e Prokurorisë duke kërkuar nga Gjykata që i akuzuari të lirohet nga akuza dhe i njëjti të shpallet i pa fajshëm.
Shpallja e vendimit në këtë rast do të bëhet me 06 prill.
Kujtojmë se Gjykata e Gjilanit në prill të vitit 2018 të akuzuarin Dërmaku e kishte shpallur fajtor për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 muajve dhe dënim me gjobë në shumën prej 300 euro.
Po ashtu, ndaj Sadullah Dërmakut Gjykata e shkallës së parë kishte shqiptuar edhe dënim plotësues (me kusht), ndalimi i ushtrimit të profesionit në administratë publike në kohëzgjatje prej dy vitesh.
Pas kësaj dhe pas rigjykimit, Gjykata e Gjilanit në janar 2019 përsëri ashtu si në gjykimin e parë, të akuzuarin Sadullah Dërmaku e kishte dënuar me 15 muaj burgim dhe 300 euro gjobë.
Përsëri Gjykata e Apelit në muajin prill 2019 e kishte kthyer çështjen në rigjykim duke konstatuar shkelje esenciale te dispozitave procedurale nga Gjykata e shkallës së parë.
Edhe në gjykimin e tretë të shpallur më 26 qershor 2020, Dërmaku ishte dënuar me 15 muaj burg, 300 euro gjobë dhe ndalim të ushtrimit të funksionit për dy vite pas mbajtjes së dënimit me burgim.
Sipas Prokurorisë, Sadullah Dërmaku në muajin tetor 2017 në Kamenicë në cilësinë e inspektorit të komunikacionit në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar si person zyrtar.
Aktakuza e Prokurorisë gjithashtu thotë se në mënyrë që të dëmtuarit Besnik Shabani t’i mundësojë ushtrimin e veprimtarisë së biznesit “City Taxi”, i akuzuari i ka kërkuar 500 euro (të dëmtuarit), para të cilat i ka marrë nga i dëmtuari dhe të njëjtat ishin gjetur në xhepin e palltos së tij ku pas bastisjes nga ana e zyrtarëve policorë i akuzuari edhe ishte arrestuar.
Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast – LINK