Foto: Kallxo.com

Ish-drejtori i Ramadan Mujës nuk e pranon fajësinë për laptopët e pakthyer të komunës

Ish-drejtori komunal në Prizren, Ilir Baldedaj, ka dalë para gjykatës për t’u përgjigjur për akuzat rreth moskthimit të laptopëve të komunës në kohën e qeverisjes së Ramadan Mujës.

Baldedaj që tash mban një ulëse në asamblenë komunale të Prizrenit, i mohoi akuzat e Prokurorisë në Prizren për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Nga sasia totale prej 43 laptopësh, 40 prej tyre i ishin shpërndarë asamblistëve të Komunës së Prizrenit në qeverisjen e kaluar, e njohur si qeverisja Muja 2.

Në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Mos kthimi i  laptopëve e ka dërguar para organeve të drejtësisë ish- drejtorin e Administratës në komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj.

Pos 40 laptopëve të pakthyer, Prokuroria e Prizrenit pretendon se për 3 laptopë të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilat kanë qenë të destinuar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 19,350.00 euro.

Ilir Baldedaj që tash ka detyrën e asamblistit në Kuvendin Komunal të Prizrenit, para gjykatës ka mohuar fajësinë për veprën penale  keqpërdorim të pozitës zyrtare, të cilën akuzohet ta ketë kryer gjatë periudhës 2015 dhe 2016.

Në seancën e 23 shtatorit, Baldeadj kishte munguar në gjykatë duke mos e njoftuar gjykatën për mungesën e tij, e në atë kohë Baldedaj po kandidonte për deputet të Kuvendit të Kosovës në kuadër të koalicionit AAK – PSD.

Ndaj tij pas një hulumtimi nga KALLXO.com më 22 gusht, Prokuroria e Prizrenit ka ngritur një aktakuzë. Baldedaj akuzohet se prej 13.05.2018 e deri me datën 22.05.2018 ka bërë shpërndarjen e pasurisë jofinanciare (laptopë dhe çanta të laptopëve) për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 copësh.

Ish-asamblistët e Prizrenit nuk i kanë kthyer laptopët

Në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik, ashtu siç parasheh Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe Rregullorja e Ministrisë së Financave për menaxhimin e pasurisë jofinanciare në organizatat buxhetore.

Aktakuza thotë se për 3 laptopë të tjerë nuk ka prova se të njëjtët u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 19,350.00 euro.