Dënohet me burg e gjobë inspektori i akuzuar për ryshfet

Sadullah Dermaku, inspektor nga Kamenica është dënuar sot në gjykatën e Gjilanit pasi u gjet fajtor  për marrje të ryshfetit.

Ai nga Gjykata për herë të katërt u dënua me 15 muaj burg, 300 euro gjobë dhe ndalim të ushtrimit të funksionit për dy vite pas mbajtjes se dënimit me burgim.

Kjo çështje është kthyer tri herë në rigjykim nga Gjykata e Apelit, dhe për herë të katërt përfundoi me dënimin e inspektorit Sadullah Dermaku.

Prokurori, në fjalën përfundimtare kishte thënë se gjendja faktike është argumentuar dhe vërtetuar me dëshminë e dëshmitarëve duke kërkuar përsëri dënimin e të akuzuarit.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Shemsedin Pira dhe i akuzuari Sadullah Dermaku, në fjalën e tyre përfundimtare patën deklaruar se pas shtjellimit të provave, gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe nga përmbajtja e tyre nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet nga Prokuroria e Shtetit andaj kishin kërkuar që Dërmaku të lirohet nga akuza.

Sipas Prokurorisë, Sadullah Dërmaku në muajin tetor 2017 në Kamenicë në cilësinë e inspektorit të komunikacionit në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar si person zyrtar.

Aktakuza thotë se në mënyrë që të dëmtuarit Besnik Shabani t’i mundësojë ushtrimin e veprimtarisë së biznesit “City Taxi”, i akuzuari i kishte kërkuar atij 500 euro, para të cilat i kishte marrë dhe të njëjtat i ishin gjetur në xhepin e palltos së tij gjatë bastisjes nga ana e zyrtarëve policorë.

Inspektori nga Kamenica dënohet me burg e gjobë për 500 euro ryshfet