Prokuroria Themelore në Gjilan, Foto: KALLXO.com

Kërkohen 30 ditë paraburgim për gjinekologun që dyshohet se kreu abortin e 13 vjeçares në Gjilan

Prokurorie në Gjilan ka kërkuar 30 ditë paraburgim për një gjinekolog i cili ishte arrestuar dje nën dyshimin për ndërprerje të palejueshme të shtatzënisë.

I dyshuari A.G është ndalur për 48 orë me vendim të prokurorit.

“Ndaj tij, sot nga prokurori i rastit është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, nga Gjykata kompetente në Gjilan. Ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari A.G., më 15 Shkurt 2020, në cilësinë e mjekut gjinekolog, në ordinancën e tij në Prishtinë, në kundërshtim me ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë, pa pëlqimin e të dëmtuarës së mitur, nën moshën 14 vjeçare dhe pa pëlqimin e prindit apo kujdestarit, ka ndërprerë shtatzëninë e të miturës, duke e dëmtuar rëndë shëndetin e saj”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Tutje, gjinekologu i arrestuar dyshohet se nuk e ka lajmëruar veprën penale të dhunimit, të cilën thuhet se e ka zbuluar gjatë ushtrimit të detyrës së tij.

Muajin e kaluar KALLXO.com ka raportuar se Gjykata në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit Sh. J.

Personi Sh.J. dyshohet se ka shfrytëzuar një vajzë të mitur duke e dërguar në motele të ndryshme, duke e detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale, ashtu që e mitura ka mbetur shtatzënë.

Më pas, sipas Prokurorisë, i dyshuari Sh.J. e kishte dërguar të miturën në një ordinancë private për të kryer abortin.

I dyshuari i dytë ishte arrestuar pak ditë pas atij të parit, nën dyshimin se i njëjti kishte kryer veprën penale të dhunimit të 13-vjeçares.

Edhe i dyshuari i dytë gjendet në masën e paraburgimit.

KALLXO.com mëson se në dëshminë e 13-vjeçares thuhet se i dyshuari i parë Sh.J. me një person tjetër e kishin dërguar të miturën 13-vjeçare në ordinancën private për të kryer abortin.

Aborti i 13-vjeçares, arrestohet një gjinekolog në Gjilan